Vrasja e trefishtë, hetohet vetëm hakmarrja
Të tri viktimat veç e veç mund të kenë qenë objekt i atentatit, pasi kishin konflikte
Ende asnjë i ndaluar për ekzekutimin e tre personave në Durrës, ndërsa pista kryesore është ajo e hakmarrjes. Shërbimet e policisë menjëherë pas krimit të ndodhur natën vonë të së mërkurës kanë bllokuar daljet e qytetit bregdetar, kanë ngritur postblloqe në pika të ndryshme, si dhe kanë nisur kontrollet e të gjitha lagjeve përreth, por asgjë konkrete nuk është regjistruar as 24 orë pas vrasjes. Pista e krimit është e qartë për grupin hetimor, ajo e hakmarrjes, por kompleksiteti i figurës së njërit prej viktimave, Lanit, po dhe dy të tjerëve ka bërë që të mos jetë e lehtë gjetja e autorit. Të tre ishin fqinjë, përveç faktit se dy prej tyre kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Shtëpitë e Currëve dhe Shemsit ndodhen në të njëjtën rrugë, përballë njëra-tjetrës, pranë lokalit ku ndodhi krimi. Burime policore thanë për “Shqip” se vrasësi mund të jetë dhe një person i paguar për të kryer krimin dhe i panjohur nga ata që qenë të pranishëm në lokalin e basteve sportive në momentin e krimit. Gjakftohtë, ai ka qëlluar mbi tri viktimat dhe është larguar qetësisht dhe me shpejtësi me një motor që ndodhej pak metra larg lokalit. Ndërkohë, pasditen e djeshme familjarët, të afërmit e shokët përcollën për në banesën e fundit, rreth orës 16:00, Luan Currin 43 vjeç, nipin e tij, Ani Curri, 18 vjeç, gjimnazist dhe inxhinierin Edmond Shemsi, 49 vjeç, të tre banorë të lagjes nr.9 të qytetit të Durrësit, në lagjen që njihet si Lagjja e Re, pranë vendit të njohur “Te Gëlqerja”. Në lagje të frikësuar, banorët pranë lokalit të lotosportit ku ndodhi ngjarja flasin të tronditur për breshëritë që përshkuan natën e së mërkurës, duke marrë jetët e tre personave. Nën zë thonë se ngjarje të tilla priten kur mendojnë emrat e përfshirë në to. Policia e Durrësit gjithsesi nuk ka deklaruar një pistë zyrtare. Ndonëse paraprakisht policia ka deklaruar si objektiv të ekzekutorit 43-vjeçarin Luan Curri, nuk përjashtohen as konfliktet e viktimës tjetër Edmond Shemsi si ndërtues në Durrës. Hetimet janë shtrirë dhe te viktima tjetër e ngjarjes, 18-vjeçari Ani Curri, i cili mendohet të jetë viktimë e hakmarrjes për krime në të cilat kanë rezultuar të përfshirë familjarë të tij. Ndërsa Edmond Shemsi, 49 vjeç, pronar i një firme ndërtimi rezulton të ketë pasur borxhe dhe konflikte me blerës të apartamenteve të ndërtuara prej firmës së tij. Ngjarja kriminale është konsideruar mjaft komplekse dhe hetimet janë shtrirë në shumë drejtime por, që mbajnë një emër të vetëm: Hakmarrje.
#