E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama takim me prokurorin e SHBA-ve

TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në përfundim të vizitës së saj në SHBA, zhvilloi një takim me homologun e saj, Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, Michael Mukasey, si dhe me përfaqësues të organit të Akuzës pranë Gjykatës Supreme të SHBA-ve, sipas zyrës së shtypit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Në takim merrte pjesë edhe Alice S. Fisher, asistente e prokurorit të Përgjithshëm në sektorin e Përndjekjes së Krimeve. Gjatë këtij takimi u diskutua për fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Z. Mukasey i dha znj. Rama garancitë e tij dhe të institucionit që drejton në lidhje me bashkëpunimin, duke theksuar se të dyja institucionet punojnë për të njëjtën gjë, pra që të dyja vendet të kenë sa më tepër rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Gjatë vizitës në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, znj. Rama pati një takim me përfaqësuesen e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, që ushtron funksionet e kësaj instance pranë Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, Crolyn Dubay, si dhe me shefin e zyrës së ndihmësve të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Biseda pati kryesisht karakter informativ në lidhje me mënyrën e funksionimit të Gjykatës së Lartë si dhe të statusit të gjyqtarëve të lartë në SHBA. Gjatë konkluzioneve të vizitës me ndihmësasistentin e prokurorit të Përgjithshëm në sektorin e Përndjekjes së Krimeve, Bruce Sëartz, u përcaktuan pikat e kontaktit për bashkëpunimin në të ardhmen dhe çështjet prioritare të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Fjala është për shkëmbimin e ndërsjellë të informacioneve dhe bashkëpunimin në funksion të luftës kundër krimit të organizuar si dhe krimit ekonomik dhe korrupsionit. Në përfundim të vizitës, pala amerikane i konfirmoi znj. Rama, që zyra e prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë mund të marrë përmes zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë të asaj të SHBA-ve të gjitha informacionet e nevojshme për hetimet. Po ashtu u bë e ditur se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve ka emëruar znj. Cynthia Eldridge si prokurore, e cila do t’i atashohet njësisë së përbashkët hetimore të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›