E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit në protestë për dhunën, shkarkohet gardisti

 

Incidenti i dhunës së ushtruar pak ditë më parë te Kryeministria, nxori dje në sheshin “Skënderbej” Shoqatën e të Verbërve, e cila protestoi me moton “Jo dhunës”. Përfaqësues të Shoqatës thanë se ata po protestojnë për të kundërshtuar dhunën fizike të ushtruar ndaj grave të moshuara në dyert e Qeverisë pak ditë më parë. Shkak i protestës mësohet se ka qenë fakti se institucionet shtetërore nuk reaguan ndaj aktit të rëndë për të vendosur drejtësinë në vend. “Ka një mungesë të theksuar solidariteti për shtresën tonë. Partitë politike vetëm na përdorin”, janë shprehur përfaqësues të komunitetit të të verbërve gjatë protestës së djeshme. Shoqata e të Verbërve, konfirmoi më tej se është e vendosur të vazhdojë revoltën e saj deri në plotësimin e kërkesave të këtij komuniteti. Në mbështetje të protestuesve kundër dhunës ndaj të verbërve dolën dje edhe aktorët Mirush Kabashi dhe Sokol Angjeli. Duke iu referuar indiferencës me të cilën opinioni publik kaloi në heshtje rastin e dhunës së ushtruar ndaj tyre pranë Kryeministrisë, të verbëritë e cilësuan këtë situatë si një ogur të zi, që rrezikon përhapjen e dhunës në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Shkarkohet gardisti
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi konfirmoi dje shkarkimin nga detyra për oficerin që ndodhej pranë grave të verbra në momentin që ndaj tyre është ushtruar dhunë nga biznesmeni Pëllumb Borshi. Pak ditë më parë, Avokati i Popullit kishte kërkuar nga Garda marrjen e masave për punonjësin e saj, i cili dukej se kishte shoqëruar “miqësisht” Pëllumb Borshin pas aktit të tij të dhunës ndaj grave të verbra. “Ngjarja e datës 21 maj 2009, ndodhur pranë objektit të Kryeministrisë, në hyrjen nr.4 porta hyrëse e Ministrisë së Financave, rreth orës 8:00 të mëngjesit, gjatë protestës të një grupi personash nga Shoqata e të verbërve, ku kryejnë shërbim strukturat e Gardës së Republikës, është marrë në analizë nga strukturat përgjegjëse. Në përfundim të analizës rezulton se forcat e Gardës së Republikës në bashkërendim me forcat e Policisë së Shtetit, kanë kryer detyrat e shërbimit dhe kanë komunikuar gjatë gjithë kohës me kujdes dhe etikë me demostruesit, duke kërkuar pozicionimin e tyre në një vend të përshtatshëm, për të mundësuar funksionimin e portës së institucionit të Ministrisë së Financave, gjë e cila nuk u realizua. Pavarësisht se demostruesit ishin pozicionuar jo në vendin e duhur dhe pozicionimi i tyre cenonte masat e sigurisë, nga personeli në shërbim nuk është përdorur në asnjë moment dhunë apo sjellje jashtë etike, thuhet në letrën e Komandantit të Gardës. Sipas tij, punonjësi i Gardës së Republikës, që e ka shoqëruar personin (në pamje me dashamirësi), është liruar nga detyra dhe është përjashtuar nga strukturat e Gardës së Republikës”.        tr.so

Incidenti i dhunës fizike te Kryeministria

TIRANE – Ngjarja e rëndë e dhunës së ushtruar ndaj dy grave të verbra, që po protestonin në hyrje të Kryeministrisë, ndodhi mëngjesin e 21 majit 2009. Sadbere Muçmeraj, një e verbër e moshuar, u dhunua duke u qëlluar disa herë në kokë dhe në qafë nga personi që më pas do të zbulohej se ishte pronar i disa furrave të bukës që po priste për të hyrë në Zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, e cila ndodhet pranë godinës së Qeverisë. Autori i aktit të shëmtuar ndaj grave të verbra arriti të largohej nga vendi i ngjarjes, ai madje komunikoi me një oficer të gardës në ikje e sipër. Pak orë më vonë, pas akuzave të opozitës se dhunuesi kishte qenë polic apo gardist, hetimet treguan se autori i incidentit ishte biznesmeni Pëllumb Borshi, pronar i disa furrave të bukës në Tiranë dhe Durrës. Disa ditë pas ngjarjes, ai i kërkoi ndjesë publike dhe ofroi ndihmë financiare për të verbrit, duke thënë se në momentin që kishte ushtruar dhunë, kishte qenë i stresuar nga pritja në radhën e protestuesve që kishin zënë vend në hyrje të Kryeministrisë.  t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›