E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laudrup përgatitet për një skuadër të madhe

Trajneri Mikael Laudrup mund të largohet nga Getafe për të marrë drejtimin e Seviljes. Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i trajnerit danez, Bajram Tutumlu, i cili ka konfirmuar se tekniku ka edhe shumë oferta të tjera të rëndësishme. Laudrup ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me këtë skuadër, jo në kampionat, por në Kupa, ku arriti në finale të Kupës së Ligës dhe çerekfinalet e Kupës UEFA. Sipas Tutumlu, trajneri danez ka vendosur se është momenti i duhur për të lëvizur dhe ka lajmëruar presidentin Angel Torres për këtë gjë. "Cikli i Laudrup në klub ka përfunduar. Ka kaluar thuajse një muaj që nga momenti kur ai i tha Torres të fillojë të kërkojë për një trajner të ri për sezonin e ardhshëm", deklaroi menaxheri. Sipas tij, Laudrup do të dëshironte të kishte lojtarë më të mirë në dispozicion, pasi nuk ishte i kënaqur me mënyrën se si e mbylli këtë sezon. "Ai nuk është i kënaqur me bilancin e sezonit, i cili mund të ishte më i mirë. Majkëll është një trajner i madh dhe nuk mund të jetë i kënaqur me këtë gjë. Nëse po fiton 3-1 me Bajernin e Mynihut, kur kanë mbetur edhe pak minuta, nuk duhet të eliminohesh. Përveç kësaj, nëse Majkëll do të kishte pasur në dispozicion sulmues që shënonin gola, Getafe do të ishte në Ligën e Kampioneve apo në Kupën UEFA. Spanja është shtëpia e tij e dytë, por ai po kërkon një skuadër të madhe. Sevilja është ekip i tillë, por për të është interesuar edhe Gallatasaraj. Kam marrë telefonata edhe nga Portugalia, Rusia dhe Anglia", tregoi Tutumlu, duke bërë të qartë se Laudrup do të ndryshonte ambient gjatë verës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›