E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti polar deri në fund të shkurtit

Temperaturat nën minus 0 gradë
Celsius që kanë përfshirë vendin
tonë do të na shoqërojnë të paktën
deri në fund të shkurtit. Sipas parashikimit
të sinoptikanëve i ftohti polar që prej
rreth dy javësh qarkullon në rajonin tonë,
nuk do të largohet as këtë javë. Reshje
dëbore, temperatura të ulëta, era e ftohtë
dhe ngricat parashikohen të mbizotërojnë
këto ditë, njësoj si 24 orët që
lamë pas. "Një parametër problematik i
motit mbeten temperaturat e ulëta që
kanë përfshirë të gjithë territorin duke
shkaktuar ngrica nëpër akset rrugore, jo
vetëm në zonat malore, por edhe në
zonën e ulët. Në disa raste, ngricat janë
vrojtuar edhe në zonën bregdetare veriore",
sqaron Instituti i Parashikimit të
Motit "Meteoalb". Sipas vëzhgimit të sinoptikanëve,
episodi i reshjeve të dendura
të dëborës u vrojtua në pjesën më të
madhe të kontinentit evropian si rrjedhojë
e qarkullimit të masave ajrore polare
që ka përfshirë prej më shumë se dy javësh.
Ky lloj qarkullimi është i zakonshëm
në gadishullin Skandinav, në Evropën
Qendrore dhe Lindore dhe herë pas here
zbret deri poshtë në juglindje të kontinentit
në këtë stinë të vitit duke gjeneruar
sjellje ekstreme të atmosferës.
Vendi ynë do të ndikohet nga periferia
e presionit atmosferik të lartë. Në rajonin
tonë qarkullojnë masa ajrore të
paqëndrueshme, të thata dhe të ftohta.
Moti do të jetë me vranësira në të
gjithë territorin, më të theksuara në
verilindje dhe juglindje. Era do të fryjë
me shpejtësi 2-12 m/sek në drejtimin
lindje-verilindje. Valëzimi në bregdet
parashikohet të jetë 4-5 ballë.
Të paktën deri ditën e martë vendi
ynë do të vazhdojë të ndikohet nga vlera
të larta të presionit atmosferik. Moti do
të jetë me vranësira, si dhe intervale
kthjellimi, ndërkohë që pritet një rritje e
vlerave maksimale të temperaturave.
Temperaturat më të ulëta dhe më të larta
në qytetet kryesore për sot parashikohen
të jenë: Tiranë -1 dhe 8 gradë Celsius,
Kuçovë -5 dhe 11 gradë Celsius,
Korçë -7 dhe 2 gradë Celsius. Vlorë 0 dhe
11 gradë celsius.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›