I kam një borxh atij Qeni
Sami MILLOSHI
Jemi përballë televizorit. Këtu. Domethënë, ëtu në Amerikë. Nuk jemi Aje. Domethënë, tje në Shqipëri. Ekrani i televizorit është i madh, shumë i madh. Këtu. Atje e kishim shumë më të vogël se këtu. Dhe pamja e figurës këtu është kaq e qartë, sa mua më kujtohen ujërat e lumit të Valbonës. Atje, Valbona është atje, jo këtu. Qartësisë së figurës këtu i thonë "High definition". Në Shqipe, atje, fjalë për fjalë do të përkthehej: "Përcaktim i lartë". Por unë do t'i qendroja krahasimit me kthjelltësinë e lumit të Valbonës. Valbona është atje. Valbona nuk është këtu...
Në ekran shfaqet një reklamë. Reklama titullohet "Pedy pavs". Shfaqet një qen me thonj të paprerë. Zonja, që bën reklamën, na tregon se me gërshërë tradicionale ti mundet gabimisht të presësh edhe mishtë e majës së gishtit të qenit. Dhe ajo na kumton se ky është një tmerr, një mëkat i madh. Këtu. Jo Atje. Por zonja na ofron një pajisje, që quhet "Pedy Pavs" e që bën mrekullinë: edhe thonjtë e qenit i pret, edhe nuk e dëmton. Këtu. Jo Atje.
Atje do të dukej luks i madh dhe marrëzi ta transmetoje një reklamë të tillë.
Njeriu që kam në krah, i lumturuar nga mrekullia e reklamës, thote: "Më mirë qen këtu, se sa njeri atje." Unë, që nuk e di pse nuk jam kaq i shpejtë për të reaguar, përpiqem të fshij pështymën, që m’u duk sikur ma hodhi në fytyrë. Këtu. Jo atje. E kotë. Askush nuk më ka pështyrë, veçse ashtu m’u bë. E mbledh veten. Jam Këtu. Jo Atje. Përpiqem të them atë që duhet thënë. Këtu. Jo Atje. Dhe them: "Jo, është mirë të jesh njeri edhe këtu, edhe atje." Të jesh njeri Këtu. Të jesh njeri edhe Atje.
Të jesh njeri këtu është po kaq e vështirë, sa të jesh njeri atje. Ndërsa të jesh qen Atje, kuptohet është më e vështirë sesa të jesh qen këtu. Jam me mijë përqind i sigurt se nuk është nevoja ta shpjegoj se pse qeni Këtu është më i privilegjuar se Atje. Më vjen keq për qentë e Atjeshem. Njëlloj siç më dhimbset një njeri i dashur Këtu. Por gjërat meritojnë të thuhen me emrin e vet. Ne nuk kishim (siç thuhet në mënyrë formale) "statusin e qenit" Atje. Dhe ne nuk i hipem avionit për t'u bërë njerëz Këtu. Dhe unë besoj se askujt nuk duhet t'i shkojë nëpër mend se, po ta ketë shndërruar vetveten në qen Këtu, kur të shkojë Atje, do ta presin si njeri. Jo dhe jo. Harrojeni këtë. Do ta presin si qen. Sepse Atje Njerëzit vazhdojnë të jenë Njerëz dhe e dinë shumë mirë se cili është dallimi në mes Njeriut dhe Qenit.
Këtu nuk kam qen. As atje nuk kam patur kurrë. Ku ta mbaje, edhe po ta kishe. Dy dhoma e guzhinë në parafabrikat ishin si "këpucë që vrasin" edhe për njerëzit, jo më të pretendoje të merrje edhe një qen brenda. Por , ju lutem, mos më keqkuptoni. Kurrë nuk i kam denigruar qentë. As Atje. As Këtu. Sepse kam respekt për shprehjen e Atjeshme: "Punon si qen." Domethënë, punon shumë. Këtu është absolutisht e pamundur ta përdorësh këtë shprehje. "He works as a dog." Do të bëheshe qesharak, i pakuptueshëm. Madje, mund ta fyesh njeriun që ka qen. Këtu bëhen edhe konkurse qensh. Kurse Atje...
Eh, Atje... Atje, në një shtëpi private me qerpiç, është një qen i komshiut tim, të cilit i kam një borxh të madh. I kam borxh atij qeni, sepse më zgjonte shumë herët në mëngjes në ato kohëra të vështira, kur më duhej të ngrihesha shpejt me dy shishe qelqi për të zënë radhë për qumësht. E lehura e atij qeni më bënte nder të madh. Herët në mëngjes. Atje. Jo Këtu. Ai qen, po, e meriton t'ia blejë një "Pedy Pavs" Këtu. Sepse kishte meritën të më zgjonte herët që unë pastaj, si gjithë të tjerët, të punoja shumë. SI QEN. I kam borxh atij Qeni. Askujt tjetër!
19 Tetor 2008