I ftohti shkakton dy viktima në Korçë
Dy të moshuar me probleme kardiake ndërruan jetë për shkak të temperaturave të ulëta
I ftohti shënon viktimat e para në Korçë. Dy të moshuar kanë ndërruar jetë për shkak të problemeve me zemrën, të cilat janë përkeqësuar nga temperaturat e ulëta të ajrit. Mësohet se një prej viktimave është 77-vjeçari Th.Stefo. Ai u gjet i vdekur në banesën e vet në fshatin Drenovë të Korçës. I moshuari jetonte vetëm, ndërsa fëmijët i kishte në emigracion. Kanë qenë fqinjët e të moshuarit ata që pasi e kanë gjetur të pajetë kanë njoftuar menjëherë policinë dhe spitalin. Sipas të dhënave të fqinjëve, 77-vjeçari vuante nga zemra, ndërkohë që jetonte në kushte jo fort të mira ekonomike. Duke qenë i vetëm Th.Stefo përkujdesej për të gjitha punët e domosdoshme dhe shëndeti i tij ishte përkeqësuar ditët e fundit si pasojë e të ftohtit. Viktima tjetër e të ftohtit ka qenë një i sëmurë kardiak në qytetin e Korçës. Th. Andrea, 60 vjeç ka vdekur para një lokali në lagjen 3 të qytetit. Ai prej vitesh vuante nga zemra dhe mjekët kanë deklaruar se temperaturat e ulëta kanë ndikuar që ai të pësojë atak kardiak.
#