E Diel, 1 Nëntor 2026

“I lumtur që jam në Vatikan, në një përvjetor të vizitës së Skënderbeut, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të shqiptarëve”

Deklaron kryeministri Berisha pas takimit me Atin e Shenjtë

Kryeministri Sali Berisha u shpreh në një prononcim për mediat vetëm pak minuta pas takimit me Atin e Shenjtë Papa Benedikti i XVI, se kjo vizitë ishte një mirënjohje thellë ndaj Vatikanit, për mbështetjen që ka dhënë në rrugën e lirisë dhe të procesit të ringjalljes së besimeve të mëdha, ringjalljes së vlera njerëzore tek kombi shqiptar. 
“Në radhë të parë dua të theksoj, se ishte një takim i shkëlqyer, jashtëzakonisht i përzemërt. Ishte një rast shumë i veçantë për mua, për t’i shprehur Shenjtërisë së Tij, mirënjohjen më të thellë, timen dhe të mbarë shqiptareve. Kombi shqiptar dhe Vatikani, kanë një histori të gjatë bashkëpunimi aleance, rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. Por unë gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të viti 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, Monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të viti 1992”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se, “një mirënjohje tjetër e madhe, e thellë, ishte se shqiptarët këto 19 vite përjetuan procesin e ringjalljes së vërtetë, ringjalljes së besimeve të mëdha, ringjalljes së vlerave të mëdha, ringjalljes ekonomike, ringjalljes sociale. Në të gjitha këto fusha, Selia e Shenjtë ka kontributin e vet madhor, si në ringjalljen e vlerave dhe besimit te Zoti, rindërtimin e infrastrukturës shpirtërore të shqiptarëve, ashtu dhe në fushën e arsimit, në fushën e ndihmës humanitare, në fushën sociale, në të gjitha fushat e tjera”, tha Berisha.
Duke theksuar mbështetjen e pakursyer të Selisë së Shenjtë ndaj kombit shqiptar, kryeministri Berisha vuri në dukje se, “në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, nxjerrjes e tij nga kthetrat e Millosheviçit me anë të dërguarve të tij direkt në Beograd me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë”, nënvizoi kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha.
Përsa i takon proceseve integruese të Shqipërisë, shefi i ekzekutivit solli në vëmendje se Vatikani dhe Selia e Shenjtë, mbështesin tërësisht anëtarësimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian.
“Natyrisht në bisedimet dhe në audiencën shumë të ngrohtë dhe të përzemërt që më rezervoi, i shpreha mirënjohje për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e integrimit. Papa Benedikti XVI më garantoi se ai dhe Selia e Shenjtë, mbështetin plotësisht procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndjekin me admirim arritjet e vendit në këtë drejtim dhe janë të sigurt në të ardhmen e shkëlqyer evropiane të Shqipërisë”, deklaroi më tej, Berisha.
Me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës, Berisha informoi se ka ftuar posaçërisht për vizitë në Shqipëri, Shenjtërinë e tij, Papa Benedikti XVI.
“Viti që vjen është një vit i madh për mbarë njerëzimin, është 100-vjetori i Nënë Terezës. Unë e shfrytëzova rastin dhe i dorëzova ftesën Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, të cilin e ka ftuar edhe Episkopati i Shqipërisë, që këtë 100-vjetor, ta kthejmë vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. E njoha gjithashtu me përpjekjet që ne po bëjmë, për ta festuar sa më me dinjitet, për ta nderuar sa më me dinjitet, këtë bijë të madhe të Shqipërisë dhe të mbarë njerëzimit”, vijoi kryeministri.
Në përfundim, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha iu referua momentit më kulmor, atë të vizitës së prijësit shqiptar Skënderbeu, 543 vjet më parë në Vatikan, pikërisht më 12 dhjetor të 1466.
“Nuk mund të mos theksoj në këto çaste, një moment kulmor që do të ngelet përjetë në memorien time. Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu u prit në Vatikan, nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua  dhe shqiptarët, se sa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi”, përfundoi kryeministri Berisha prononcimin e tij për mediat, pas përfundimit të takimit me Atin e Shenjtë, Papa Benedikti i XVI-të.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›