E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramazan Zeneli: “Aldo Bare e vrau Genc Kasharin me bukë në gojë”



Laureta Rryçi

Dëshmitarët “kryqëzojnë” kreun e bandës së Lushnjës. Aldo Bare është përmendur në të gjitha dëshmitë që dhanë dëshmitarët si personazh në krime të ndryshme. Për herë të parë pas 12 vitesh erdhi dje babai i Nimet Zenelit, vrarë në Kolonjë të Lushnjës nga grupi i Aldo Bares. Dëshmitari i thirrur nga akuza, Ramazan Zeneli, rrëfeu dje mbi vrasjen e Genci Kasharit në vitin 1997 dhe ekzekutimin e të birit, Nimet Zeneli. Dëshmitari tregoi se Aldo Bare i vrau djalin e më pas i dërgoi në shtëpi pesë ushtarë të armatosur për t’i bërë presion me qëllim mbylljen e gojës. Por atë që bënte në ato vite, Aldo Bare nuk mundi ta bënte në seancën e djeshme. Dëshmia e Zenelit solli tension në sallën e gjyqit duke degjeneruar në fyerje. Aldo bare nuk kurseu sharjet më të rënda ndaj dëshmitarit. Kryesueses së trupit gjykues, Fatmira Hajdari, iu desh të mbante qetësi në sallën e gjyqit duke i kërkuar të pandehurit të mos fliste.
Dëshmia e Ramazan Zenelit
“Në vitin 1997 isha në Lushnjë. Isha te shtëpia e vajzës sime, te dhëndri. Ka qenë kohë dreke, dëgjova të shtëna. Bëhet fjalë për ngjarjen kur u vra Genci Kashari në lagjen ‘Kadri Qystri’. Vrapova nga lokali, që ishte larg shtëpisë vetëm 20 metra. Kur u futa brenda pashë që ishte vrarë Genci Kashari. Këtë djalë e njoh se e kisha në lagje. Edhe gojën e kishte me bukë. E pashë të shtrirë poshtë tavolinës. Gjithashtu jashtë lokalit, jo larg tij, pashë një makinë ngjyrë gri, ku ishin dy persona brenda të plagosur. Pashë që një person u afrua te kjo makinë dhe qëlloi në drejtim të të plagosurve”.
Pas këtyre deklarimeve prokurori kundërshtoi faktin që lidhej me praninë e Aldo Bares në vrasjen e Genc Kasharit. Më 27 prill 2006 dëshmitari është shprehur se ditën kur është vrarë Genci Kashari ka parë Aldo Baren të ikte me vrap në drejtim të Degës, duke mbajtur një automatik në dorë. Ndërkohë që vëllai i tij, Ramadan Shkurti, ndodhej i plagosur në makinë dhe u vra nga Tur Daja pak çaste më vonë, së bashku me shoferin që drejtonte makinën. Sipas dëshmitarit, vëllai i Aldo Bares ka qenë i veshur me rroba policie ditën që është vrarë dhe mbante armë në dorë. I armatosur ishte edhe shoferi. Vrasja e të birit
“Nimet Zeneli është djali im. E vranë. Arsyen përse e vranë e dinë ata që e qëlluan. Atë që e vrau e keni këtu dhe mund ta thotë shumë mirë. Ishte viti 1998. Në shtëpi më erdhi një djalë me emrin Gramoz Selmani dhe më tha se Meti është plagosur në Kolonjë. U nisa për atje. Sa vajta në Savër të Lushnjës vura re makinën e policisë që po më sillte djalin të vdekur. Bëra ceremoninë e varrimit. Pas riteve për vdekjen e djalit takova Gramoz Selmanin. Ai më tha se atë ditë ka qenë në makinë me djalin dhe me Masar Aliun. Selmani më tha se djalin ma vrau Enver Dondollaku dhe Arben Boriçi. Vrasjen e djalit e ka parë edhe mbesa ime që është në Kolonjë. Ajo më pati thënë se kishte parë një person që ikte me vrap se po e ndiqnin për ta vrarë. Por nuk mbaroi këtu. Pas vrasjes kam shkuar në Fier, në shtëpinë e Masar Aliut. Atje kam takuar Selmanin, që rrinte i fshehur nga frika se e vriste Aldo Bare. Ai më tregoi gjithçka. Madje më tha se Nimetin e vranë pasi kishte shoqëri me të dhe me Genci Kasharin. Dua të them se Nimeti u hidhërua shumë kur u vra Genci Kashari. Aldo Bare kërkonte të eliminonte gjithë shokët e tij dhe të Gramoz Selmanit. Pas ngjarjes erdhën katër persona në shtëpi të armatosur. Ata më thanë se duhej të shkoja më ta në Komisariatin Nr. 2 sepse më kërkonte shefi. U thashë se nuk e di se paska dhe komisariat tjetër në Lushnjë. Po kështu u thashë se nuk doja që të shkoja dhe nuk vajta. Ata më thanë se nëse nuk do të veja me dëshirë, do të më merrnin. Më thanë se ‘ti nuk ke punë me shefin, por ai ka punë me ty, se ty nuk të rri gjuha rehat’. Të gjithë e dinin në Lushnjë se Aldo Bare ishte shef i Komisariatit Nr. 2, që ndodhej ngjitur me atë të shtetit, muri i ndante. Personat që erdhën tek unë ishin civilë dhe të armatosur. Aldo Baren nuk e kam njohur më parë. Emrin e tij e kam dëgjuar pas vrasjes së djalit. Më thanë se djalin ta vrau Aldo Bare”.

