Territori si varr i vetvetes
Në lajmet e çdo dite ka disa njoftime për vrasje apo vetëvrasje. Të gjitha këto për mua vijnë nga keqtrajtimi i territorit. Hapësira merr hak. Në komunizëm territorin e pushtuam me bunkerë dhe tunele. Ato ishin pa leje urbanistike. Në demokraci po këtë territor e pushtuam me ndërtime pa leje. Gjithmonë e pushtojmë pa leje. Popujt e kulturuar dallohen nga ata të pakulturuar prej mënyrës se si sillen me territorin e tyre. Atdheu nuk është veçse territori, çdo gjë ngrihet mbi të. Dhe morali i një kombi. Duket sikur ne mund të pushtojmë lehtësisht hapësirën, por gënjehemi; në fakt është hapësira që na pushton ne. Është një pushtim i padukshëm, por real dhe permanent. Territorin po ta ngremë në vertikalitet, në lartësi është hapësira. Popujt më të zhvilluar të Evropës këtë e kanë kuptuar me kohë. Në mijëvjeçarë ata e kanë trajtuar territorin me kujdes dhe me ligjet më të rrepta kanë ndaluar çdo kanibalizëm territorial. Ne, pasi humbëm për 500 vjet rrugëve të Orientit dolëm me një vetizolim, i cili na çoi drejt pushtimit të vetvetes, d.m.th. të territorit tonë. Asnjë armik që na ka pushtuar gjatë historisë nuk është sjellë me territorin tonë ashtu siç jemi sjellë ne. Patriotizmi nuk është të rrahësh gjoksin për flamurin kuq e zi, por të ruash dhe të respektosh territorin, i cili është materializimi i shtetit. Po të vëresh me kujdes shtetet evropiane, ata që e kanë respektuar si të shenjtë territorin e tyre, janë më të pasurit, me nivelin më të lartë të jetesës. Ne jemi më të varfrit, se vazhdimisht varfërojmë territorin tonë. Dhe këtë gjë nuk po e kuptojmë akoma. Gjithmonë ua hedhim fajin të tjerëve dhe asnjëherë nuk bëjmë analiza të imta dhe të sakta se si e kemi pushtuar territorin brenda kufijve tanë. Secili është i papërmbajtur derisa bën një pushtim sado të vogël dhe e quan këtë legjitime, se është brenda Shqipërisë. Por, SHQIPËRIA nuk është për t‘u sjellë kështu me të. Asnjë nga popujt e kampit socialist nuk u soll kështu mbas 1990-ës, si u sollëm ne me territorin tonë. Urbanistika jonë është mishërimi teknik i kësaj katastrofe. Arkitektura jonë është mishërimi estetik i kësaj. Urbanistët dhe arkitektët janë bashkëpunëtorë në krim. Se ky është një krim publik, domethënë është një krim me përmasa shtetërore. Sepse nuk rregullohet dot.
Prishjet e panumërta që janë bërë tregojnë realisht koeficientin e vlerës sonë. Mjafton të përmend se gjatë Mbretërisë është prishur vetëm një godinë, Vila e Mbretit në Durrës. Shembulli më elokuent është pushtimi e prishjet në Tiranë dhe vetëvrasja urbanistike e Sarandës. NASA kujdeset për territoret e planetëve ku dërgon sondat, më shumë se ne për qendrat e qyteteve tona. Akoma nuk kemi legjislacion për raste konfliktesh pronësie, të cilat vazhdojnë me dhjetëravjeçarë mu në zemër të qyteteve, sikurse janë rastet e hotelit në qendër të Vlorës, i kompleksit në të dalë të Pogradecit, i skeletit beton/armë të një godine të ngritur deri në fazën e karkasit, pranë Poliklinikës qendrore në Tiranë, apo volumet cilindrike shtesë në hotelin qendror të Korçës. Nuk ka asnjë legjislacion që i ndalon ndërtimet urbane në tokat bujqësore dhe kështu që në këto 17 vjet, 70 000 ha tokë kanë ndërruar destinacion dhe janë okupuar me ndërtime. Plehrat po na mbysin, kur Ministria e Ambientit duhej të merrej vetëm me këtë punë dhe të quhej Ministria e Plehrave të Pambledhura. Sakatojmë peizazhin, presim pyjet, gërryejmë lumenjtë dhe hamë malet. Zhdukim si pa gjë të keq veprat e artit, si rasti i lyerjes me gëlqere nga Ndërmarrja Rruga-Ura e Mozaikëve në Kërrabë. Luajmë teatër me kanalet kulluese dhe erozioni i Tokës është më i larti në Ballkan. I kemi kthyer rrugët dhe autostradat në makina vrastare, që shquhen vetëm si ekspozita lapidarësh. Se rruga e Shkodrës duhej bërë me katër korsi dhe e dimë se pa e bërë këtë ajo do të vazhdojë të vrasë. Kashari, Sauku, Selita, Kamza, Dajti, Farka janë shembujt më