E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një poet dhe Dashuria

Gjithçka, gjithsesi, rrotullohet rreth ndjenjës, si rreth perlës së guaskës së supozuar, pra si kërkuesit humbës, apo pothuaj fitimtar, mbi një mal guaskash të mbyllura, përmes së cilës, si gjilpëra në rërë, gjendet perla e dashurisë. Unë e kam të vështirë të besoj se e kemi gjetur dhe nëse po, e kam të vështirë të hamendësoj që e kemi pronësuar, e kemi prekur, apo e kemi mbyllur një herë grushtin, pa na rrëshqitur, ajo masë e fortë, e herë e ajrët, nga hapësirat e gishtave, apo përmes poreve të lëkurës për të dalë nga ato të jashtmet e lëkurës së kurrizit.

Dashuria është “alkimia” dhe hëna që nuk futet dot në shtrat, është kali fluturues, e amfora magjike, është lumi që rrjedh e ylli detar që s'mund ta kemi kurrë me vete, për së gjalli. Në fakt të tërë ata që shkruajnë, janë në dijeni, që t’i plasësh në prehër dorezën e duelit Dashurisë, është si t’i plasësh dorezën e duelit Universit, si milingona t'i shpallë lufte luanit, e luani instinktit makabër për mbijetesë!

Natyrisht Demir Gjergji, e di që e vetmja mënyrë për ta ftuar ca kohë në takim Dashurinë, është ta përkëdhelë, ta ledhatojë, e t’i këndojë. Jeta e të tjerëve dhe jetët e tij, i kanë mësuar Demirit që Dashuria do t’i zgjasë një tufë dashurish, si një tufë degësh molle. që shkëputur nga trungu (burimi) një ditë do të thahen, vdesin, por i do dhe i idealizon këto “degë”.

S'më vjen për osh t'ju rrëfej se çfarë më zbuloi Demiri me poezitë e tij, sepse do rrezikoj të humb fije-fije, përmes filtrave personal ajo ç'ka i bën poezitë një çështje personale mes asaj dhe lexuesit, pa të tretët në mes, është si të thashethemnosh mbi një ditar të mbushur me simbole erotike e dashurore (duke i parë si dy gjëra të ndryshme), dhe si e tillë çdo lexues gjen çelësin e tij parandjesor për të zbërthyer simbolin modest, që pret aty brenda. Mund të them vetëm që nuk duket një vëllim i parapunuar, i paracaktuar, (me gjithë kohën që mund t’i jetë kushtuar realisht), duket një krijim i mërguar përtej kufirit, duket si një ekzistencë e nisur për këtu ... por e përfunduar për atje..., që tashmë nuk është më në dorën tënde, është sikur fëmija që lind, e në momentin që nëna sforcohet t’i nxjerrë kokën, do të dalë vetë, me dhunë, me dhe teka, është krijuar, është vetëpërcaktuar...

Përgjatë poezive dëgjohet një linjë muzikaliteti që shoqëron, duke iu përshtatur besnikërisht poezisë, stilit e objektit (domethënë, ajo ç'ka brenda korniza, në do të quhej kornizë), tërë vijueshmërinë e rrëfimit. Në këtë rrëfenjë është si të zbresësh në një tjetër satelit, mbushur me pyje e lumenj ndryshe, të animizuar, të ndryshueshëm në lëvizje, formë e ngjyrë! Natyrisht ne krijuesit kemi tendencën të mos besojmë se do lindim të tjera prezenca më të përkora, tentojmë të dashurojmë atë të fundit. Por unë e di, ka gjithmonë të tjera e të tjera gjithmonë e më të çuditshme, të hallakatura e të mrekullueshme, derisa t’i ngjitemi malit, e prej andej të zbresim modestish, siç duhet të bëjë çdo artist më i fisëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›