Krasniqi: Nuk është e vërtetë që KFOR-i nuk po lëviz

Ai këto komente i bëri të mërkurën pas takimit me kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kosovës, të mbajtur dje, është marrë vendim që të mbahet interpelancë, ku do të debatohet për çështjen e veriut. Interpelanca do të mbahet me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë në veri, pasi që një gjë të tillë nuk është bërë e bërë KFOR-i.
Por, Krasniqi ka shprehur bindjen se KFOR-i do të largojë barrikadat në veri, në mënyrë që të kthehet jeta normale për të gjithë qytetarët e asaj pjese, ndërsa nuk ka parë të nevojshme aksione të ngutshme dhe spektakulare.
“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën politike dhe gjendjen në atë pjesë të Kosovës. Ne jemi shtet i ri, kemi trashëguar konfliktet ndërnacionale dhe këto konflikte ndërnacionale nuk janë as faji, as përgjegjësia jonë. Megjithatë, kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe unë jam i bindur që faktori ndërkombëtar, KFOR-i, EULEX-i dhe qendrat e vendosjes, Uashingtoni dhe Brukseli me institucionet që i ka Kosova, jo ndoshta me aksione të ngutshme dhe spektakulare, por kam bindje të plotë që çështja e asaj pjese të Kosovës do të zgjidhet në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, natyrisht edhe në interes të qytetarëve serbë të asaj pjese”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë që prej fundit të korrikut në veri janë vendosur barrikada nga serbët e rebeluar në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit, Krasniqi thotë se barrikadat janë zgjidhja më e keqe që kanë zgjedhur serbët dhe se problemet nuk mund të zgjidhen përmes formave të tilla.
Ai ndërkaq ka mohuar se KFOR-i nuk është duke lëvizur në heqjen e barrikadave, por sipas tij KFOR-i ka politikat e veta për largimin e këtyre barrikadave.
“Shikoni nuk është e vërtetë që KFOR-i nuk po lëviz, KFOR-i i ka politikat e veta, e ka komandën e vet dhe vizionin e vet të zgjidhjes së atij problemi. Mendoj që tani për tani ata e kanë atë përgjegjësi dhe ne duhet të presim të kryejë detyrën e tyre dhe unë besoj që do të kryejnë”, ka theksuar ai.
I pyetur se pse Qeveria e Kosovës nuk është në atë pjesë, Krasniqi është përgjigjur shumë shkurt duke thënë se janë KFOR-i është në veri.
“Pse janë KFOR-i aty...”, ka deklaruar kryeparlamentari.
Ndërkohë në lidhje me akuzat që bëhen nga opozita se kinse Qeveria po përzihet në agjendën e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se Qeveria me Kushtetutë ka të drejtë të bëjë kërkesa të ndryshme legjislativit.
“Qeveria me Kushtetutë ka të drejtë t’i bënë kërkesa të ndryshme Kuvendit, bile edhe të thërret seancë të jashtëzakonshme. Asgjë nuk është jashtë ligjit, jashtë rregullores së punës së Kuvendit dhe jashtë të drejtës që e ka Qeveria në këtë rast, nuk është një përzierje. Kërkesa është bërë në mënyrë ligjore ne kemi mundur të mos e pranojmë kërkesën e Qeveria, por realisht përsëri duhet të them se me konsensus, se këtë vendim që e kemi marr dje. Nuk e kemi marrë me mbi votim as me votim të shumicës”, ka potencuar Krasniqi.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në seancë të veçantë për interpelancën e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me gjendjen në veri. Kjo është vendosur në mbledhjen e së martës të Kryesisë së Kuvendit, në të cilën po ashtu është caktuar data 8 nëntor për seancë të veçantë për debat lidhur me Raportin e Progresit.
Kërkesa për interpelancë ka ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ajo për Raportin e Progresit është kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithatë për këtë të fundit Kryesia nuk ka mundur që ta caktojë për këtë javë, pavarësisht insistimit të LDK-së, për shkak të mungesës së disa ministrave.