E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pedagogu i mjekësisë” në pranga, mashtroi studentët

 

Etleva Delia

Një 54-vjeçar është vënë dje në pranga nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, pasi kishte gati një vit, që ishte shpallur në kërkim për mashtrim në dëm të disa personave. Shefqet Merra, i dënuar në mungesë nga Gjykata e Apelit me 3 vjet e 6 muaj burg, ka arritur t’i fshihej mjaft mirë policisë për muaj me radhë, duke vazhduar të mashtrojë sërish, madje edhe familjen dhe miqtë e tij. I vetëquajtur pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, Merra, në vitin 2004 kishte arritur të mashtronte një studente të këtij fakulteti, prindin e një studenteje tjetër, madje edhe një punonjëse të Ministrisë së Arsimit. Por duke mos e lënë me kaq veprimtarinë e tij, 3 ditë më parë ai është denoncuar për mashtrim nga 3 persona, të cilët më parë i kishte pasur miq. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se Shefqet Merra, i kishte mashtruar 3 personat që e kanë denoncuar, duke u marrë rreth 30 mijë euro, me pretendimin se do të investonte për të hapur një firmë ndërtimi dhe më pas do ua kthente paratë me një interes të lartë. Por pasi u kishte vjedhur lekët ai ishte zhdukur, duke mos ua kthyer më. Të njëjtën procedurë Merra ka përdorur edhe 5 vite më parë, duke u hequr si pedagog dhe duke përfituar nga fakti se i vëllai punonte si polic roje në Ministrinë e Arsimit.
VENDIMI I GJYKATËS
Më 31 mars të vitit 2008, Gjykata e Tiranës ka marrë një vendim në mungesë për 54-vjeçarin Shefqet Merra, i cili përfaqësohej nëpërmjet një prokure të posaçme nga avokati i tij, Adriatik Bakiasai. Pasi ishte kërkuar pothuajse në të gjithë vendin gjetja e tij, oficerët e Policisë Gjyqësore nuk kishin arritur të identifikonin vendndodhjen e Merrës, pasi familjarët pretendonin se ai ishte në Maqedoni. Ndërkohë kanë qenë 3 dëshmi kyçe që kanë fajësuar Shefqet Merrën, duke bërë që gjykata ta dënonte atë me 3 vjet e 6 muaj burg, me akuzën e mashtrimit në dëm të disa personave. E para ka qenë dëshmia e Anila Qorrajt, e cila në vitin 2004 ka qenë studente e Mjekësisë në vitin e dytë dhe është mashtruar nga Merra, i cili i ka marrë 50 mijë lekë të reja, duke i premtuar se do të ndërhynte për t’i dhënë provimin e mbartur. Një dëshmi tjetër ka qenë ajo e Behar Kalemit, prindi i një vajze që nuk kishte fituar konkursin e Infermierisë në vitin 2004 dhe Merra i kishte premtuar se po t’i jepte 400 mijë lekë të reja, vajza e tij do fillonte studimet, por që në fakt edhe ky ka qenë mashtrimi i radhës. Gjithashtu, kundër tij ka dëshmuar edhe një punonjëse e Ministrisë së Arsimit, tek e cila Merra i adresonte personat që mashtronte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›