Efektet e krizës globale të pasurive të paluajtshme
01/02/2010 Leksion i Guvernatorit
Kriza globale e pasurive të paluajtshme, efektet e saj dhe roli i Bankës së Shqipërisë ishte ndër tematikat e leksionit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mbajti në universitetin “Polis”. Gjatë leksionit të tij Guvernatori bëri një përshkrim të përgjithshëm të zhvillimeve kryesore në ekonominë shqiptare, si dhe rolin që ka dhënë Banka e Shqipërisë për sigurimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndoshë të stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar. Në përfundim, Guvernatori Fullani përcolli idenë se sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm dhe i aftë të kryejë misionin e tij. Në leksionin e tij, përpara studentëve Guvernatori u ndal në projektin e kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë në Tiranë. Ky projekt është perceptuar si një ndërthurje e arkitekturës së ndërtesës ekzistuese dhe arkitekturës moderne të ndërtesës se re. Ky kompleks përveç veçorive arkitekturore ka në vetvete edhe një zgjidhje shumë funksionale. Në leksion morën pjesë mbi 120 studentë dhe stafi pedagogjik i Universitetit. Banka e Shqipërisë pak ditë më parë mbështeti nismën e qeverisë për të marrë kredi në tregun e huaj, pasi ekonomia ka nevojë për para. Sipas tij, një prej shqetësimeve aktuale është ai për të reduktuar deficitin buxhetor, si kusht për stabilitetin makroekonomik.