Tjetërson dëshminë për vrasjen në Tiranë, pranga të riut në gjykatë
TIRANE – Një person i thirrur si dëshmitar në një gjyq për vrasje në Gjykatën e Tiranës, është shoqëruar në polici për shkak të ndryshimit të thënieve në lidhje me ngjarjen. Shkak për shoqërimin e tij është bërë “devijimi” i dëshmitarit nga deklarimet të bëra më parë në prokurori nga i ndaluari. Klodian Allmuça është “mbërthyer” nga policia në ambientet e Gjykatës së Tiranës mesditën e së martës, sapo doli nga seanca në ngarkim të Erion Dudës, të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”. Pasi i janë marrë deklarime në polici, ai është liruar dhe do të hetohet me tej në gjendje të lirë për “dhënie deklarimesh të rreme para gjykatës”. Dëshmitari Allmuça ishte thirrur në proces nga lista e provave të prokurorisë ku ishin renditur edhe thëniet e tij. Ai është “palë e dëmtuar” në ngjarjen për të cilën akuzohet i pandehuri në këtë proces, pasi edhe vetë Allmuça ka marrë plagë të lehta. Burime pranë seancës sqaruan se shoqërimi i dëshmitarit erdhi pas një kërkesë të prokurorit të çështjes. Mësohet se gjatë pyetjes para gjykatës, dëshmitari është “tërhequr” nga deklarimet e dhënë prej tij në fazën e hetimeve paraprake duke treguar fakte të tjera në seancën gjyqësore. Menjëherë sapo ka dëgjuar dëshminë e Allmuçës, prokurori i ka bërë thirrje dëshmitarit të mos tjetërsojë thëniet, ndërsa vetë i ndaluari ka thënë se ishte duke treguar të vërtetën. Në përfundim të dëshmisë përfaqësuesi i akuzës bëri kundërshtimin e thënieve ndërsa pasi ka dalë nga seanca dëshmitari është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit. Pak orë më pas Allmuça është lënë i lirë ndërsa mësohet se ai do të hetohet në gjendje të lirë për “dhënie deklarimesh të rreme para gjykatës”. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri në këtë proces ndodhi në qershor të vitit 2009 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Një sherr mes disa të rinjve përfundoi në përleshje me thika. Nga përleshja u vra Fatjon çela, ndërsa u plagosën lehtë Taulant dhe Klodian Allmuça, dëshmitari i shoqëruar. Si autori i ngjarjes u identifikua dhe u shpall në kërkim Erion Duda. Pak ditë më pas Duda u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dosja në ngarkim të tij nisi shqyrtimin në Gjykatën e Tiranës nëntorin e kaluar.