E Diel, 1 Nëntor 2026

Të evakuuarit nuk lëvizin, edhe pas tharjes së shtëpive

Rrezikohen nga ndotja prej ujërave të zeza dhe kafshëve të ngordhura

Edhe pse shtëpitë e tokat janë tharë në një pjesë të madhe të Nënshkodrës, banorët e evakuuar nuk mund të kthehen nëpër shtëpi, për shkak të ndotjes që përbën rrezik për shëndetin e tyre. Situata paraqitet më problematike në lagjen “Livade” në periferi të qytetit të Shkodrës, ku edhe pse uji po largohet, njerëzit nuk mund të hyjnë në shtëpitë e tyre, për shkak të erës së rëndë dhe ndotjes që kanë krijuar ujërat e zeza brenda shtëpive.
Një nga banorët e zonës, Tofik Arazi, thotë se “fëmijët dhe gratë janë duke qëndruar në hotel, aty ku i ka vendosur shteti, pasi nuk mund të hyhet brenda shtëpive. Uji ka ikur, por ka lënë pas mbeturina dhe ujëra të zeza që kanë shkaktuar një ndotje tepër të madhe. Brenda nuk mund të qëndrosh nga era e rëndë dhe është e rrezikshme, sepse mund të marrim ndonjë sëmundje. Po presim të vijnë njerëzit e shtetit për verifikuar dëmin dhe për të na bërë shtëpitë e banueshme, pasi këtu nuk jetohet më”.
Banorët e Livadeve ende qëndrojnë të evakuuar në qendrat e pritjes dhe tashmë për ta nuk është më problem uji që pak ditë më parë përmbyti qindra banesa, por ndotja që ai la pas.Ndërkohë, uji vazhdon të largohet me shpejtësi drejt detit, duke liruar orë pas ore hektarët që mbuloi për dy javë. Kështu nga shtatë komuna të përfshira në përmbytje, dje kanë qenë nën ujë vetëm disa fshatra në Komunën Dajç, Ana e Malit e Bushat. Banorët e zonës së Nënshkodrës tashmë kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e tyre së bashku me bagëtitë. Por ajo që ata konstatojnë në fushat e mbjella dhe brenda shtëpive është tepër e rëndë. çdo e mbjellë është shkatërruar në të njëjtën kohë dhe ushqimi i bagëtive.
Uji në pjesën më të madhe të zonave të Nënshkodrës i ka kaluar 120 centimetrat dhe kjo situatë ka bërë që çdo gjë që kanë lënë pa marrë me vete e kanë gjetur të shkatërruar. Edhe në fshatra, ndotja është problem i madh, sidomos aty ky ka ngordhje bagëtish apo shpendësh. Një situatë e tillë është në disa fshatra të Dajçit, në Dargjat dhe Shqirgj ku shihen mbi sipërfaqe të ujit me qindra pula të ngordhura. Problem serioz në të gjithë zonën e Nënshkodrës mbetet edhe uji i puseve, i cili aktualisht është i ndotur dhe i rrezikshëm për t’u përdorur.
Sa i përket dëmshpërblimit, procesi i verifikimit të dëmeve ende nuk ka nisur. Kryetari i Komunës Dajç, Arben Gjuraj, thotë se: “Për fat të mirë, të gjitha bagëtitë dhe gjëja e gjallë ka qenë e regjistruar para përmbytjes, pasi në zonë ishte duke u aplikuar një projekt dhe kjo do të na ndihmojë që të jemi të saktë në përcaktimin e dëmit. Brenda pak ditësh do nisë dhe inspektimi në terren për të parë gjitha dëmet që ka shkaktuar përmbytja”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›