Rrëshen-Pukë, 70 km e tmerrit të rrugës kombëtare
Ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës ka qenë shpëtim për banorët e qytetit verilindor dhe udhëtarët e Kosovës. Që nga momenti i përurimit të saj dhe çeljes së tunelit, kuksianët nuk luten më para se të nisin rrugëtimin.
Por, në kurthin e një rruge, ku vdekja është gjithmonë e sigurt, nëse shoferi nuk është 100% i vëmendshëm, mbeten banorët e zonave të thella të Rrëshenit, Fushë-Arrëzit e Pukës. Kush ka udhëtuar në këtë aks, që nga Tirana deri në Pukë, llogaritet rreth 300 km, i ka bërë përshtypje numri i lapidarëve të shumtë të vendosur anës rrugës. çdo kilometër është rrezik më vete. Sapo i afrohesh Repsit në Rrëshen, aksi i rikonstruktuar i lë vendin rrugës së vjetër, ndërtuar që në vitin 1950, mbi të cilën dekadat e fundit janë shtuar vetëm arnat. Për të vazhduar rrugën për në Gjegjan, aty ku ndodhi tragjedia e djeshme, për në Fushë-Arrëz e më tej në Pukë, nga Rrësheni janë rreth 70 km, por të gjitha kalojnë në një terren tejet të vështirë. Në hartën gjeografike të Shqipërisë, kjo rrugë, e vënë shpesh në qendër të kronikave tragjike, dallohet për lakimin e saj të pafund, përshkrimi i së cilës kushton disa orë në ankth.
Kthesat e shumta, të forta në një segment rruge, ku njëri krah i saj kufizohet me male të larta, ndërsa në anën tjetër gremina të thella. Bordurat e vogla vend pas vendi apo disa pemë përgjatë shpatit, nën asfalt, nuk u japin asnjë lloj sigurie udhëtarëve. Madje as shoferëve të sprovuar dhe që udhëtojnë çdo ditë në këtë rrugë, ku janë shënuar aksidentet më tragjike në vend. Rruga ndonëse është dykalimëshe, e konsideruar kombëtare, u projektua 5 dekada më parë me qëllim lidhjen e qyteteve të Pukës e Mirditës. Që nga ajo kohë është arnuar shpeshherë, por asnjëherë nuk është bërë një rikonstruksion i plotë. Aty mungon thuajse tërësisht sinjalistika. Interesi për këtë rrugë ka rënë dukshëm pas hapjes së tunelit të Kalimashit, ku nuk qarkullojnë më automjete për në drejtimin Kukës e Kosovë. Rruga ngjitet dhe zbret në shpate malesh, në pjerrësi deri në 200-300 metër dhe zonat e banuara janë larg prej saj. Përgjatë rrugës gjarpëron edhe lumi i Fanit, i cili shoqëron rrugën në disa kilometra të saj. Segmenti ku ndodhi aksidenti i djeshëm me 14 viktima është i njohur për viktimat masive. Në këtë rrugë ka më shumë lapidarë dhe përkujtimore, lule dhe epitafe, sesa rrugë kilometrike dhe sinjalistikë. Numri i viktimave të djeshme është i afërt me atë të aksidentit tragjik të 6 viteve më parë të gjimnazistëve të Malishevës në Kosovë. Rreth 10 km larg nga fshati Dom i Vogël, ku vdiqën dje burra, gra e fëmijë, u regjistrua më 14 tetor 2004 vdekja e 14 nxënësve dhe e një banori të zonës. Autobusi i gjimnazistëve u përplas në një kthesë të fortë me veturën, duke u anuar aq sa doli nga buza e rrugës për të përfunduar fatalisht në greminë. Por, në këtë zonë, kujtohet ende një aksident i vitit 1994, ku 7 vetë vdiqën menjëherë pasi furgoni i tyre u rrëzua në greminë. Sot, obelisqet të kujtojnë me dhimbje fatin e dhjetëra viktimave. Atyre u shtohet dhe një tjetër, ai i tragjedisë së djeshme, që i kushtoi jetën 14 njerëzve të tjerë, 4 prej të cilëve fëmijë.