Shkaku, rrjedhja e gazit nga gjeneratori
Shoqërohet në polici administratori i firmës “Termo Impianti” Sh.P.K, inxhinieri teknik i kësaj firme, si dhe disa punëtorë, dy prej tyre nën hetim në gjendje të lirë
Rënia e zjarrit në pallatin 15-katësh në “Rrugën e Kavajës” mendohet të jetë defekt në kondicionerin qendror të vendosur në bodrumet e pallatit në pronësi të Kujtim Kapollarit, ku për shkak të një rrjedhjeje të valvulave të gazit, ka shpërthyer zjarri. Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e grupit hetimor të policisë së kryeqytetit, të cilët kanë punuar deri vonë në vendngjarje duke mbledhur dhe dëshmi të shumta të banorëve të pallatit.
Në lidhje me këtë, strukturat e hetimit të krimit kanë shoqëruar në komisariat 12 persona, të cilët janë marrë në pyetje. Një gjë e tillë është konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, sipas së cilës mes personave të shoqëruar ka qenë edhe administratori i firmës “Termo - Impianti” Sh.P.K, inxhinieri teknik i kësaj firme si dhe punëtorë të tjerë. Të gjithë këta persona, sipas hetimeve të policisë, përgjatë momenteve të rënies së zjarrit kanë qenë duke punuar për rregullimin e një defekti në aspirimin e kondicionerëve qendrorë të këtij pallati.
Në këtë kuadër, nga specialistët e seksionit kundër Shkatërrimit të Pronës, mësohet se janë dërguar në prokurori materialet ndaj dy punëtorëve të firmës “Termo - Impianti” Sh.P.K, Dashamir Lila, 39 vjeç dhe Myftar Sulaj, 58 vjeç, të dy banues në kryeqytet, të cilët do të ndiqen në hetim të lirë për konsumim të veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr nga pakujdesia”. Për këta, mësohet se bëhet fjalë pikërisht për punëtorët që kanë qenë duke salduar në gjeneratorin e sistemit të kondicionimit në bodrumin e pallatit.
Ndërkaq, burime nga policia kanë bërë me dije se një tjetër aspekt ku janë përqendruar hetimet, është edhe fakti i ndërtimeve pa kriter në zonën përreth, çka nuk lejoi në asnjë mënyrë depërtimin e makinave të zjarrfikësve deri në vatrën e zjarrit. Po kështu, edhe mungesën e shkallëve të emergjencës për raste të tilla zjarresh për shpëtimin e jetëve të njerëzve, të cilat gjithashtu mungonin në pallatin 15-katësh. Për këto, ekspertët po marrin në pyetje inxhinierin projektues të firmës që kishte ndërtuar godinën shumëkatëshe të banimit, ndonëse tashmë është kthyer në një qendër shumëfunksionale biznesesh nga më të ndryshmet.
Gjithashtu, burime nga policia janë shprehur se pjesë tjetër e hetimit janë edhe dëmet e konsiderueshme materiale që i janë shkaktuar banorëve. Veç kësaj, sipas ekspertëve, izolimi për dy orë në flakë e tym ka shkaktuar tek ata jo pak tronditje psikologjike.