E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin procedurat për shkarkimin e Edi Ramës nga bashkia e Tiraëns

Kreu i këshilltarëve të PD-së në bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni, ka deklaruar dje se kanë nisur zyrtarisht procedurat për paraqitjen e mocionit që kërkon shkarkimin e Edvin Ramës, sepse e ka shndërruar bashkinë në një vegël të interesave të grupeve mafioze të industrisë së ndërtimit si dhe të një klani të ngushtë miqsh të Kullës së Pezës

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak do të kërkojnë në mbledhjen më të afërt shkarkimin e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës. Lënia e deputetëve të Partisë Socialiste si ‘roje’ të pallateve anti ligjore të Dashit dhe Edvinit, sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, është një akt sa i paprecedentë aq edhe flagrant.
Sipas përfaqësuesit të PD-së, Rama po fakton dita-ditës se po përdor çdo element të afërt të tij, për të mbrojtur palën mafioze dhe ndërtimet e paligjshme në kryeqytet. Poni, në cilësinë e kryekëshilltarit të demokratëve sqaroi arsyet e marrjes së vendimit për shkarkimin e Edvin Ramës, duke shtuar se qindra dokumente dëshmojnë kapjen e kryetarit të bashkisë Edi Rama nga ajo që ai e cilësoi kupola e krimit ekonomik, duke u bërë kështu udhëheqësi i aleancës më të rrezikshme punisto-mafioze.

Aferat dhe veprimet antiligjore të Edvinit në krye të bashkisë
Këshilltari demokrat solli në vëmendje të gjitha aferat dhe veprimet antiligjore të Edvinit në krye të bashkisë, duke konstatuar miliona dëme ekonomike ndaj shtetit dhe xhepave të qytetarëve. “Kreu pa brekë i PS i ka depersonalizuar deputetët e PS të bëjnë dezhurn 24 orë me ndërresa 6 orëshe. Opinioni publik është njohur me fakte të pakundërshtueshme që vërtetojnë kapjen e Ramës nga kupola e krimit ekonomik. Edvin Rama ndodhet në një pozitë të mjerueshme për shkak të krimit dhe shkatërrimit të Tiranës, kur tjetërsonte në favor të Besnik Sulës mbi 1300 metra katrorë truall publik, rrugën publike të marrë me qira për llogari të z. Peza e grupit të tij, apo kur ndërtonte në binomin Rama-Delijorgji apo Delijorgji-Rama një qytezë të tërë me mbi 50 pallate dhe tjetërsonte, nënshtronte dhe shkatërronte mbi 500.000 metra katrorë pjesë të territorit të Tiranës. Ky akt i shëmtuar tregon qartë se për Edvin Kristaq Ramën deputetët nuk janë për të mbrojtur interesat e qytetarëve në Kuvend por për të mbrojtur dhe ruajtur interesat ekonomike dhe pasurinë kriminale të tij dhe të mafies ekonomike që ai kryeson, pra të Fidelëve, të Dulakëve, të Kokëdhive, të Besove, Doshëve e Leskajve të tij”, u shpreh Ferdinand Poni.
Zëvendësministri i Brendshëm dhe njëherazi kreu i këshilltarëve të PD-së në Bashki i bëri thirrje deputetëve socialistë që të mos pranojnë shndërrimin e tyre në gardianë të interesave mafioze të Ramës dhe kupolës së tij.
“I themi Edvin Kristaq Ramës se nuk ka guardian që do të mund të shpëtojë nga darët e ligjit pallatet e tua të krimit. I nënshtruar ndaj interesave abuzive të mafies së ndërtimit, inspirues i shkatërrimit urban dhe pasuror të qytetit të Tiranës për shkelje të rënda të ligjit, për abuzime monstruoze me pronën publike por edhe me interesat e qytetarit të Tiranës, që vetëm një mendje e vullnet abuziv që nuk i nënshtrohet asnjë rregulli moral e ligjor mund t’i mendojë e realizojë, ndaj teje ka vetëm një recetë. Qyteti i Tiranës ka vetëm një shpëtim. Grupi i këshilltarëve demokratë do të kërkojë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin tuaj nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të të shkarkojë ty për dëmet dhe krimet monstruoze ekonomike, dhe jo vetëm kaq, por do të kërkojë rivendosjen e normalitetit dhe vendimmarrjet e tua që kanë dëmtuar rëndë qytetin e Tiranës, siç është rasti i tokës dhënë besnikut tënd tek Parku ‘Rinia’ etj, etj”, u shpreh më tej, Ferdinand Poni.
Grupi i këshilltarëve demokratë paralajmëron qartë se në mbledhjen më të afërt, do të kërkojë shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Edi Rama.
Deklarata e kreut të këshilltarëve demokratë vjen pas vendimit të qeverisë për të kaluar nën administrimin e Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit 1350 m² tokë në Parkun Rinia.
Vendimi për shtetëzimin e kësaj sipërfaqeje toke erdhi pas denoncimit që Kryeministri Berisha i bëri vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës në vitin 2005 për shitjen e kësaj sipërfaqeje toke një investitori privat me arsyetimin se ajo është dhënë me çmim më të ulët se tregu.