monstruozë në botë të trajtimit të rrethinave të një kryeqyteti; kurse tre kullat në bulevardin e Tiranës janë treguesi më elokuent i bashkëpunimit të mafies së ndërtimit me qeverinë dhe arkitektët. Bosio ideoi bulevardin më të bukur në Ballkan, por derisa nuk e prishëm nuk flinim rehat. Shqipëria është shembulli më klasik dhe rrëqethës se si një popull shkatërron territorin e vet. Dhe këtë e realizojnë teknikisht arkitektët dhe urbanistët. Gjithë traumat historike, dizekuilibrat e pazgjidhura sociale, vonesat kulturore, skizofrenia folklorike u derdhën si një përmbytje e papërmbajtur mbi territorin. Dhe kjo ndodhi në fund të shekullit XX. Është e çuditshme se si dëshirat e parealizuara kombëtare shfaqen mbas shekujsh në arkitekturë. Kam ndjekur me kujdes dhe kam fotografuar të gjitha hotelet me lokale luksoze KËSHTJELLA. Është një shfaqje e vonuar, gati-gati fëminore e një populli, i cili gjithmonë i ka ëndërruar në këngë dhe i realizon mbas pesë shekujsh. Një rast të tillë të patologjisë arkitekturore nuk e ndeshim asnjëherë në gjithë historinë e arkitekturës. Këto KËSHTJELLA shtrihen nga veriu në jug dhe janë kaq të studiuara, kaq të punuara me kujdes, duke vënë re se janë ideuar nga vetë pronarët. Janë vërtet si ëndrra dhe pronarët kur flasin dhe shpjegojnë janë si në delir. Ka raste kur kanë shpenzuar gjithë pasurinë, sepse ndërtimi i tyre me gurë të daltuar kushton shumë. Po ata nuk pyesin, nuk duan t‘ia dinë, sepse ajo është materializimi i tërë jetës së pajetuar, i tërë forcës së papërdorur, i tërë pasurisë së papasur. Ajo, së fundmi, është ëndrra e bërë realitet. U futëm në mijëvjeçarin e ri me shkatërrimin dhe luftën më të madhe ndaj territorit, se sa dëmtimi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dëmi që i kemi shkaktuar vetes këto 15 vjet është sa dhjetëfishi i Luftës së Dytë. Kioskëzimi i qendrës së kryeqytetit nuk kish ndodhur dhe nuk mund të ndodhë në asnjë vend evropian. Ajo tregoi se arkitektura dhe urbanistika jonë vlejnë sa një kioskë. Këto janë si një kancer që shfaqen në trupin e një kombi, por që vijnë nga koha e kaluar si sëmundje sociale të padiagnostikuara. Ky është turpi ynë më i madh. Nuk e kuptoj se për çfarë përmirësim të imazhit tonë në botën e jashtme flasim ne? Të paktën të tentojmë të bëhemi normalë dhe kjo do të arrihet nëse do të biem në paqe me territorin. Një popull që hajninë e ka për burrni dhe shkeljen e moszbatimin e ligjit për trimëri, atë që do të sulmojë të parin është territori. Sepse, hapësira konsiderohet si e askujt. Territori u pushtua ultazi, pastaj u sulmua në lartësi. Mirë që na kanë rrethuar dhe nuk na lënë të lëvizim, se do të kishim bërë batërdinë në Ballkan. Jemi të parët dhe të fundit që kemi shpikur një profesion të padëgjuar në teknikat e ndërtimit, atë të sharrimit të banesave. Janë me dhjetëra banesa të sharruara, disa prej tyre i kam fotografuar. Specialisti sharrtar e pret banesën nga lart poshtë sipas porosisë, si ta dojë pronari, pra si e ka detyruar nëpunësi i bashkisë, sepse ka dalë për qejf jashtë vijës së kuqe. Ne shkojmë gjithmonë në sens të kundërt. Dhe arsyeja e kësaj është vonesa historike. Në vendet e zhvilluara po shkohet nga qytetet në zonat rurale. Kurse te ne porsa filloi procesi i zbritjes në qytete. Ajo që është e veçantë dhe e padëgjuar, është se të gjithë duan të banojnë buzë rrugëve dhe autostradave. Atje duan të kenë shtëpinë, dyqanet, punishtet, depot, kafenetë, hotelet dhe magazinat, varrezat e njerëzve dhe të makinave. Ky është deliri i ri i rrugëve, ose rrugaçërisë urbanistike. Pa rregulluar ndërgjegjen njerëzore, kuptimin e jetës, etikën e marrëdhënieve me qeniet njerëzore dhe kafshët, raportin me natyrën, ne nuk do të kemi kurrë një shtet evropian; nuk do jemi kurrë të denjë për t‘u futur në familjen evropiane, ku territori është si pjesëtari i familjes. Territori është katedralja e çdo populli; le të futemi brenda dhe të falemi në gjunjë.