Tiranë, 67-vjeçari i jep fund jetës
Rikthehen rastet e vetvrasjes. 67-vjeçari Gëzim Çome i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së martës në Tiranë, në rrugën “Gani Domi”, shumë pranë shkollës "Kushtrimi i Lirisë".
Viktima u gjet nga fqinjët e tij në apartamentin e ndodhur në katin e 4-t të një pallati, ku ai jetonte i vetëm. Ndërkohë policia mbërriti në vendngjarje pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton se shkak i vetflijimit të viktimës është bërë gjendja e rënduar e shëndetit mendor.
Trupi i pajetë i 67-vjeçarit i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, çka do të hedhë dritë mbi shkaqet dhe rrethanat në të cilat Gëzim Çome i ka dhënë fund jetës.
Po ashtu nga ana e grupit hetimor po merren në pyetje edhe personat të cilat kanë kontaktuar viktimën për herë të fundit.