E Diel, 1 Nëntor 2026

“I dha çelësin e Tiranës njeriut që u këndoi masakrave serbe mbi kosovarët”

16/06/2009  Kryeministri Berisha akuzon Edi Ramën nga Tropoja

Kryeministri Sali Berisha pas 12 vjetësh është kthyer në Tropojë për të mbajtur ndoshta një ndër fjalimet e tij më emocionuese. Pavarësisht se mitingu zhvillohej në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Berisha fillimin e fjalës së tij ia ka dedikuar vendlindjes duke thënë se përulej me nderim para gjithë banorëve të kësaj treve për kontributin e dhënë në historinë e vendit e të gjithë kombit. Gjatë këtij fjalimi, i cili është ndërprerë shumë herë nga brohoritjet mbështetëse për të, Berisha kujtoi mbështetjen e jashtëzakonshme që populli i kësaj zone i dha luftës çlirimtare të Kosovës. “Ju me dashurinë më eprore për Tropojën për vendin, për Kosovën, për Shqipërinë ia dolët që në vitin 1998-1999 ta shndërroni këtë trevë në bazën kryesore të lëvizjes çlirimtare të Kosovës”, - deklaroi Berisha. Berisha ka kujtuar se si kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i dhuroi çelësin e kryeqytetit këngëtarit serb Goran Bregoviç në vitin 2006, kur ai dha një koncert në Tiranë. “Ajo që të kërkoj (Edi Ramës) është kjo: para se t’u drejtohesh qytetarëve të Tropojës, socialistëve të Tropojës për votën, duhet të heqësh çelësin e artë të Bashkisë, çelësin e artë të kryeqytetit të shqiptarëve që vendose mbi gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi vëllezërit në Kosovë, famëkeqit Bregoviç”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, Berisha tha se grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD-së do të kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj tij. “Nuk mundesh t’i përdorësh çelësat e kryeqytetit të mbarë shqiptarëve për armiqtë e egër të tyre, për ata që kënduan këngë dhe himne barbarëve serbë, të barbarive serbe mbi shqiptarët e Kosovës”, - tha Kryeministri Berisha. Ai u shpreh se i kishte kërkuar Ramës të shprehte një ndjesë publike ndaj Tropojës për ato që socialistët i bënë në vitin 1997. Sipas Berishës kreu i PS-së nuk e bëri një gjë të tillë, sepse përmes arrogancës, prepotencës së trashëguar, nuk njeh ndjesën dhe faljen njerëzore.

Gjatë mitingut elektoral Kryeministri deklaroi se katër vjetët e ardhshëm do të jenë vitet e transformimit të madh. Ai tha se ashtu siç e anëtarësuan vendin në NATO, ashtu do ta përgatitin për anëtar të Bashkimit Europian. “Ne do të fitojmë lirinë e lëvizjes, ne do të lëmë mbrapa në rroga dhe pensione qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së”, - tha Berisha. Ai premtoi se qeveria do të financojë çdo projekt të fermerëve të Malësisë së Gjakovës. Gjatë kësaj vizite kreu i qeverisë inauguroi përfundimin e një segmenti rrugor prej 13 kilometrash në komunën Margegaj. Ai tha se kjo rrugë, për cilësitë e veçanta të saj, do të mbajë emrin e heroit të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve Azem Hajdari. “Kam vendosur t’i jap këtë emër kësaj rruge për të nderuar mikun tim, një simbol që në një aspekt i afrohet shumë atij. Ai dhe lëvizja që ai udhëhoqi ishte lëvizja më e bukur në historinë kombëtare të shqiptarëve”, - tha Berisha. Po ashtu ai mori pjesë në inaugurimin e ndërtimit të rrjetit të jashtëm të ujësjellësit të qytetit të Bajram Currit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›