E Diel, 1 Nëntor 2026

I ftohti vdes 44-vjecari i vetmuar

Moti i keq

I ftohti i acartë shënon viktimën e parë në qytetin e Korçës. Një 44-vjeçar ka gjetur vdekjen gjatë orëve të para të së shtunës. Kanë qenë fqinjët e tij ata që kanë konstatuar vdekjen e burrit, që jetonte i vetëm, dhe kanë lajmëruar policinë. Viktima Maksi Liko jetonte në kushte të vështira ekonomike në një dhomë të ish-konvikteve të një shkolle të mesme, ndërtesë e cila është përshtatur tashmë për familje në gjendje të vështirë ekonomike. Ai është gjetur i pajetë pas mesditës në dhomën e tij. Burri nuk ishte parë që prej pasdites së të premtes dhe fqinjët, të shqetësuar, kanë trokitur në derë. Kur Liko nuk është përgjigjur, ata kanë thyer derën e jashtme dhe janë përballuar me trupin e pajetë. Policia që ka shkuar në vendngjarje tha se vdekja e 44-vjeçarit ka ndodhur për shkaqe natyrale, edhe pse fillimisht u dyshua për ndonjë vrasje. Pas këqyrjes së trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune, çka ka përjashtuar pistën e vrasjes. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 44-vjeçari vuante nga probleme mendore dhe ishte i papunë. Ai jetonte krejt i vetëm e në kushte mjaft të vështira ekonomike. Madje nuk ka pasur mundësi të siguronte një mjet ngrohës në të vetmen dhomë ku jetonte, ndërsa ka të dhëna se abuzonte me pijet alkoolike. Dyshohet se vdekja e Likos ka ardhur si pasojë e të ftohtit dhe qëndrimit brenda në dhomë në kushte ekstreme varfërie. Temperatura nën minus 12 gradë Celsius kanë zotëruar gjatë ditëve të fundit netëve në qytetin e Korçës dhe kjo ulje e ndjeshme e temperaturave mendohet se ka ndikuar në vdekjen e 44-vjeçarit. Burimet zyrtare të Policisë së Korçës ende nuk kanë nxjerrë një variant përfundimtar të ngjarjes, megjithatë mendohet se shkak është bërë i ftohti i acartë. Ky nuk është rasti i parë që temperaturat e ulëta bëhen shkak për vdekjen e personave, kryesisht të moshuar. Kujtojmë që në fillim të këtij viti moti i ftohtë shkaktoi dy viktima në Qarkun e Korçës. Një burrë 60-vjeçar dhe një i moshuar që jetonte i vetëm gjetën vdekjen si pasojë e infarktit, të shkaktuar nga temperaturat e ulëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›