E Shtunë, 31 Tetor 2026

I morën çmimet

Ceremonia e dhënies së çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës, e cila ishte paraparë të mbahej në ditën e shënimit të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, u mbajt tek mbas dy javëve. Duke mos dhënë ndonjë sqarim për këtë vonesë kaq të madhe, të ënjtën, në Galerinë e Arteve, ministri i kulturës, Valton Beqiri, qëndronte i buzëqeshur derisa fotografohej, rend e rend, me laureatët e këtyre çmimeve.

Gjatë këtij akti solemn, ministri Beqiri mbajti një fjalë rasti në të cilën tha se organizimi i kësaj ceremonie është edhe një dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit institucional të MKRS-së për mbështetjen, stimulimin dhe promovimin e vlerave të letërsisë sonë kombëtare. Në këtë kontekst, shtoi ai, sivjet MKRS e ka zgjeruar gamën e çmimeve letrare, disa nga të cilat jepen për herë të parë.

“Ky është një hap i vogël në zgjerim të një game të çmimeve në Kosovë, e cila besoj se do të jetë një motiv më tepër për të gjithë ata letrarë shqiptarë që merren me artin e shkrimit”, u shpreh ministri Beqiri.

Më tutje, Ministri Beqiri i përgëzoi laureatët e çmimeve letrare për vitin 2009, duke theksuar se MKRS do të vazhdojë ta mbështesë krijimtarinë letrare jo vetëm përmes këtyre çmimeve, por edhe përmes botimit dhe promovimit të saj.

Të pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve ishin edhe vet laureatët e çmimeve: Nazmi Rrahmani, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, Gëzim Aliu, fitues i Çmimit letrar për librin më të mirë të vitit 2010 në prozë për romanin “Në klubin e të shëmtuarve”, Ag Apolloni me Çmimin letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për poezi për veprën “Zomb”, Ibrahim Berisha fitues i Çmimit letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për kritikë, eseistikë për veprën “Konvergjenca intelektuale” dhe përkthyesi Bekim Bejta fitues i Çmimit letrar për librin më të përkthyer në gjuhën shqipe për veprën “Raga – afrim i kontinentit të padukshëm” nga Jean-Marie Gustave le Clezio, të përkthyer nga gjuha frënge. Në këtë ceremoni mungonte vetëm një, Rexhep Hoxha, i cili ishte shpallur bashkëfitues i Çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”, por e kishte refuzuar këtë çmim, duke pohuar se nuk donte të merrte çmim nga një qeveri e korruptuar.

Në emër të laureatëve të shpërblyer, me një fjalë rasti, u paraqit shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili tha se ky është një moment i rëndësishëm në jetën e autorit që i bie hise ta përjetojë sepse nuk e kanë këtë privilegj të gjithë autorët që e meritojnë. “Aq më tepër autorët e letërsisë sonë, të cilët, siç dihet, kanë kaluar nëpër një rrugë e cila jo gjithmonë ka qenë e hapur dhe e lehtë as e sigurt dhe as e çelur më parë. Sepse ka qenë rrugë e këputur në krijimtarinë e deriatëhershme për të harruar dhe për të fshirë në kujtesën tonë atë që kishte filluar shumë herët me mundim dhe sakrifica të mëdha”, u shpreh Rrahmani.
Në fjalën e tij, ai u bëri një homazh shkrimtarëve të ndjerë, që kanë krijuar në kushte të vështira, e që sipas Rrahmanit, e kanë merituar një çmim të tillë.

“Kur në Kosovë u botuan veprat e para të autorëve shqiptarë mbas një historie të këputur dhunshëm, ato u pritën dhe u përshëndetën si një sihariq i rëndësishëm për ne, për popullin tonë dhe nxënësit e parë, studentët e parë e natyrisht për lexuesit e parë. Prandaj tani është koha kur me këtë çmim dhe me çmime të tjera të ngjashme kanë fatin dhe nderin të nderohen ata autorë të cilët e kaluan këtë rrugë, bënë emër dhe u bënë pjesë e lexuesit dhe e kulturës sonë”, tha Rrahmani. Ai ndjeu keqardhje që një mundësi të tillë nuk e kanë pasur edhe shumë autorë të tjerë që gjithsesi e kanë merituar e tashmë nuk janë më në mes nesh.

“Shpresoj se në shtetin e ri të pavarur të Kosovës gjithnjë e më tepër veprat e tyre dhe jo vetëm të tyre por edhe të brezave të tashëm dhe të ardhshëm do të gjejnë gjithnjë e më tepër vend në themelet krijuese të kësaj fushe”, shtoi ai. Në këtë mënyrë, sipas Rrahmanit, jo vetëm që vepra letrare do të bëhej pronë e lexuesit por ajo e ardhshmja do të ketë mundësi të ecë përpara, që krijimtaria të begatohet me krijues dhe vepra të reja dhe të rëndësishme.

Ndërkaq, në këtë ceremoni solemne u tha se MKRS tashmë ka vendosur që mjetet materiale të çmimit të refuzuar nga shkrimtari Rexhep Hoxha t’i destinojë për botimin e letërsisë për fëmijë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›