Spahiu: Aleanca Kuqezi po përgatitet për zgjedhje të parakohshme këtë verë
Drejtuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, thotë se ata po përgatiten për zgjedhje të parakohshme. Ne shpresojmë dhe kemi besim që vera e këtij viti do ti çojë shqiptarët në një qeverisje dhe alternativë të re. Aleanca Kuqezi po përgatitet për zgjedhje të parakohshme në verën e këtij viti dhe vlerësojmë se shqiptarët meritojnë një qeverisje kuqezi në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë. PD-ja dhe PS-ja tashmë i përkasin të shkuarës, tha Spahiu për gazetën Shqip.
Spahiu tha se nëse qeveria nuk garanton plotësimin e rekomandimeve të BE për procesin zgjedhor, atëherë ata do bllokojnë çdo proces zgjedhor. Nëse PS-ja dhe PD-ja kërkojnë të ruajnë stanjacionin, atëherë do të marrin një nga reaksionet më të panjohura në historinë e Shqipërisë. Ne do të bllokojmë çdo proces zgjedhor ku rezultati përcaktohet në tavolinë, tha Spahiu.
Drejtuesi i AK tha se lëvizja që përfaqëson ka disa kërkesa për kodin e ri zgjedhor. Mes tyre përfshihen ndryshime që 100 deputetë të dalin nga votimet zonale dhe 40 të përpjestohen nga shumatorja e votave në rang kombëtar, reduktim i qarqeve nga 12 në 6, njohja e votës për emigrantët, votim elektronik me gjurmë gishtash, që të mos ketë mundësi të votohet dy herë, numërimin elektronika ta menaxhojë një kompani e huaj e vendosur nga BE ose OSBE dhe tërheqje të urdhrit të Berishës për censurë mbi mediat që mbështesin qeverinë.
I pyetur për financimin e AK, Spahiu tha se është një sistem perfekt vetëfinancimi mbi kuotime të anëtarëve nga 1 deri në 10 euro.
