Rahoveci i Ramushit
Partia e Ramush Haradinajt ka fituar të dielën garën për Kryetar të Komunës së Rahovecit, duke e mposhtur Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kandidati i AAK’së, Smajl Latifi, është votuar më së shumti nga rahovecianët, duke marrë 55.72 për qind ose 10 mijë e 401 vota nga gjithsej 19 mijë 525 votues, sipas koalicionit të OJQ’ve “Demokracia në Veprim”.
Humbësi i garës, Ibrahim Kryeziu, i LDK’së ka pranuar rezultatet e votimit, por ka hedhur dyshime për manipulime gjatë ditës së votimeve.
LDK kishte dalë e para në raundin e parë të zgjedhjeve, më 21 nëntor. Megjithëkëtë rezultatet u përmbysën dhe fitues doli kandidati i partisë së dytë.
Fitorja e AAK’së në Rahovec e çon në gjashtë numrin e komunave të fituar nga partia e Ramush Haradinajt, pas Deçanit, Pejës, Gjakovës, Suharekës dhe Junikut.
Kandidati i LDK’së, Ibrahim Kryeziu, i ka uruar fitoren kandidatit të AAK-së, Smajl Latifi. Ka dhënë edhe konstatimet e para pse e ka humbur garën.
"Kanë qenë të gjithë bashkë. AAK’në e kanë ndihmuar PDK’ja me Vetëvendosjen”, ka thënë Kryeziu, i cili është mbështetur nga AKR’ja e Behgjet Pacollit.
“Ka qenë dita e mobilëve dhe e pompave të benzinës", ka thënë Kryeziu, i cili ka marrë 8.264 vota ose 44.28 për qind të votave të rahovecianëve.
Kryetari i ri i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë vetëm fjalë të mira dhe ka falënderuar bashkëvendësit për besimin e dhënë. Mirëpo, ish-kryetari i Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim, Latifi, fitoren e tij ia dedikon dikujt tjetër.
"Është një fitore e popullit të Rahovecit dhe i dedikohet Ramush Haradinajt", ka thënë Latifi, pak minuta pas publikimit të rezultateve nga “Demokracia në Veprim”.
Fitoren e kandidati të AAK’së e ka shpallur para kohe Besnik Tahiri, i cili ka qëndruar gjatë tërë ditës në Rahovec.
Numri i votuese që kanë dalë të dielën për ta dhënë votën e tyre në Rahovec ka qenë më i ulët për një për qind, krahasuar me raundin e parë.
Sipas KQZ’së deri në orën 19 në zgjedhje kanë dalë 19 mijë e 525 votues apo 39.63 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka e ka vlerësuar procesin elektoral si të mirë, pavarësisht se partitë politike kanë bërë disa ankesa.
Ajo iu ka bërë thirrje LDK’së dhe AAK’së që t’i drejtohen Panelit për Ankesa dhe Parashtresa nëse kanë fakte se në ndonjë qendër votimi ka ndodhur ndonjë manipulim.
“I tërë procesi zgjedhor në Rahovec ka qenë i qetë dhe pa incidente”, ka thënë Daka, në konferencën e katërt për media, të mbajtur pas mbylljes së votimeve në Rahovec.
Gjatë ditës zyrtarët e LDK’së dhe AAK’së kanë dhënë deklarata për parregullsi gjatë procesit të votimeve. LDK ka akuzuar AAK se po blen vota.
Sipas LDK’së, vëzhgues të partisë së Ramush Haradinajt janë parë duke blerë vota për kandidatin e kësaj partie për kryetar. Po ashtu, sipas kësaj partie, janë shpërndarë mbushje telefonash nëpër qendra votimi dhe është kërkuar që të votohet kandidati i AAK’së.
Por kjo është mohuar nga Besnik Tahiri i AAK’së.
Për blerje të votave, ai ka treguar një adresë tjetër.
“AAK nuk është koalicion me Pacollin t’i blejë votat dhe nuk e kemi absolutisht asnjë tendencë, asnjë synim”, ka thënë Tahiri.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Rahovec u organizuan pas dorëheqjes dhe rikthimit të paligjshëm të Qazim Qeskës së PDK’së në krye të Komunës.
Për “rastin Qeska” ishte akuzuar edhe Kryeministri Hashim Thaçi.
Fjalët e kandidatëve
Dy kandidatët për kryetar të Komunës së Rahovecit kanë votuar në vendlindjet e tyre. Ibrahim Kryeziu i LDK’së ka votuar në Xërxë, derisa Smajl Latifi në Ratkoc.
“Ftoj të dalin masovikisht në zgjedhjet të shfrytëzojnë të drejtën qytetare, sepse edhe perëndia e ka bekuar sot këtë ditë me mot të mirë", ka thënë Kryeziu.
Smajl Latifi ka kursyer fjalët pas hedhjes së votës. "Është ditë e mirë, presim ditë më të mira", ka thënë ai.