Zhdukja e studentëve çekë, bien dyshimet se i vrau Mican Çarku
06/06/2005 Asnjë provë materiale ndaj vrasësit të kushërirës, Mira Çarku Dosja delegohet në polici
Bien dyshimet ndaj shkodranit Mican Çarku, që mendohej se mund të ishte i implikuar në vrasjen e tre studentëve çekë, të cilët rezultojnë të jenë zhdukur, që prej shtatorit të vitit 2001, në zonën e Dukagjinit të Shkodrës. Mungesa e provave materiale, apo ndonjë dëshmie, ka bërë që ndaj Çarkut të mos ngrihet akuzë zyrtare dhe të përjashtohet nga hetimi. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se, dosja është pezulluar dhe i është deleguar policisë për zbulimin e elementeve të reja. Pas vrasjes së mësueses Mira Çarku, nga kushëriri i saj Mican Çarku, policia hodhi dyshimet fillestare se ky i fundit, ishte i implikuar edhe në zhdukjen e studentëve çekë. Kjo, pasi mësuesja ishte shoqëruesja dhe përkthyesja e çekëve, gjatë ekspeditave të tyre në vendet malore të Dukagjinit, dhe kishte krijuar një shoqëri të veçantë me ta. Por, mungesa e provave kundër Mican Çarkut, i cili vuan dënimin 15 vjeçar për vrasjen e kushërirës dhe mungesa e trupave të studentëve çekë, ka bërë që hetimet të pezullohen sërish, deri në gjetjen e ndonjë elementi të ri. Mican Çarku, së bashku me dy të burgosur të tjerë, u arratisën nga qelitë e paraburgimit të Shkodrës, dhe u kapën disa ditë më pas.
I dyshuari
Tre studentët çekë, të zhdukur tre vjet e gjysmë më parë, në zonën e Dukagjinit të Shkodrës, u dyshua se mund të ishin vrarë nga Mican Çarku, i cili është dënuar me 15 vjet, për vrasjen e kushërirës së tij, mësueses Mira Çarku. Nga hetimet disa vjeçare, dyshohet se motivi mund të jetë grabitja. E njëjta pistë, si në vrasjen e mësueses Mira, që ka qenë dhe mikja e tre studentëve. Agjentët e policisë kriminale, bënë lidhjen e dy ngjarjeve dhe ngritën dyshimin se Mican Çarku, mund të jetë vrasësi i tre të huajve. Por, i dënuari për vrasjen e kushërirës, nuk e ka pranuar asnjëherë të ketë bërë këtë vrasje dhe, ka pohuar se nuk di asgjë për atë që ka ndodhur. Ai ka pranuar vetëm vrasjen e kushërirës, për të cilën ka deklaruar se donte ta grabiste.
Hetimi
Para disa muajve, Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në Prokurorinë e Përgjithshme, rihapi hetimin për zhdukjen e tre studentëve çekë në shtator të vitit 2001, në Dukagjin të Shkodrës. Nga të gjitha hetimet e kryera deri tanimë, janë hedhur disa pista rreth zhdukjes së tyre. Dyshohet që ata të jenë vrarë nga ndonjë bandë grabitësish. Ekzekutimi i mësueses që i ka shoqëruar dhe mbajtur në shtëpi, e ka forcuar këtë pistë, pasi ajo mund të ishte dëshmitarja e vetme. Tjetër fakt që forcon dyshimin se ata mund të jenë ekzekutuar nga ndonjë bandë, është se mësuesja u ekzekutua nga kushëriri i saj, pas publikimit të lajmeve për fillimin e hetimit. Pista të tjera hetimi më të vakëta, kanë qenë ato se studentët çekë, mund të jenë sulmuar nga egërsirat, por sipas banorëve, një gjë e tillë ndodh shumë rrallë në verë. Ndërkaq, është dyshuar se eksploruesit mund të kenë rënë në ndonjë greminë dhe atje të jenë zhdukur. Por, ndonëse policia dyshoi se Mican Çarku mund të ishte i implikuar në zhdukjen e çekëve, ndaj tij nuk u arrit të sigurohet asnjë provë materiale, thonë burimet.
Studentët
Studentët çekë, dy vëllezërit Tavelko dhe mikja e tyre, Jenka Tauel, ishin të apasionuar pas ekspeditave malore. Për këtë qëllim, ato u futën në zonën e Dukagjinit, një javë pasi kishin mbërritur në Shqipëri. Në Dukagjin, ata janë parë nga banorët e zonës, në Shosh dhe në Shalë, si dhe në Theth. Në këtë zonë, të huajt kanë qëndruar te shtëpia e mësueses së fshatit, Mira Çarku, ku dhe kanë fjetur.
Mësuesja
Mësuesja e fshatit i ndihmonte ato dhe në përkthim, në komunikim, që të merreshin vesh me banorët. Me Mira Çarkun, tre të rinjtë krijuan një miqësi të veçantë, ndryshe nga të tjerët. Pas disa ditësh, ata janë larguar nga shtëpia e Mirës, në drejtim të zonës së Shalës, që është afër Thethit.
