Izet Kurti: “Ushtarët e Bares më rrahën dhe më thyen gishtat”
Dëshmitari Izet Kurti ka qenë i pranishëm në momentin kur Tur daja shkrepi pistoletën në kokën e Ramadan Shkurtit. I ka hequr bukën nga goja të vrarit Genci Kashari dhe kushëri me Artur Dajën. Është kunati i Nimet Zenelit, të vrarë nga Aldo Bare dhe ushtarët e tij. Kaq ka mjaftuar që ai të rrëmbehej një ditë teksa ishte duke bërë dokumentet e vajzës në bashki dhe të futej në garazhin afër komisariatit për t’u rrahur e torturuar deri në thyerje gishtash. “Në vitin 1997 kam qenë në Lushnjë. Genci Kasharin e kam dëgjuar si emër atë ditë kur u vra. Isha në shtëpi e dëgjova krisma. Dola me vrap sepse kishte dalë dhe vjehrri im. Fillimisht vajta te makina ku ndodheshin dy të plagosur, vëllai i Aldo Bares, të cilin e njihja, madje kisha pirë disa herë kafe, si dhe shoferi që nuk e njihja, ishte një djalë i ri. Ramadan Shkurti ishte me rroba policie. Unë i pashë te makina duke rënkuar dhe më pas u largova te lokali ku ishte Tur Daja me Gramoz Selmanin. Pashë që ishte vrarë Genci Kashari, madje i kam nxjerrë edhe bukën nga goja e i kam lidhur gojën. Genci nuk kishte armë. Të vetmit që mbanin armë në lokal ishte Gramoz Selmani dhe Tur Daja. Nimet Zenelin e kam kunat. Një ditë isha te Bashkia e Lushnjës kur më vjen Erjon Cici me dy persona të tjerë dhe më thonë se duhej të shkoja me ta për të sqaruar një punë. Ata ishin të armatosur. Erjon Cicin e kisha parë dhe në lagje, s’kisha problem me të. Më çuan te shtëpia e Fredit, që ishte afër komisariatit. Ishte afër degës. Një ndërtesë me katër mure dhe një vendstrehim. Aty ishte Arben Boriçi, Dritan Çela, Erjoni. Më gjakosën dhe më pas ma futën kokën në lavaman duke thënë se s’kishte gjë edhe po të vdisja. Atë ditë me thyen edhe dy gishtat e vegjël. Unë nuk e kuptova pse më morën. Di të them se ditën kur u vra Genci Kashari në lokal kishte shumë njerëz, ndërsa te makina ku ishte Tur Daja nuk kishte njeri. Aty nuk afrohej njeri nga frika. Pashë se u afrua Tur Daja, mori pistoletën e shoferit dhe bërtiti: ‘Me këtë pistoletë doje të më vrisje ti mua?”. Ai qëlloi shoferin të parin, që ishte djalë i ri e më pas vëllanë e Alfred Shkurtit.
29 Prill 2010