E Hënë, 2 Nëntor 2026

“I dërguari” i Perëndisë në pranga pas “paralajmërimit” për fundin e botës

02/06/2005  Ilir Zheja, shpërndante trakte në qytet, denoncohet nga Myftinia

SHKODER – Ka paralajmëruar fundin e botës në fund të vitit 2009, por ka rënë vetë në prangat e policisë.

“I dërguari” i Perëndisë kësaj radhe ka qenë një 34-vjeçar, nga fshati Melgushë, i rrethit të Shkodrës. Me anë të një trakti, që duhej të shumëfishohej nga kushdo që e lexonte, “i dërguari” bënte thirrje që askush të mos ndërtonte që nga vitit 2007, kohë kur do të fillonte shkatërrimi i Botës, cikël që do të mbyllej dy vjet më pas.

Burimet nga policia bëjnë të ditur se në orën 23.30 të natës së martë është arrestuar shtetasi 34-vjeçar Ilir Nadir Zheja, nga fshati Mëlgushë, i rrethit të Shkodrës, aktualisht banues në lagjen “Guerile”, të Shkodrës. Arrestimi i këtij shtetasi erdhi si pasojë e veprës penale të përhapjes së informacioneve jo të vërteta, që sjellin panik në popull.

Pas arrestimit të 34-vjeçarit Ilir Zheja, uniformat blu të policisë kanë kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe dje ia kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme dosjen Prokurorisë së rrethit të Shkodrës.

Ngjarja

Gjatë gjithë ditës së martë, Zheja kishte shëtitur nëpër qytetin e Shkodrës, duke shpërndarë fletushka në formë komunikate të shkruar nga vetë ky shtetas, me anë të së cilës përhapte panik te qytetarët, duke propoganduar shkuarjen e njerëzimit drejt shkatërrimit.

Në përmbajtje të fletushkës shkruhej se vetë ai ishte “i dërguari” i Krijuesit të Gjithësisë për mbarë njerëzimin, ”fakt” të cilin e kishte kuptuar që nga viti 2002. Rënia e kësaj letre në dorë të qytetarëve ka bërë që të reagojnë dhe të vënë në dijeni kryetarin e myftinisë Shkodër, Bashkim Bajraktari.

Myftinia e Shkodrës, pasi ka marrë dhe lexuar këtë fletushkë, ka reaguar dhe i ka bërë thirrje besimtarëve myslimanë që të distancoheshin nga të tillë njerëz të papërgjegjshëm, që nuk kanë lidhje me besimin mysliman, si dhe kanë kërkuar nga organet e policisë që të merreshin masa në ndalimin dhe arrestimin e këtij personi, që po përhapte panik në popull.

Arrestimi

Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ka marrë masat dhe duke qenë se personi, që shpërndante thirrjet, kishte shkruar emrin dhe adresën e tij në fund të fletushkës thirrëse, kanë vajtur në shtëpinë e këtij personi dhe kanë bërë arrestimin e tij, pasi kishte konsumuar veprën penale “Përhapje e informacioneve të rreme që ngjallin panik“ e parashikuar kjo në nenin 267 të Kodit Penal.

Burimet nga policia shprehen se gjatë kontollit të banesës së këtij shtetasi, u gjetën edhe 100 fletushka thirrjeje të tjera, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale.

“Fundi”...

Me anë të fletushkës komunikatë, Ilir Zheja vinte në dukje se së shpejti popujt e kësaj bote do të shkatërroheshin, pasi për këtë ishte lajmëruar nga vetë Krijuesi i Gjithësisë, që nga viti 2001. Madje, në këtë thirrje ndaj njerëzimit ai u tregonte atyre se shkatërrimi i botë do të fillonte më 1 janar të vitit 2007 dhe do të vazhdojë të shkatërrohet deri në përfundimin e ciklit të tij, në fund të vitit 2009.

Duke marrë parasysh këto shkatërrime, ai i bënte thirrje njerëzimit që në këto vite të mos ndërtonin. Por për t’i shpëtuar këtij shkatërrimi, besimtarët duhet ta besonin këtë shpallje dhe t’i frikësoheshin thirrjes në fjalë, të dërguar nga vetë Krijuesi i Gjithësisë, si dhe të zbatonin pikë për pikë ato që shkruheshin në këtë thirrje.

Në trakt shkruhej se besimtarët, që e merrnin këtë komunikatë–thirrje, paraprakisht duhet ta shumëfishonin në 50 kopje dhe ta shpërndanin te besimtarët e tjerë.

Përmbajtja e traktit të shpërndarë

“Porositë e Krijuesit”

Sipas asaj ç’ka Ilir Zheja kishte shkruar, mësohet se çdo gjë që ai i tregonte botës “ishte ligj, që kishte zbritur për mbarë njerëzimin në orën 16.00 të datës 15 dhjetor të vitit 2002”, siç shkruan ai.

Sipas tij, “çdo ‘porosi’ ishte një shpallje e re në formë thirrjeje, pas shpalljes së respektimit të Kryqit dhe pas zbatimit të 30 ditëve të Ramazanit. Në bazë të këtij ligji duhej të kiheshin parasysh dhe të zbatoheshin një sërë rregullash, sepse përndryshe nuk do t’i shpëtonin shkatërrimit të njerëzimit”.

Ndër rregullat që duheshin zbatuar, shkruesi i kësaj fletushke i bënte thirrje motrave dhe vëllezërve besimtarë “që të ruheshin nga punët e pavlera, të mos përdornin gjëra të arta, të mos dilnin lakuriq, të mos shkonin në plazhe e klube, të respektonin faljen e 5 vakteve të ditës, që në moshën dyvjeçare deri në fund të jetës, të respektonin moskontaktimin me gruan shtatzënë për 22 muaj dhe 27 ditë”.

“Këto rregulla, shkruan ai në thirrje, duhet të zbatoheshin, pasi kjo ishte një sprovë për mbarë njerëzimin, e dërguar nga vetë Krijuesi, sprovë që kishte filluar që prej 5 vitesh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›