Irani shënon 31-vjetorin e revolucionit islamik

Irani ka arrestuar disa persona, të cilët kishin bërë përgatitje për të penguar manifestimet e nesërme, për nder të 31 vjetorit të revolucionit islamik në Iran, ka njoftuar sot policia iraniane, një vërejtje kjo e qartë për ithtarët e opozitës, të cilët kanë planifikuar protesta të reja.
Udhëheqësit e opozitës kanë kërkuar nga ithtarët e tyre që të dalin nesër nëpër rrugë, duke e shtuar kështu rrezikun për dhunë të re, tetë muaj pasi që zgjedhjet e kontestuara presidenciale e zhyten Iranin në krizë.
Autoritetet kanë theksuar se opozita pro-reformatore do të përballet me reagim të vendosur, nëse synon të “marrë peng” manifestimet e sponzoruara nga shteti për shënimin e revolucionit islamik.
Zyrtarët iranianë kanë theksuar se uniteti, i cili do të shpaloset gjatë këtyre manifestimeve, do të jetë një goditje në fytyrën e armiqve perëndimor të Iranit.
Manifestimi qendror do të jetë tubimi në sheshin qendror Azadi në Teheran, ku fjalim pritet të mbajë edhe presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad. Faqet e opozitës në internet kanë theksuar se kjo ditë i takon të gjithë iranianëve dhe kanë kërkuar nga ithtarët e opozitës që gjithashtu të dalin në rrugë.
“Jemi duke përcjellë me kujdes të gjitha aktivitetet dhe janë arrestuar disa persona, të cilët kanë planifikuar të pengojnë manifestimet më 11 janar”, deklaroi shefi i policisë iraniane, Esmail Moghaddam.