Gjurmët
Të tre studentët kishin qëndruar së pari, në fshatin Lotaj të Shalës, në Dukagjin. Ata janë parë për herë të fundit, nga i gjithë fshati, pasi kanë marrë pjesë në meshën e dhënë në kishën e fshatit. Më pas, tre eksploruesit nuk janë parë më dhe kanë humbur gjurmët. Kërkimet dhe ekspeditat e shumta janë organizuar nga policia dhe vullnetarë vendas e të huaj, por asnjëra nuk mbërriti në adresën e fundit të të zhdukurve. Sipas hetuesve që kanë janë marrë me çështjen, gjurmët e tyre humbasin në Lotaj të Dukagjinit.
Mican Çarku dhe dy të tjerë, u arratisën nga qelitë e paraburgimit
Të dënuarit Mican Çarku, Arben Nika dhe Bujar Daka, u arratisën nga qelitë e paraburgimit në Shkodër, disa muaj më parë. Rreth orës 03.00 të mëngjesit të asaj nate, është dhënë alarmi nga pononjësi i shërbimit që ruante në oborr, i cili kishte dalluar se dera që të shpie te korridori i të paraburgosurve, ishte e hapur. Pas alarmit, forcat e policisë janë futur nëpër dhomat e të paraburgosurve dhe nga numërimi i tyre, kanë vërejtur mungesën e tre të dënuarve. Verifikimi i menjëhershëm i emrave, nxori se në qelitë e paraburgimit mungonin, Arben Nika, Bujar Daka dhe Mican Çarku. Deri në mesnatë, sipas policisë, kishte qenë gjithçka në rregull dhe arratisja mendohet të jetë kryer rreth orës 02.00. Pas disa ditësh kërkime, të arratisurit u kapën dhe u rikthyen në qeli.
Micani e vrau kushërirën, pasi u gjet prej saj duke grabitur
Pak kohë pas zhdukjes së tre studentëve, vritet në shtëpinë e saj, mësuesja Mira Çarku, që i kishte shoqëruar dhe mbajtur në shtëpi të huajt. Vrasja është kryer nga kushëriri i saj, Mican Çarku, i cili vuan edhe dënimin për këtë krim. Ajo është ekzekutuar me një pistoletë të tipit TT. Në momentin e vrasjes, Mira ka qenë vetëm në shtëpi, pasi nëna e saj kishte shkuar në një varrim. Ajo është qëlluar me dy plumba në gjoks, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi është kthyer nëna nga varrimi dhe ka gjetur vajzën e vdekur, është marrë vesh vrasja e Mira Çarkut. Autori i vrasjes, Micani, pasi ka kryer krimin, ka marrë pjesë dhe në varrimin e viktimës, kushërirës së tij. Mënyra e sjelljes së Micanit, ka bërë që policia të dyshojë mbi të. Gjurmët e gishtërinjve të Micanit, u gjendën në banesën e viktimës dhe ai pranoi të ketë vrarë kushërirën, duke treguar ku kishte fshehur armën. Vrasësi ka pranuar para gjykatës se e kishte bërë krimin, për motivin e grabitjes, pasi e kishte pikasur kushërira për të cilën, nuk mendonte se ishte në shtëpi në atë moment.
KRONOLOGJIA
16 gusht 2001
Eshtë regjistruar telefonata e fundit që tre studentët çekë kanë bërë me prindërit e tyre.
8 shtator 2001
Tre studentët janë parë nga njerëz të shumtë në fshatin Mes, që ndodhet vetëm 6 kilometra në veri të Shkodrës, pa hyrë në zonën malore të Dukagjinit.
15 shtator 2001
Ambasada Çeke në Tiranë, i bën një kërkesë zyrtare policisë shqiptare, për të nisur kërkimin e të humburve.
8 tetor 2001
Nga Çekia vjen në Shkodër, një ekspeditë kërkimi në zonën e Dukagjinit, derisa humbasin gjurmët. Kërkimi vazhdon deri më 20 tetor, duke marrë fund pa dobi.
9 tetor 2001
Në Shkodër vjen nga Çekia, nëna e dy vëllezërve të humbur, e cila organizon një ekspeditë private, por edhe kjo nuk dha rezultat.
15 tetor 2001
Shteti shqiptar akordon një shpërblim prej 40 mijë dollarësh, për këdo që jep një sinjal, për gjetjen e tre studentëve.
15-30 tetor 2001
Organizohet një ekspeditë kërkimore nga policia, ushtria, ku është përdorur edhe helikopteri, duke kontrolluar zonën, nga Shkodra deri në Tropojë, si dhe në zonën e Dukagjinit. Por edhe ky kërkim nuk solli rezultat pozitiv, për gjetjen e tre të rinjve të humbur.