Shemben shtëpitë në proces legalizimi
DURRËS/ Familja e Ismail Cukut, i cili vijon procesin gjyqësor për banesën e vet, ka mbetur në qiell të hapur
Policia Ndërtimore ka nisur prishjen e banesave pa pasur një vendim të KRRT-së së Durrësit për këtë veprim
DURRËS - Shembja e një banese ka lënë në qiell të hapur 7 anëtarët e një familjeje, ndërkohë që dy institucione po "luftojnë" me njëra-tjetrën lidhur me ligjshmërinë apo paligjshmërinë e këtij veprimi.
Ngjarja ka ndodhur dje në Durrës, kur policia ndërtimore, e mbështetur nga policia e rendit ka shembur shtëpinë e Ismail Cukut, pas një debati rreth 3 orësh, ndërsa më pas kryebashkiaku Vangjush Dako ka dënuar rëndë veprimin, duke u shprehur se është kryer në shkelje të ligjit. Gjithsesi, duke filluar që dje, 7 anëtarët do të flenë në ambient të hapur.
Shembja
Rreth orës 12:00 të së martës përpara oborrit të banesës së Ismail Cukut kanë arritur fadromat e policisë ndërtimore, si dhe dhjetëra efektivë të policisë së rendit, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë urdhëruar largimin, si dhe boshatisjen e banesës. Por inspektorët kanë hasur në kundërshtimin e familjarëve, të cilët nuk i janë bindur urdhrit, duke nisur edhe konfliktin mes dy palëve.
Situata është tensionuar dhe nuk kanë munguar debatet e ashpra mes kreut të Policisë Ndërtimore, si dhe banorëve. Rezistenca e këtyre të fundit ka zgjatur rreth tri orë, ndërsa më pas ata janë nxjerrë jashtë forcërisht nga policia e rendit, pas një afati të shkurtër kohor për të nxjerrë jashtë materialet e tyre. Këto veprime janë bërë pa iu treguar familjarëve ndonjë vendim të KRRT-së së Durrësit.
Ndërsa banesa u rrënua, shtatë pjesëtarë të kësaj familjeje kanë mbetur në qiell të hapur, duke iu shtuar listës së të pastrehëve. Banorët kanë mbetur të shokuar për fatkeqësinë, pasi ata ishin në proces legalizimi dhe në proces gjyqësor.
Kjo gjë është konfirmuar edhe nga avokati Arben Lati, i cili tha se banesa ishte në proces ndërtimi, ndërsa me vete kishte dhe një kopje të dokumenteve që mbanin firmën e kreut të ALUIZNI-t, Shaban Memia.
Avokati i familjes bëri të ditur se ata ndodheshin në proces gjygjësor dhe askush nuk kishte të drejtë të shkatërronte një pronë pa u dhënë vendimi përfundimtar nga gjykata. Por, edhe pas përçapjes së avokatit, situata ka mbetur e tensionuar, ndërsa ndërtimoret nuk kanë ngurruar të nisin prishjen mes kundërshtimeve të banorëve.
Reagimi i Dakos
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ka reaguar kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ai është shprehur se nuk kishte dijeni për prishjen e këtyre shtëpive dhe se nuk ishte marrë një vendim të tillë. Sipas Dakos, kreu i Policisë Ndërtimore, Ismail Hoxha, ka vepruar me kokën e vet, dhe jo sipas urdhrit të kryebashkiakut.
Ky veprim i kreut të ndërtimores së Durrësit, i cili nuk ka pranuar që të tregojë as vendimin për prishje dhe nuk i ka lejuar gazetarët të afrohen. Ky veprim i cilësuar si jolegjitim edhe nga kreu i bashkisë Dako pritet që të vazhdojë edhe me shembjen e 5 banesave të tjera me pretekstin e lirimit të hapësirave publike për zhvillimin e turizmit, edhe pse janë në proces legalizimesh.