E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima Mustafa, 2 muaj më parë mbeti invalid nga një tjetër aksident



RRESHEN - Ylmi Mustafa, i afërm i Adem Mustafës, një prej viktimave të aksidentit të djeshëm në Fushë-Arrëz e ka mësuar përmes telefonit humbjen e jetës së kushëririt të tij. Ylmiu është një djalë rreth të 30-ve dhe drejtues punimesh në Rrugën e Arbërit. Dje sapo ka mësuar lajmin e aksidentit të autobusit të udhëtarëve të linjës Durrës-Fushë Arrëz, ai është nisur për atje. Gjatë rrugës kryen disa telefonata për të mësuar nëse kishte të afërm të tij në autobus, por nuk mëson gjë. Sapo kalon Milotin, nga një telefonatë mëson se Adem Mustafa, kushëriri i tij, është një nga viktimat e aksidentit. Nuk e zë vendi. Nuk e di se ç'fat kanë pasur fëmijët e Ademit që udhëtonin bashkë me të. "është kushëriri im, Adem Mustafa. Ka 5 fëmijë. Dy muaj më parë është aksidentuar dhe ka mbetur invalid. Dje ka udhëtuar drejt Durrësit tek vëllai i tij, për të porositur një kabinë plazhi. është shumë i varfër dhe gjithë jetën ka vuajtur. As për ta varrosur nuk ka njerëz të tjerë. Ishalla i kanë shpëtuar fëmijët", thotë Ylmiu. Sipas 30-vjeçarit, kushëriri i tij Ademi ka vuajtur gjithë jetën. "Fshati ku ai ka lindur dhe ka banuar është mjaft i varfër. Jo vetëm kushëriri im, por të gjithë banorët e Gjegjanit janë të vuajtur. Ne kemi pak tokë dhe nuk bëhet fjalë për punë. Ademi ka vuajtur shumë për të rritur 5 fëmijët, pra për të mbajtur gjallë 7 pjesëtarë të familjes. është fare pranë shtëpisë time dhe ka vetëm një vëlla në Durrës që nuk ka mundësi ta ndihmojë. Unë dhe kushërinjtë e tjerë do të organizojmë ceremoninë mortore. As vëllai që ka në Durrës nuk ka mundësi ekonomike të realizojë varrimin e tij. Ai fatkeq iku, por ka lënë jetimë 5 fëmijë, të gjithë në moshë të re. Ende nuk e dimë cili është fati i fëmijëve. Fillimisht na thanë se ka pasur me vete gruan dhe tre fëmijë, por gjë të saktë nuk dimë. Do të mbërrij shpejt në Gjegjan dhe do të mësoj të vërtetën", tha dje, pak pasi kishte marrë vesh për aksidentin tragjik, Ylmi Mustafa. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›