E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama një orë kokë më kokë me Dalai Lamën



Presidenti amerikan, Barak Obama ka zhvilluar dje rreth një orë bisedime private me liderin shpirtëror tibetian në ekzil, Dalai Lama në Shtëpinë e Bardhë. Dalai Lama e konsideroi veten “shumë të lumtur” nga ky takim, i cili u zhvillua përpos kundërshtimit të fortë dhe paralajmërimeve të Kinës. Presidenti Obama dhe Dalai Lama diskutuan për nevojën për të promovuar paqen, vlerat humanitare dhe harmoninë fetare. Bisedimet u zhvilluan me dyer të mbyllura për shtypin, por pas takimit Dalai Lama ishte shprehur për gazetarët se ai i kishte rrëfyer Presidentit Obama admirimin e tij për Shtetet e Bashkuara si një “kampione të demokracisë, lirisë, vlerave humane” dhe krijimtarisë. Ai bëri gjithashtu thirrje për një rol më të madh lidershipi të grave në jetën publike të kombeve. Në një deklaratë pas takimit, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Obama dhe Dalai Lama kishin rënë dakord mbi rëndësinë e një marrëdhënieje bashkëpunuese mes SHBA-së dhe Kinës. Obama bëri thirrje për një dialog të drejtpërdrejtë mes Kinës dhe Tibetit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se Obama deklaroi mbështetjen e tij për “ruajtjen e besimit unik tibetian, kulturës dhe identitetit gjuhësor dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për tibetianët” në Kinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›