I kam partnerët
Hashim Thaçi po përpiqet t’i harrojë sa më shpejt zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Rivotimi parcial për të cilin vendosi KQZ’ja, nuk ia ka prishur disponimin.
Ai është konfident se do të dalë sërish fitues më 9 janar, në komunat ku pati më së shumti keqpërdorime të votës.
Lideri i PDK’së, në një intervistë për Express, thotë se aktualisht po merret vetëm me krijimin e Qeverisë së re. Pohon se puna e madhe ka përfunduar dhe lë të kuptojë se në fund të janarit do të miratohet Qeveria e re.
Express: KQZ’ja vendosi të çojë në rivotim Skenderajn, Drenasin, Deçanin. Çfarë ndodhi në Drenicë? A kishte PDK’ja plan për t’i manipuluar votat atje me qëllim të rritjes së saj në nivel nacional?
Thaçi: Unë e vlerësoj lart organizimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Standardet më të larta ndërkombëtare u arritën. Ashtu edhe u vlerësuan nga vëzhguesit e ENEMO’s, nga Shtetet e Bashkuara, nga Baronesha Ashton dhe z. Fule. Problematikat e izoluara nuk mund ta prishin hijeshinë e këtyre zgjedhjeve. Mund të them se vendimet e KQZ’së janë të drejta për të respektuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Por, nëse dikush është dëmtuar në këto dy komuna, ajo është Partia Demokratike e Kosovës dhe elektorati ynë. Mund të them se kemi të bëjmë me një prapavijë të qartë politike - të koordinuar dhe të planifikuara nga i gjithë spektri politik kosovar, një plan ky për t’i goditur bastionet e PDK’së.
Express: Pra, ju po mohoni mundësinë se kishte plan të PDK’së për ta rritur përqindjen e votave nacionale nga Drenica?
Thaçi: Në asnjë rrethanë. Jo. Numri i votuesve të PDK’së në Drenas dhe Skenderaj gjithmonë ka qenë konstant, me fitore bindëse, të thellë, por ka qenë një veprim i menduar dhe i koordinuar i spektrit politik kosovar.
Express: Çfarë do të thotë për PDK’në, nëse më 9 janar nuk dalin mbi 90 për qind e elektoratit të Drenicës në zgjedhje?
Thaçi: Më 9 janar votuesit e PDK’së do të dalin edhe më masovikisht.
Express: Ju keni bërë thirrje në Skenderaj që të dalin masivisht në zgjedhje. A mendoni se ju keqkuptuan bashkëvendësit tuaj?
Thaçi: Unë u kam bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje. Prandaj, unë i përgëzoj të gjithë votuesit e të gjitha partive politike që dolën në zgjedhje. Thirrjet e mia u janë dedikuar të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake.
Express: A ju vjen keq, z. Kryeministër, që vendi nuk po arrin të organizojë zgjedhje të mira. Çfarë keni bërë ju për ta ndryshuar këtë gjendje?
Thaçi: Këto zgjedhje janë vlerësuar lart nga të gjitha autoritetet ndërkombëtare. E ritheksoj se ndonjë veprim i izoluar nuk mund të ndikojë në madhështinë e këtyre zgjedhjeve. Ne duhet t’u besojmë institucioneve të pavarura të cilat kanë vendosur t’i çojnë në rivotim tri komuna.
Express: Ka pasur media ndërkombëtare që kanë konstatuar se në Kosovë kishte “vjedhje industriale të votave...”
Thaçi: E gjithë bota e ka vlerësuar shumë lart këtë proces. Por unë dua të them se aty ku ka pasur keqpërdorime nuk do të lejohet të tjetërsohet vullneti i qytetarëve të vendit. Do të jemi të pakompromis ndaj gjithë atyre që kanë bërë keqpërdorime. Unë kam qenë lideri i parë që kam kërkuar nga KQZ’ja dhe PZAP’i që të shqyrtojë me vendosmërinë më të lartë procesin zgjedhor.
Express: Ka pasur përfolje edhe për vjedhje të votave përbrenda partive...
Thaçi: Unë i besoj plotësisht vullnetit qytetar. Por dua të them se mund të ketë ndonjë zhgënjim, ndonjë pakënaqësi të njerëzve që nuk kanë fituar. Është e drejtë e secili, edhe atyre brenda partive, që t’u drejtohen organeve kompetente kushtetuese dhe ligjore.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...