E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Greqi, ekzekutohet me pistoletë në kokë emigranti shqiptar



Policia greke: Dyshohet për larje hesapesh

Viktima, emigranti 42-vjeçar Agron Beqiri

Është qëlluar sapo ka zbritur nga automjeti i tij, ndërsa autori është zhdukur me vrap mes errësirës. Agron Beqiraj, 42 vjeç, emigrant shqiptar në Greqi, është ekzekutuar me pistoletë me një plumb në kokë para shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, kur dëshmitarët në vendngjarje kanë treguar se dikush i është afruar shqiptarit, ka qëlluar një herë dhe më pas është larguar me shpejtësi në errësirë. Ngjarja është pasqyruar gjatë ditës së djeshme në mediat fqinje, ku sipas të cilave, vrasja ka ndodhur në Kalithea, në rrugën “Platonos dhe Elektras” dhe se dëshmitarë të rastit kanë transportuar emigrantin për në spital, por fatkeqësisht ky i fundit nuk ka mundur t’i shpëtojë plagës së rëndë të marrë në kokë. Sakaq, policia greke ka filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes. Sipas të dhënave të para të policisë fqinje të bëra publike në mediat vendase, dyshohet se motivi i vrasjes është ai i larjes së hesapeve mes bashkëkombësve. Megjithatë, policia tha se ekspertët e krimeve janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së tipit mafioz. Një burrë 42-vjeçar, emigrant nga Shqipëria, është ekzekutuar me armë zjarri në orët e para të ditës së djeshme. Sipas raportimit nga mediat helene gjatë ditës së djeshme, mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 02:00 pas mesit të natës në Kalithea, në rrugën “Platonos dhe Elektras”, kur emigranti 42-vjeçar u qëllua me armë zjarri në çastin kur ai po dilte nga makina e tij. Me ardhjen e policisë, dëshmitarët kanë treguar se një person i ishte afruar shqiptarit dhe kishte hapur zjarr me pistoletë.

Sipas dëshmitarëve, ata e kanë dërguar të plagosurin në spitalin “Evagjelizmo”, kurse autori u zhduk duke vrapuar në errësirë mes lagjeve, në përpjekje për të humbur gjurmët. Pas ngjarjes, policia greke e Kalitheas ka zbuluar se bëhet fjalë për emigrantin shqiptar, 42-vjeçarin Agron Beqiraj, i cili ndodhej prej disa kohësh në këtë qytet me dokumente të rregullta. Megjithatë, policia ka bërë me dije se po punon me synim marrjen në pyetje të të njohurve të tij në shtetin grek, për të mësuar më shumë për lidhjet e tjera shoqërore mes viktimës dhe personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. Në këtë pikë, policia ka bërë të ditur nëpërmjet mediave se dyshimet e para janë për një ekzekutim të tipit mafioz për larje hesapesh mes bashkëkombësve, megjithëse ngjarja po hetohet me intensitet për të zbardhur sa më shpejt motivet e vërteta të vrasjes së emigrantit tonë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›