Udhëzimet e reja, diplomat ndryshojnë edhe në format
zirina llambro
Udhëzimi për suplementin e diplomës ka mbërritur tashmë në universitete. Bashkë me të edhe ndryshimet e udhëzimit të mëparshëm për formatin e saj. E ndërsa vetë ministri Beja tha se diploma do mbetej ajo që ishte, ndryshime pritet të ketë jo pak. Në këtë mënyrë përmbushet një pjesë e kërkesave të studentëve, të cilët duket se tashmë janë më të kënaqur me zgjidhjen. ”Në udhëzim parashikohen disa ndryshime për formatin e diplomës, cilësinë e letrës që do të përdoret në të, ngjyrën dhe logon e saj”, sqaruan burime zyrtare nga MASH. Sipas tyre, janë senatet ato që në bazë të ndryshimeve të udhëzimit do të miratojnë variantin përfundimtar të diplomës së re. ”Ndërsa sa i përket suplementit, ai bashkë me mënyrën si do të plotësohet është dërguar gjithashtu në universitete. Në suplementin e diplomës detajohen të gjitha programet që ka ndjekur studenti gjatë tre viteve të ciklit të parë. Në të do të shënohen kreditet përkatëse që ka marrë gjithsecili për çdo lëndë. Pos tyre një vend të veçantë në suplement do të kenë kreditet për mbrojtjen e temës së diplomës së nivelit të parë”, sqaron ministria. Sipas këtij dikasteri, me suplementin të cilin do të jenë universitetet ato që do ta shpërndajnë, përmbushet detyrimi për të garantuar cilësi me diplomat e reja. ”Mungon titulli, por është i mirëpërcaktuar individualisht për çdo student mbarëvajtja e tij në 3 vite akademike. Ky lloj formati përmbush çdo lloj vakumi që ata mund të mendonin se mund të kishin në tregun e punës”, sqarojnë ekspertët e MASH. Nga ana tjetër, burime pranë këtij dikasteri bëjnë me dije se udhëzimet nuk është se janë hartuar nga fillimi. ”Ata kanë ekzistuar, u janë dërguar më parë shkollave të larta, por drejtuesit e tyre nuk kanë qenë dakord, tashmë me ndryshimet e bëra ata i kanë pranuar e nuk mbetet gjë tjetër veçse të vijojnë procesin e pajisjes së studentëve me këto dokumente”, pohuan burime nga ministria. Nga ana tjetër, vetë shkollat e larta nuk kanë shprehur ndonjë pakënaqësi për ndryshimet në fjalë. Çka do të thotë se konflikti mes studentëve, të mbështetur nga pedagogët dhe ministria, po shkon drejt zgjidhjes. Vetë Ministri i Arsimit, Fatos Beja, gjatë konferencës për shtyp të disa ditëve më para deklaroi se ndryshimi i bërë në udhëzim ja lë formulimin e diplomës si kompetencë, senatit akademik, ashtu siç e ka parashikuar dhe ligji. Kjo ishte një nga kundërshtitë e studentëve gjatë protestave të tyre.
Kule: Ndjekje penale për mashtruesit e part-time
Universiteti i Tiranës do të çojë për ndjekje penale 52 emra të rinjsh, të akuzuar për mashtrim në institucionet e Arsimit të Lartë. Këtë ka pohuar Rektori i këtij Universiteti, Dhori Kule. Ai denoncoi gjestin manipulues të këtyre studentëve të regjistruar në Fakultetin e Juridikut sivjet, për të ndjekur studimet në sistemin part-time. Veç këtij fakulteti, pas kontrolleve rezultoi se studentët në fjalë ishin të regjistruar në një tjetër fakultet. “Kjo gjë përbën shkelje të ligjit të Arsimit të Lartë”, tha Kule. Ai e ka konsideruar këtë të paprecedent, ndaj në bashkëpunimin me krerët e fakultetit po përgatiten procedurat për ndjekje penale.