E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shoferi i mësuesve të fshatit gjen një vajë të masakruar

02/06/2005  Një plumb në gojë dhe djegie me vaj makine, armët e krimit të femrës së paidentifikuar

ELBASAN - Një femër, rreth 20-25 vjeçe, pasi është ekzekutuar me plumb në kokë, i është vënë dhe flaka. Identiteti i viktimës dhe i autorit kanë mbetur akoma enigmë për policinë.

Trupi i saj është gjetur mëngjesin e djeshëm, jo shumë larg nga rruga nacionale Tiranë-Elbasan. Krimi i rëndë ka noddhur në afërsi të Gracenit, ku nuk ka patur dëshmitarë.

Ngjarja ka ndodhur një natë më parë, kur buzë rrugës nacionale Elbasan-Tiranë, në vendin e quajtuar “Ara e Sallakut”, ku një vajzë është ekzekutuar me plumb në ballë dhe më pas i është vënë flaka në mënyrë makabre.

Gjetja e kufomës

Drejtuesi i një automjeti ka gjetur gjysmë të karbonizuar trupin e një femre të paidentifikuar. Në bazë të burimeve policore mësohet se kufoma i përket një personi të seksit femër, të moshës 20-25 vjeçe, por identiteti i saj, edhe pse trupi është pjesërisht i karbonizuar, nuk është mundur të zbardhet ende.

Vajza kishte veshur pantallona xhinse dhe një bluzë, shenja të të cilave kanë mbetur në trupin e djegur, por pa lënë asnjë detajë tjetër. Sipas veprimeve të para, përdhunimi përjashtohet, pasi nuk janë konstatuar shenja të tilla, ndërsa krimi ka precipituar brenda disa minutave, kur autori gjakftohtë ka llogaritur gjithçka.

Trupi i viktimës është gjetur nga një drejtues automjeti, rreth orës 08.00 të mëngjesit, i cili ka parë rastësisht gjurmët e gjakut dhe më pas ka konstuatuar trupin e pajetë të djegur përgjysmë, disa metra larg rrugës nacionale, në kilometrin 25 të aksit nacional Tiranë-Elbasan. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer veprimet e para për këtë rast, i cili konsiderohet mjaft i rëndë. Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe grupi i ekspertizës mjeko-ligjore, për të bërë të mundur identifikimin e kufomës.

Rindërtimi i ngjarjes

Sipas një rindërtimi të ngjarjes, të bërë nga ekspertët e policisë, pas këqyrjes së viktimës dhe të vendit të krimit, dyshohet se vrasja dhe më pas djegia e trupit kanë ndodhur rreth orës 21.30, të ditës së martë.

Autori, por hetimet e deritanishme nuk përjashtohet të jenë edhe dy të tillë, ka qenë duke udhëtuar dhe ka hapur krahun në anë të rrugës në “Arën e Sallakut”, në afërsi të një karburanti. Pjesë xhami të thyera janë parë pa mbërritur në vendin ku është gjetur kufoma dhe kjo ka bërë që të mendohet se vajza, ose gruja të ketë bërë rezistencë ose personi ta ketë goditur atë, duke sjellë edhe dëmtimin e xhamit.

Më pas, gjithçka ka vazhduar jashtë automjetit. Autori ka marrë armën, ia ka vënë në kokë, dhe ka qëlluar mbi të. Gjithashtu ka shkrehur edhe një plumb tjetër, që mësohet të jetë drejtuar në gojë, por fytyra e përgjakur nuk ka lënë shumë mundësi për ta identifikuar.

Pas kësaj, autori ka vepruar me gjakftohtësi, duke marrë shishen e vajit të automjetit, me të cilin e ka spërkatur, duke i vënë flakën dhe më pas është larguar. Funksioni i vajit si katalizator i djegies ka qenë i vakët dhe trupi ka mbetur pjesërisht i karbonizuar.

Në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja janë konstatuar rrotat e një automjeti, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja pistolete.

Pak mundësi për identifikimin

Edhe pse fytyra e viktimës është në një gjendje që nuk mund të identifikohet, gjatë ditës së djesme asnjë denoncim për humbjen apo zhdukjen e një personi nuk ka mbërritur në komisariatin e policisë së Elbasanit. Mësohet se të gjithë inspektorët janë lajmëruar për çdo rast të tillë konstatimi, por në bazë të informacioneve parparake asnjë banore femër në Elbasan nuk është shpallur e humbur. Kjo ka larguar disi mundësinë që viktima të jetë nga kjo zonë, megjithëse po punohet me të gjitha komisariatet për informacione paraprake.

