E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në pallat, 50 banorë izolohen mes flakësh



Banorët janë evakuuar falë ndërhyrjes së forcave speciale RENEA, pasi veç vonesës së zjarrfikësve, ndërtimet e shumta nuk lanë mundësi për shuarjen e zjarrit

Nuk e kanë kuptuar se ç’po ndodhte, edhe pse bloza, tymi dhe flakët ngjiteshin gjithnjë e më shumë drejt ballkoneve të apartamenteve të tyre. Rreth orës 09:30 të mëngjesit të djeshëm, banorët e një pallati 15-katësh në “Rrugën e Kavajës”, pranë Kishës Ortodokse në kryeqytet, janë tmerruar kur një zjarr i rënë papritur në bodrumin e katit të parë ka rrezikuar seriozisht jetën e dhjetëra familjarëve. Menjëherë në dijeni është vënë policia, e cila nuk ka vonuar të mbërrijë në vendngjarje si dhe më pas makinat e zjarrfikësve.

Brenda pak minutash policia ka bërë kufizimin e zonës dhe marrjen e masave të sigurisë, por me sa duket, situata ka qenë më e ndërlikuar se ç’pritej. Me gjithë përpjekjet me pompat dhe zorrat e ujit, zjarrfikësit e kanë pasur krejtësisht të pamundur për të depërtuar deri në epiqendrën e vatrës së zjarrit. Për këtë arsye, policia ka thirrur për ndihmë forcat speciale të RENEA-s, ku menjëherë në vend janë dukur përforcimet e para.

Me anë të një skele që ndodhej në anën e prapme të pallatit, specialet janë ngjitur deri në katet e sipërme të pallatit, për tek banorët që tashmë ishin të gjithë të dalë në ballkone, mes tymit që sa vinte e kacavirrej për lart.

Në pallat nuk kanë munguar as thyerjet e disa xhamave të fasadës nga policia, për nxjerrjen e banorëve që ndodheshin të izoluar. Ndërkohë që me manovrat e tyre forcat RENEA të lidhur me litar, janë bërë dhe këtë herë protagonistë të shpëtimit të jetës së plot 50 personave.

Kështu, burra e gra, të moshuar e deri tek fëmijë të mitur, janë zbritur në mënyrë profesionale të lidhur me litar nga ballkonet ku ndodheshin deri në tokë.

Për këtë, Policia e Tiranës ka thënë se masat e tilla janë pas vlerësimit të situatës dhe me qëllim parandalimin e ndonjë rreziku të mundshëm. U realizua evakuimi i të gjithë banorëve në pallat për nxjerrjen nga banesat e tyre, duke ndërhyrë menjëherë në nxjerrjen e tyre nga tarraca dhe ballkonet.

Megjithatë, si pasojë e tymit të dendur, nuk kanë mbetur pa u shënuar dhe të asfiksuarit e parë. Ndonëse nga zjarri nuk ka të lënduar, por vetëm materiale, gjatë operacionit të evakuimit policor një grua nuk është ndier mirë, por pas ndihmës së parë të dhënë, e reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Operacioni ka vazhduar për më se dy orë, derisa rreth mesditës shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencës kanë bërë të mundur shuarjen e plotë të zjarrit.

Nga ana tjetër, në vendngjarje, drejtues të Policisë së Tiranës si dhe grupi hetimor, ka punuar për kryerjen e veprimeve procedurale, dokumentimin e ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave e shkakun e rënies së zjarrit.

RENEA

Specialet hyjnë mes flakëve për të shpëtuar të izoluarit

Vetëm ndërhyrja e forcave të repartit special RENEA ka mundur të nxjerrë nga ballkonet ku qëndronin të izoluar me dhjetëra banorë të pallatit poshtë Kishës Ortodokse në kryeqytet. Pas njoftimit të tyre nga drejtuesit e Policisë së Tiranës, disa forca speciale nuk kanë vonuar t’i përvishen punës për evakuimin e familjarëve që prisnin me ankth në disa metra lartësi. Kështu, disa prej efektivëve RENEA kanë përdorur një skelë që ndodhej për rindërtimin e pjesës së prapme të pallatit ku kishte rënë zjarri dhe me anë të saj janë ngjitur deri në katet e sipërme. Më pas, të lidhur me litar dhe me manovra speciale, ata kanë lidhur duke mbajtur pas vetes burra, gra, të moshuar e deri tek fëmijë të mitur. Në total, mësohet se specialet kanë mundur të shpëtojnë me sukses në këtë situatë të vështirë plot 50 persona, të cilët shihnin të tmerruar flakët se si kacavirreshin deri në ballkonet e tyre.