boc
Aldo Bare kërcënon sërish në sallën e gjyqit

Aldo Bare u irritua sërish dje nga dëshmia e Ramazan Zenelit. Fillimisht ai pyeti nëse e njihte apo jo dhe dëshmitari iu përgjigj se nuk donte ta njihte dhe kurrë mos t’ia shihte fytyrën. Por i pandehuri u irritua duke sharë dhe e quajti majmun. “Mbylle gojën more majmun!” - i tha Bare. Edhe ndërhyrja e gjyqtares Fatmira Hajdari nuk e qetësoi Baren. “Ty të erdhën personat në shtëpi e ti nuk kishe frikë”, - i tha ai. Përsëri ndërhyn gjyqtarja duke i thënë të mos i bënte presion dëshmitarit. Por Bare i drejtohet Hajdarit duke i thënë: “Zonja gjyqtare, e paske marr me shumë nxitim. Zonja kryetare, po të duroj si shumë. ǒa gjykate është kjo moj?! Mos më detyro të krijoj ndonjë incident. Ky është një plehër, qelbësirë, kushedi sa persona ka vrarë me duart e tij”.

Dëshmitari: “Bare kërkonte informacion për vendndodhjen e Selmanit”

Procesi ndaj Aldo Bares vijoi dje me dëshminë e Dervish Arapit. Ky i fundit tregoi se Gramoz Selmani i kishte marrë vajzën shumë të vogël dhe ia kishte çuar në Itali. Pas kësaj ngjarjeje, Arapi shtoi se Aldo Bare e dinte këtë fakt dhe i dërgonte haber në shtëpi nëpërmjet nuses së djalit. Bare kërkonte të dinte se ku ndodhej Gramoz Selmani me qëllim eliminimin për t’u hakmarrë për vëllanë e tij. Por Bare shfrytëzonte pikën e dobët të Arapit dhe e detyronte atë që me kujdes dhe pa e mësuar të tjerët t’i tregonte ku ndodhej Selmani. “Unë kam shtatë fëmijë. Pesë vajza dhe dy djem. Një vajzë e ka marrë Gramoz Selmani që në vitin 1997 dhe iku në Itali. Para se të vritej Genci Kashari dhe vëllai i Aldo Bares, Selmani vinte te shtëpia ime, ndërsa prej dhjetë vjetësh nuk e kam parë. Nusja e djalit tim, që quhet Vjollca, e njihte Aldo Baren. Nëpërmjet saj ai më dërgonte haber se donte të më takonte. Kam vajtur disa herë në shtëpinë e tij, që e kishte ngjitur me Komisariatin e Lushnjës. Më ka pritur mirë dhe më tha se nuk kishte punë me mua, por donte të dinte se ku ndodhej Gramozi. Ai më tha se nëse vinte Gramozi në shtëpi unë duhej t’i tregoja pa e mësuar të tjerët. Unë kam vajtur disa herë te Aldo Bare pasi më dërgonte haber.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›