I lirë shoqëruesi i gjermanëve të kapur me 40 kg heroinë
Vendimi hedh poshtë provat e prokurorisë si përgjimet telefonike, filmimet në terren dhe drogën e kapur në banesën e të arrestuarit
Gjykata e Lartë vendosi dje të lërë të lirë Zaim Tafën, të arrestuar nga policia bashkë me tre gjermanë
TIRANË- Lirohet nga burgu me vendim të Gjykatës së Lartë Zaim Tafa nga Fieri, i arrestuar mbrëmjen e 2 majit, bashkë me tre shtetasit gjermanë dhe një shqiptar, të cilët kishin organizuar trafikun e 40 kg heroinë nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në drejtim të Gjermanisë.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë kësaj gjykate dhe institucionit të paraburgimit, të cilët mesditën e djeshme, me ndihmën e oficerit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kryen ekzekutimin e vendimit të lirimit me numër akti 183\09, për lirimin e Zaim Tafës. Sipas këtij vendimi, i arrestuari Tafa lihet në gjendje të lirë pa masë sigurie, me pretendimin se "organi i akuzës nuk ka prova që e përfshijnë atë në këtë linjë trafiku".
"Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga gjyqtari Gani Dizdari, pasi shqyrtoi rekursin e avokatit të të arrestuarit në flagrancë me 2 maj 2009 Zaim Tafa dhe pasi shqyrtoi provat e sjella nga prokuroria si dhe u konsultua me vendimet e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dhe ajo e Apelit të Krimeve të Rënda, vendosi shfuqizimin e dy vendimeve të masës së sigurisë "arrest me burg" dhe urdhërohet lirimi i menjëhershëm nga burgu i Zaim Tafës, -thuhet në dispozitivin e vendimit të firmosur nga gjyqtari Dizdari. Në të arsyetohet se organi i akuzës nuk ka siguruar prova të mjaftueshme për të bindur Gjykatën për implikimin e Tafës në këtë "trafik ndërkombëtar" droge.
Ndërkohë, ky vendim është kontestuar nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët janë shprehur se "nuk e kuptojmë arsyetimin e vendimit të Gjykatës, Zaim Tafa ishte arrestuar në flagrancë dhe nuk paska prova,- janë shprehur ata duke hedhur dyshime për një vendim të njëanshëm.
Burime të "Shekullit" pranë akuzës, konfirmuan edhe njëherë se në ngarkim të arrestuarit Tafa, prokuroria ka siguruar një sërë provash materiale, që nga përgjimet e telefonit, vëzhgimet e terrenit e deri te arrestimi në flagrancë, pasi në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar mjete me të cilat është paketuar droga e 40 kg heroinë e sekuestruar në makinën e çiftit gjerman Franc dhe Rexhina Kiacek. "Nga hetimet paraprake të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit të Organizuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë siguruar një sërë provash materiale në ngarkim të shtetasit Zaim Tafa.
Në ngarkim të tij janë siguruar biseda telefonike të përgjuara, raporte vëzhgimi në teren nga oficerët e policisë, prova të sekuestruara në banesën e tij që janë përdorur për paketimin e 40 kg heroinë dhe vendimin e arrestimit të tij në flagrancë, vetëm pak minuta pas kapjes dhe arrestimit të çiftit gjerman në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës me 40 kg heroinë në makinë",-thuhet nga burimet. Sipas akuzës, i liruari i djeshëm Zaim Tafa është arrestuar bashkë me të pandehurin Alban Pëllumbi në banesat e tyre në Fier.
Arrestimi i dy shqiptarëve erdhi menjëherë pas arrestimit të çiftit gjerman Franc dhe Rexhina Kiacek dhe sekuestrimit të 40 kg heroinë në makinën e tyre të tipit "Peugot" në pikë kalimin kufitar të Kakavijës.
Gjermani i tretë u arrestua në aeroport
Gjithashtu, i menjëhershëm ka qenë edhe arrestimi i shtetasit të tretë gjerman Daniel Hengel në aeroportin e Rinasit në momentin që po tentonte të linte Shqipërinë pasi kishte dëgjuar për arrestimin e dy "korrierëve" të tij. Sipas prokurorisë, dyshohet se gjermani Hengel është edhe pronari i mallit të sekuestruar, e cila mendohet se i është blerë dy shqiptarëve Pëllumbi e Tafa që tashmë u lirua për mungesë të provave.
Gjithashtu, mësohet se tre shtetasit gjermanë, çifti Kiacek dhe Hengel kanë ardhur dy muaj para arrestimit në Shqipëri, ku janë pritur dhe shoqëruar nga dy fierakët Tafa e Pëllumbi gjatë qëndrimit të tyre një javor. Droga është gjetur në 80 pako me peshë 500 gram secila e fshehur në vende të ndryshme të makinës, që nga akt-ekspertimi i mallit rezulton se sasia prej 40 kg është llojit heroinë.