E Diel, 1 Nëntor 2026

I ftohti “ngrin” marrëdhëniet familjare të shumë qytetarëve

03/03/2011  Shkurti, u plotësuan 10 kërkesë- padi për bashkëshortët e dhunshëm

KORÇE- Shkurti që sapo lamë pas dhe marsi që sapo ka trokitur, dy muajt më të ftohtë të qarkut të Korçës, të cilët u shoqëruan me temperatura të ulëta nën zero, kanë qenë po kaq të ftohtë dhe të akullt edhe për marrëdhëniet brenda familjes, veçanërisht për gratë, të cilave u ka qëlluar fati të jetojnë me bashkëshortë të dhunshëm. Numri i grave të dhunuara vazhdon të jetë i lartë nga muaji në muaj. Së fundi po evidentohet fakti se po shfaqen edhe gra të dhunshme, të cilat po ushtrojnë dhunë ndaj burrave të tyre. Megjithatë, nga dhuna brenda familjes nuk kanë shpëtuar as gjyshërit, të cilët kanë provuar dhunën psikologjike dhe fizike të nipërve të tyre, por as prindërit e moshuar, ku këta të fundit janë përballur me dhunën e fëmijëve. Megjithatë, nëse dhuna ndaj gjyshërve dhe prindërve përfshin raste të veçanta, e vërteta është se për shumë gra të qarkut në fjalë dhe në mënyrë të veçantë për gratë e qytetit të Korçës, jeta e tyre ka qenë një “dimër i acartë”, i shoqëruar shpesh dhe me mungesë të mjeteve për jetesë, gjë që e ka bërë dimrin e sivjetshëm edhe më të ashpër për këto familje.

Marrëdhënie “të ngrira”

Për mjaft familje tashmë marrëdhëniet mes bashkëshortëve mund të konsiderohet si “të ngrira”, ndërsa mbetet tepër e vështirë të parashikohet nëse këto gra do të shkojnë drejt zgjidhjes martesore ose jo. E vërteta është se temperatura e marrëdhënieve mes tyre ka zbritur disa gradë nën zero, ndërsa rikthimi i ngrohtësisë familjare duket se nuk do të jetë i lehtë. Deri më tani ishte vërejtur se kishin qenë gratë ato që dhunoheshin nga burrat e tyre, por së fundi po shënohen dhe raste të tera, ku janë gratë ato që po dhunojnë burrat, gjë që do të thotë se i ftohti ka përfshirë gjithë konstruktin e familjes, i cili po tronditet ose për shkak të xhelozive, të përdorimit të alkoolit apo të drogës, por edhe për shkak të mungesës së të ardhurave të mjaftueshme për tu përballur me jetën. Në raste të tilla sebepi i sherrit gjendet edhe atje ku nuk ekziston. Rasti më i fundit u shënua në qytetin e Korçës, ku shtetasja me inicialet N.L, 27 vjeçe, banuese në lagjen nr. 6 të këtij qyteti, la të plagosur bashkëshortin e saj, shtetasin E.L, 24, vjeç. Gjithçka kishte ndodhur pas një sherri për motive të dobëta, por pikërisht në këtë kohë, gruaja kishe goditur burrin e saj në kokë me mjete të forta duke e lënë atë të gjakosur. Tashmë ndaj kësaj gruaje ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

“Shkrirja” e marrëdhënieve

Nga sa është vërejtur deri më tani, “shkrirja” e marrëdhënieve “të ngrira” nuk ka qenë një proces i lehtë. Si burri dhe gruaja pas ankesave në polici apo në gjykatë kanë vijuar të mbajnë mëri dhe të fajësojnë njëri-tjetrin. I ftohti, me sa duket, ka hyrë edhe në shtratin bashkëshortor, pasi ka pasur dhe bashkëshortë që kanë gjetur si zgjidhje përfundimtare prishjen e kurorës së martesës. Vetëm gjatë muajit shkurt, 10 gra u paraqitën e komisariatet e policisë për të kërkuar lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, pasi dhunoheshin fizikisht dhe psikologjikisht nga burrat, ku në të njëjtën kohë10 burrave u është dashur të lëshojnë banesat e tyre dhe të largohen prej andej për aq kohë sa është vendosur në urdhrin e mbrojtjes së menjëhershëm. Duke ju referuar vetëm muajit të ftohtë të shkurtit, vërehet se marrëdhëniet “e akullta” kanë përfshirë kryesisht bashkëshortë të moshave nga 20 deri në 40 vjeç. Megjithatë, edhe pse raste të rralla, në marrëdhënie të tilla “dimërore” kanë hyrë edhe çifte të moshave mbi 60 vjeç. Gjithsesi deri më tani kjo ka qenë sinoptika e marrëdhënieve familjare për qarkun e Korçës, e cila me sa duket do të jetë e njëjtë edhe për muajt në vijim të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›