PD organizon këshilltarët, pritet të depozitohet kërkesa
Partia Demokratike pritet të depozitojë në Këshillin Bashkiak një kërkesë mocioni për shkarkimin e Edi Ramës nga posti i kryebashkiakut. Deklarata e djeshme e Ferdinand Poni, vjen pak ditë pas paralajmërimit të më hershëm se Edvin Rama po shkatërron shëndetin e qytetarëve, nëpërmjet hedhjes së plehrave rrugëve të kryeqytetit. Ky veprim i papërgjegjshëm dhe çmendurak u dënua ashpër nga Partia Demokratike, nga ku Ferdinand Poni, denoncoi rrezikun permanent që i kanosje shoqërisë nga sindroma akute, Rama. “Një akt i paprecedent, një akt papërgjegjshmërie e çmendurie ka ndodhur dje natën! Qytetarët e Tiranës, qyteti i Tiranës ka parë, ka prekur dje rrezikun që i kanoset nga Edi Rama, nga ky i çmendur e psikopat i ç’ekuilibruar. Ai, në një gjendje mendore e emocionale të çekuilibruar e renduar, nën spazma psikopatie e skizofrenie të theksuara, tentoi të ndotë me dashje qytetin, të shkatërrojë qytetin, të infektojë e shkatërrojë qytetin duke zbrazur plehrat tek ura e Lanës. Ky njeri shoqërisht i rrezikshëm, ky psikopat i rrezikshëm, që u merr qytetarëve të Tiranës tre herë më shumë taksa apo tarifa pastrimi nga sa duhet edhe për një shërbim normal pastrimi, tani në krizat e tij të skizofrenisë po i jep shenja të thyerësit të rrezikshëm të ligjit, të dëmtuesit me dashje të interesit publik, të dëmtuesit e shkatërruesit me dashje të shëndetit publik të qytetarëve. Ai, psikopatia e tij, veprimet e tij në kundërshtim flagrant me ligjin, përbëjnë rrezikun iminent të paligjshmërisë dhe rrezikshmërisë. Ky akt është i patolerueshëm dhe si i tillë duhet të trajtohet nga të gjithë qytetarët e institucionet e tyre Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në bashkinë e Tiranës do të kërkojë urgjent shkarkimin edhe ‘de jure’ të Edi Ramës nga funksioni i kryetarit të bashkisë. Funksioni i kryetarit të një bashkie, aq më tepër të kryeqytetit është totalisht i papajtueshëm me sjelljet dhe veprimet prej psikopati e skizofreni që demonstron rrezikshëm Edi Rama, në shpërthimet e tij antiligjore, shoqërisht të rrezikshme, mendërisht dhe moralisht të pakontrolluara dhe që si të tilla duhen trajtuar me rigorozitetin maksimal”, është shprehur Ferdinand Poni.
Kësisoj, me reagimin e djeshëm, pritet që grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike të depozitojnë në Këshillin Bashkiak kërkesën për shkarkimin e kryebashkiakut Edi Rama.
Demokratët do të bëjnë transparente përpara këshillit të gjithë dosjen voluminoze me aferat më të rënda antiligjore të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz në shkatërrimin e kryeqytetit shqiptar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›