Kreu i Interpolit: Shqipëria kërkesa të larta ekstradimesh
Sekretari i Interpolit: Dështimet e ekstradimeve, përgjegjësi Drejtësisë. Rekomandon rritjen e kontrollit ndaj mjeteve të vjedhura
Pritet që në Lion të Francës të emërohet edhe oficeri ynë i kontaktit. Takon Prençin e Nishanin
TIRANE- Shqipëria është ndër vendet që renditet ndër të parat në botë për ekstradimet, si dhe për kërkesat për ekstradime. Ky është konstatimi i dhënë dje në mesditë gjatë një konference shtypi të përbashkët të Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, Roland Noble dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, gjatë vizitës së kreut të Interpolit në vendin tonë. Noble tha se edhe pse puna e Policise ka qenë e mirë dhe se ka pasur gjithmonë informacine dhe të dhëna për vendndodhjen e të kërkuarve, duke arritur deri tek arrestimet e tyre.
Ndërkaq ekstradimet e personave të arrestuar kanë procese përgjithësisht të ngadalta, duke bërë që ekstradimet të vonojnë. Në këtë mënyrë Shefi i Interpolit në Lion të Francës, duket se ka hedhur përgjegjësinë në drejtim të organeve të Drejtësisë së vendeve ku qëndrojnë të arrestuar personat.
"Për Interpolin, e rëndësishme është të dijë cilët janë dhe ku ndodhen personat e kërkuar. Dhe Interpol Tirana renditet në vendet e para në nivel botëror për kërkesat për kapjen e kriminelëve.
Aktualisht pjesa më e madhe e tyre janë arrestuar, por në këtë pikë gjërat ngadalësohen dhe procesi i ekstradimit është vërtet i ngadaltë, tha Noble gjatë fjalës së tij. Sipas kreut të Interpolit, ishte e nevojshme që të luftohej më tepër trrafiku i mjeteve motorike.
Për këtë qëllim, kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, tha se Policia Shqiptare kishte krijuar një bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Transporteve për një kontroll rigoroz në targimin e mjeteve, për të verifikuar nëse ato janë të trafikuara apo jo nga vende të huaja.
"Kam pasur arsye specifike për të vizituar Shqipërinë, për të vizituar zyrat qendrore të Policisë së Shtetit, të cilat krahasuar me vitet e shkuara kanë bërë një punë mjaft të mirë". Sipas Noble, rritja e listës së personave të kërkuar nga INTERPOL Tirana shihet si zhvillim pozitiv. Jam këtu për të rekomanduar që Drejtoria e Policisë së Shtetit duhet të bashkëpunojë më shumë me Drejtorinë e Transporteve.
Gjithashtu, Policia e Shtetit duhet të caktojë një person ndërlidhës në zyrat e Interpolit në Lion, për të cilën Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm kanë dhënë miratim. Sipas kreut të Interpolit, Noble, ai kishte diskutuar me kreun e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme, për caktimin e oficerit të kontaktit në Lion, punë e cila duhet të nisë me përzgjedhjen e tij e më pas me dërgimin e tij në selinë e Interpolit.
"Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, e informova atë mbi procedurat e zyrës së INTERPOL, të përmirësuara ndjeshëm në vitet e fundit, si dhe mbi rritjen e teknologjisë në pikat e Kalimit Kufitar për kontrollin e personave që hyjë e dalin në Shqipëri,"- deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili e cilësoi marrëdhënien mes Policisë dhe Interpolit të shkëlqyer. Ndërkaq, gjatë ditë së djeshme, Noble ka pasur takime edhe me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe me kreun e qeverisë Berisha.