Zjarrfikëset

Makinat nuk kanë hyrë dot në vatrën e zjarrit

Ndonëse banorët janë ankuar se zjarrfikëset nuk kanë mbërritur shpejt pas lajmërimit për rënien e zjarrit, makinat e kësaj të fundit nuk kanë mundur dot as të depërtojnë në vatrën e flakëve. Në të vërtetë, një gjë e tillë jo për shkak të dëshirës së tyre, sesa për mungesën e rrugës së lirë. Sipas punonjësve të forcave të MNZ-së së Tiranës, konstrukti i papërshtatshëm i pallatit si dhe i objekteve të tjera rreth tij, nuk linin asnjë mundësi që makinat të hynin deri në vendin ku duhet të ishin. Megjithatë, këta të fundit kanë bërë të mundur ndonëse në distancë, që me anë të zorrave të trasha të ujit që dispononin në mjetet e tyre, të vinin nën kontroll flakët në bodrumin ku ndodhej gjeneratori i sistemit të kondicionimit, nga dhe ku kishte shpërthyer zjarri. Pas kësaj, nga ana e tyre zjarrfikësit janë akuzuar se ky nuk është rasti i parë që ndodh një gjë e tillë, por se anembanë kryeqytetit ka pallate të tilla pa asnjë rrugëdalje për banorët në kushte të tilla rreziku.

Pallati

Asnjë shkallë emergjence për shpëtimin e banorëve

Ngjarja e djeshme duket se ka sjellë në vëmendje tmerrin e disa muajve më parë, kur në qendër të Bllokut, pikërisht në pallatin e “Abissnetit”, banorët e pallatit 10-katësh në rrugën “Nikolla Tupe” përjetuan rënien e një zjarri për shkak të zjarrit që ra në gjeneratorin e mbuluar nga letrat prapa “Buda-Bar”. Ashtu si atëherë, zjarri i djeshëm solli në vëmendje domosdoshmërinë e shkallëve të emergjencës, masë kjo e detyrueshme në çdo ndërtim të ri të tipit modern. Por, në realitet, as që bëhet fjalë që projektuesi i pallatit shumëkatësh, në një prej zonave më të populluara në mes të kryeqytetit, të kujtohej se duhet të llogariste në projekt edhe shkallët e emergjencës.

Sikur të mos mjaftonte kjo, mungesa e tyre dhe ndërtimet e shumta rreth këtij pallati, për pak sa nuk u mori jetën dhjetëra familjarëve që siç u shprehën vet, ishin gati të hidheshin nga ballkonet në rast se policia nuk do t’i shpëtonte në kohë.

Dëshmitë

Do ishim hedhur nga ballkonet nëse askush s’do na vinte në ndihmë

Mëngjesi i djeshëm ka qenë i tmerrshëm jo vetëm për banorët e pallateve ku ra zjarri, por dhe për banorët përreth. Ngjarja në fjalë është shoqëruar me panik dhe ulërima për mbijetesë. Pas më se dhjetë orësh pas rënies së zjarrit ne ambientet e pallatit ndodheshin vetëm pastrues që përpiqeshin të kthenin gjithçka si më parë, të fshijnë të zinë që ka lënë tymi mbi xhama apo gjithçka tjetër. Nazmi Bejloshaj që punonte në një pallat shumë afër vendit ku ra zjarri, ishte një prej dëshmitarëve okularë të ngjarjes në fjalë. I tronditur nga ajo që kish parë ai u shpreh: “Në fillim tymi filloi të dilte nga bodrumi i pallatit, por me vonë ai u shtua edhe më, dëgjova njerëz që bërtisnin, por nuk po arrija të merrja vesh farë po bëhej”. Po kështu, ai shtoi: “Ne të gjithë ngelëm dhe nuk po dinim çfarë të bënim, ishte një torturë e vërtetë, por falë Zotit, erdhi shpejt policia se njerëzit mund të ishin hedhur nga ballkonet në qoftë se vazhdonte ashtu”. Gjithashtu, mësojmë si nga autoritetet, por edhe nga dëshmitarët, se me mbërritjen e policisë banorët u qetësuan. Sakaq, një prej personave që ndodhej pranë pallatit, nuk lejonte që media të futej në ambientet ku shpërtheu zjarri. Duke kontaktuar me të, ai shprehet: “Unë jam pronari i këtij pallati dhe nuk lejoj askënd të futet brenda përveç gazetarëve të radio “4 Stinët” sepse ajo është prona ime”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›