E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunat e izoluara: Nuk kemi fonde për zhbllokimin e rrugëve

Ndërsa rrugët nacionale në Qarkun e Shkodrës kanë nisur të hapen, problem vazhdojnë të mbeten ato rurale, që lidhin fshatrat me komunat. Në Qarkun e Shkodrës numërohen 33 fshatra të izoluar në komunat e thella. Një shqetësim serioz për këto komuna është mungesa e fondeve për pastrimin e rrugëve. Kryetari i Komunës Qelëz, Marash Lola, kryetari i Komunës Fierzë, Nikë Nika, dhe ai i Komunës Qafë Mali, Artan Palushi, thanë dje për gazetën "Shqip" se në komunat e tyre nuk ka fonde që mund të përdoren për zhbllokimin e rrugëve. Sipas tyre, kjo ndodh edhe pse komunat kanë miratuar buxhetin për vitin 2009. Burokracitë kanë bërë që komunat e thella malore në këto ditë të vështira të mos kenë asnjë fond për situata emergjente, siç është bllokimi i rrugëve. Në këto kushte, ata tregojnë se janë duke u përdorur mjete primitive nga vetë banorët për të hapur rrugët rurale. Ndërkohë, me fonde private të vetë drejtuesve të komunës, po paguhen disa fadroma që po hapin rrugët, ose janë duke u marrë mjete private borëpastruese dhe është rënë dakord me personat që posedojnë këto mjete që të paguhen kur në komunë të vijnë fondet. Problemet financiare kanë bërë që ritmi i punës për hapjen e rrugëve të ulet ndjeshëm në zonat e thella malore. E njëjta situatë paraqitet edhe në Qarkun e Dibrës, ku pothuajse në të gjitha komunat, rrugët vazhdojnë të jenë të pakalueshme nga automjetet. Madje dje ka pasur segmente rrugore në rrugën nacionale që kanë qenë të vështirë për t‘u kaluar edhe me zinxhirë, si në vendin e quajtur "Gurët e Skënderbeut" në Bulqizë, për shkak të borës së grumbulluar nga era në këtë segment rrugor. Ndërkohë që banorët në 29 komuna të këtij qarku vazhdojnë të mbeten të izoluar vërehet pak përkushtim, për të mos thënë fare, nga strukturat e pushtetit vendor për pastrimin e rrugëve nga bora. Burime nga Këshilli i Qarkut të Dibrës bëjnë me dije se Ndërmarrja e Rrugëve Rurale Dibër ka ndërhyrë duke zhbllokuar kalimin e automjeteve në komunat Kala e Dodës, Sllovë dhe Selishtë, por era e fortë grumbullon borën duke e vështirësuar përsëri kalimin në to. Ndërsa në dy rrethet e tjera, Bulqizë dhe Mat, nuk ka pasur asnjë përpjekje nga ndërmarrjet e rrugëve rurale për lirimin e rrugëve. Madje ka edhe Komuna si Zerqani në Rrethin e Bulqizës dhe Komsia në Rrethin e Matit që lidhen me 5 dhe 4 kilometra me rrugën nacionale, që vazhdojnë të mbahen të bllokuara. Drejtuesit e komunave të izoluara, deri më tani nuk kanë bërë asnjë përpjekje serioze për daljen nga situata, pasi sipas tyre u mungojnë fondet për një gjë të tillë. Përkundër kësaj, nënprefekti i Bulqizës, Agim Perhati, thotë për "Shqip" se komunat disponojnë fondet e duhura për ndërhyrje në situata të tilla emergjente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›