Mundësitë e identifikimit mbeten të pakta, ndërsa prokurori i çështjes dhe sidomos ekspertiza, po bëjnë edhe punën operative për të zbardhur sa më shumë detaje nga kjo ngjarje e rëndë.

Flet Ymer Hoxha, drejtuesi i autobusit të Gracenit, që gjeti trupin e vrarë e të djegur

“Shenjat e gjakut dhe era e rëndë, më ‘çuan’ te trupi i masakruar”

ELBASAN - Ymer Hoxha, shoferi i arsimtarëve të fshatit Gracen, i cili ka qenë i pari që ka gjetur trupin e masakruar, është akoma shumë i tonditur. Asgjë nuk ka mundur që t’ia heq nga sytë pamjen e rëndë të trupit të vajzës së vrarë e të karbonizuar. Terreni përreth, mungesa e dëshmitarëve dhe koha kur kanë ndodhur ngjarja kanë bërë që trupi i karbonizuar të gjendet 10 orë më pas nga shoferi Hoxha. Njollat e gjakut në anë të rrugës, pjesë xhamash të thyera dhe një erë e djegur kanë hedhur dyshimet e para për atë që kishte ndodhur. Çdo detaj të gjetjes së trupit, Ymer Hoxha ka pranuar që ta rrëfejë në një intervistë për gazetën “Metropol”.

Si e zbuluat kufomën në anë të rrugës?

Si çdo ditë, rreth orës 07.30, isha nisur për të marrë mësuesit e shkollës 9-vjeçare të Gracenit dhe sapo ngjitem drejt shikoj copa xhami dhe shenja gjaku. Mendova fillimisht se mos ishte ndonjë i aksidentuar dhe mendova të zbres për ta ndihmuar. Sapo zbres ndjek shenjat e gjakut, shikoj dy gëzhoja dhe era e djegur më erdhi në hundë. Pak më tutje, në një vend të futur, shikoj trupin e djegur.

Çfarë ndjetë në ato momente?

U tmerrova, të them të drejtën, nuk kisha parë asnjëherë një pamje të tillë dhe gjithçka m’u duk shumë e tmerrshme. Për momentin u hutova dhe vendosa të largohem sa më parë nga ajo skenë makabre, e cila më shqetësoi shumë. Duke qenë vet prind mendova fëmijët e mi dhe mallkova njeriun që e ka bërë këtë krim mjaft të rëndë. Tronditja ishte shumë e madhe, sidomos kur pash pjesën e fytyrës gjysmë të djegur dhe gjysmë të gjakosur të vajzës, e cila kishte këtë fund tragjik.

Si vepruat më tej?

Mendova të largohem menjëherë nga aty drejt autobusit dhe mora telefonin për të lajmëruar policinë. Gjithçka kishte ndodhur natën dhe asgjë më shumë se aq sa pashë nuk mund të them për këtë krim, por pamja ka qenë tragjike.

Pritet kthimi i mjekëve nga trajnimi, kufoma edhe dy-tre ditë në morgun e Elbasanit

Dyshimet, kufoma prostitutë e pabindur, ose edhe një krim brenda në familje

TIRANË - Trupi i pajetë i vajzës së masakruar do të qëndrojë edhe për dy ose tre ditë në morgun e spitalit të Elbasanit. Sipas burimeve të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, mësohet se ky veprim do të kryhet për shkak se do të nisin një sërë procedurash eksperto-ligjore nga ana e mjekëve, por vetëm pas rikthimit të shumicës së tyre nga një trajnim jashtë vendit.

Aktualisht, sipas informacioneve që disponon Mjekësia Ligjore, kufoma e gjetur në fshatin Pajengë të Elbasanit, në rreth 20 për qind të trupit ka djegie të shumta, plagë të cilat nga këqyrjet paraprake mendohet të jenë shkaktuar pas ekzekutimit me plumb në pjesën e kafkës, ndonëse lloji i armës ende nuk është përcaktuar. Disa nga mjekët më të mirë të vendit, të cilët janë ekspertë të morgut të Tiranës, prej disa ditësh gjenden jashtë shtetit, ku vazhdojnë një sërë trajnimesh, ndërsa të tjerë prej tyre japin leksione në fakultete të ndyshme.

