I kundërvihet Gjykatës për zbutjen e masës së sigurisë ndaj mjekut urolog Dautaj
Prokuroria
Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun urolog Kastriot Dautaj. Vendimi më i fundit është dhenë dje, pasi sipas gjyqtarëve mjeku urolog nuk paraqet rrezik dhe masa e sigurisë për të duhet të ulet. Por menjëherë pas kësaj prokurorët e çështjes kanë reaguar ashpër. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se qëndrimi i gjykatës është i jashtëligjshëm. Po kështu të njëjtat burime thanë se hetimet kundrejt mjekut Dautaj janë të qarta dhe të pakundërshtueshme për të mos ulur masën e dënimit të mjekut të QSUT-së. Ndërkohë, Dutaj është mbrojtur seancën e parë duke u shprehur: “Nuk kam kërkuar para për operacionet. Babai i pacientes m’i ka futur vetë lekët në xhep pas operacionit të kryer dhe unë as që pashë. Po ta dija se kisha para në xhep, kur mësova se po më priste një oficer policie, do t’i kisha hequr nga xhepi”, - u mundua të mbrohej para togave të zeza dhe të kundërshtonte akuzat e prokurorit të çështjes, Dritan Rreshka, mjeku i akuzuar për ryshfet dhe i arrestuar në flagrancë gjatë operacionit të koduar “Veshka e humbur”. Ndërkohë që gjatë seancës së masës së sigurisë ku ai mori masën e “arrestit me burg”, mjeku u mundua të justifikonte edhe sasinë e madhe të parave të gjetura në dy llogaritë bankare. Sipas tij, ato para janë fryt i 40 viteve punë të tij dhe bashkëshortes, 4 rrogat që merrte si mjek edhe në klinika, si dhe prurjet e dy djemve që kishte në Amerikë. Arrestimi i tij u bë pas 6 muajsh përgjime, të nisura nga policia fill pas denoncimeve të një pacienteje se doktori merrte shuma të konsiderueshme parash për një operacion të kryer. Madje, ndaj tij rëndon edhe një akuzë për shitjen në Kosovë të veshkës së një shtetaseje, e cila as që kishte dijeni për heqjen e saj. Mjekut urolog iu gjetën në momentin e arrestimit 50 mijë lekë të reja, të cilat i ishin dhënë me dëshirë nga babai i pacientes së sapooperuar.