Ky ka qenë shkaku që kufoma e femrës të qëndrojë ende në Elbasan. Mjekët, që tashmë janë njoftuar rreth ngjarjes, thanë për gazetën “Metropol” se vajza nuk i kalon 25 vitet.

Me mbërritjen e mjekëve, do të ngrihet një komision i veçantë, që do të ekzaminojë rastin e vajzës së paidentifikuar.

Ndërkaq, burime të sektorit të Kriminalistikës në Ministrinë e Rendit Publik thanë se dyshimet e para bëjnë fjalë për një prostitutë, e cila nuk u është bindur urdhrave të tutorëve të tyre, ndonëse kjo mbetet një pistë e pavërtetuar. Fakti që femra nuk i kishte të gjitha rrobat në trup, sipas burimeve policore, tregon se ajo mund të jetë përdhunuar para se të vritej, por këtë do ta vërtetojë vetëm ekspertiza e mjekëve.

Nga ana tjetër, të njëjtat burime policore thanë se mund të bëhet fjalë edhe për një krim në familje.

3 maj 2005/ Rasti i parë

Gjendet një kokë gruaje,ende në kërkim të trupit

DURRES – Një kokë gruaje, gjysmë e dekompozuar u gjend e groposur

në një gropë 40 cm të thellë, në fshatin Jubë, të Sukthit, në rrethin e Durrësit. Kanë qenë ushtarët komando që, ndërsa ngrinin një shesh fushimi, gjetën kokën ende të paidentifikuar. Policia, pas zbulimit të rastësishëm të kokës, gjatë ngritjes së kampit të fushimit të ushtrisë, ka krehur të gjithë zonën për të gjetur trupin, por kërkimet nuk kanë pasur rezultat. Besohet se trupi duhet të jetë varrosur rreth vendit ku është gjetur koka e prerë, por ende nuk është zbuluar gjë. Policia lokale po punon dhe me informacionet rreth vendit të ngjarjes, ku besohet se dikush mund të jetë në dijeni të faktit.

Koka, sipas burimeve policore, i përkiste një gruaje, mbi 30 vjeçe dhe viheshin re flokë të gjata. Ajo ishte therur me thikë dhe më pas është varrosur pranë repartit të tankeve.

Dyshimet janë të shumta.

Sipas policisë, koka e gruas së vrarë, ka qendruar për kohë të gjatë në ujë pastaj është groposur nga autorët.

Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore dhe agjentëve të sektorit të antikrimit, gruaja është ekzekutuar disa muaj para se ajo të futej në një gropë në Jubë, në një thellësi 40 cm. Sipas të nmjëtave pohime, mëoshet se prerja e kokës, nuk ka ndodhur në të njëjtën kohë që gruaja është vrarë, por kur autorët e krimit kishin vendosur ta zhvarrosnin për ta transportuar në një vend tjetër.

Pas gjetjes së kokës së shkëputur nga trupi, të gjitha të dhënat iu dërguan komisariateve.

Precedentët

5 maj 2005

Pas disa ditësh i vdekur gjendet kufoma pa emër

SHKODËR – Një kufomë, me moshë rreth 50 vjeç, është gjetur në brigjet e lumit Drin. Sipas burimeve zyrtare nga policia bëhet e ditur se kufoma u gjet pranë fshatit Kosmaç, të rrethit të Shkodrës, rreth 25 km nga qyteti. Sipas burimeve të policisë, kufoma është e seksit mashkull, me flokë të rëna, mendohet se është rreth 50 vjeç dhe kishte disa ditë që ka vdekur. Burimet nga policia bëjnë të ditur se nuk ka pasur asnjë reklamim nga ndonjë familjar, për humbjen e të afërmit të tyre.

13 maj 2005

Ekzkeutohet me mënyra mafioze gjendet kufoma në breg të Ulzës

TIRANE – Gjendet nga një peshkatar, pranë liqenit të Ulzës, pak kilometra larg Burrelit, te vendi i quajtur sektori C, pranë një lokali të thjeshtë, trupi i një të riu, rrobat e të cilit ishin të djegura plotësisht. Kufoma u dërgua nga policia në Tiranë. Pas hetimeve të para është identifikuar emri i Maksim Lalës, të cilit i përkiste kjo kufomë. I riu, i moshës 30 vjeç, me një fizik të plotë, i marrë me stërvitje, është viktimë e një ekzekutimi mafioz. Për ta eliminuar atë është përdorur teknika e vrasësve profesionistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›