Muça, pasardhësi i Daliç te kampionët dinamovitë
Gjergj Vyshka
Shkëlqim Muça, ish-trajneri i Tiranës, por dhe ish-shefi i klubit bardheblu, tashmë është tekniku i ri i Dinamos. Burime pranë presidencës dinamovite shpjegojnë se thuajse është punë e mbaruar që Muça të jetë tekniku i bluve, ndonëse kanë mbetur detajet e fundit sot paradite, kurse pasdite trajneri i ri do të udhëheqi stërvitjen e parë me kampionët në fuqi të kategorisë superiore. Në fakt, dje pasdite si presidenca dinamovite, ashtu dhe vetë tekniku i ri i bluve s’ka dashur ta konfirmojë këtë vendim. “Sot është ditë pushimi – ka shpjeguar zëvëndëspresidenti Braçe – dhe për rrjedhojë nuk ka zhvillime. Mund të pritej një takim në mbrëmje, por nuk është kryer. Sot mund të presim ndonjë gjë”. Nga ana tjetër, Muça ka deklaruar për “Panorama Sport” se parimisht është rënë dakord, por pritej që ta thërrisnin drejtuesit e Dinamos. “Ne kemi biseduar – shpjegon Muça – kemi rënë parimisht dakord. I kam dhënë ofertën time dhe pres që të më thërrasin tani”. Në mediat vizive është bërë e ditur që Muça është trajner i ri i Dinamos, ashtu sikurse dhe në faqen zyrtare të dinamovitëve në Fejsbuk, F.K. Dinamo. Madje në këtë faqe ishte bërë e ditur dhe afati i kohëzgjatjes së kontratës me Muçën, që do të jetë një vit e gjysëm. Por përtej këtyre gjërave, dinamovitët dhe trajneri i ri Muça, deri dje në mbrëmje, nuk kanë konfirmuar asgjë. Megjithëse burime të afërta pranë presidencës e kanë bërë pothuajse të mbaruar, teksa priten që të kryhen detajet e fundit sot paradite. Muça si një ish-bardheblu do të thyejë dhe “tabutë”, sepse u bënë gati 30 vjet që një ish-tiranas nuk drejton dinamovitët. I fundit është i ndjeri Bahri Ishka në fillimin e viteve 80’-të, kur e ka drejtuar këtë skuadër në Kupën e Kupave me Aberdinin e Skocisë, 0-0 dhe 0-1. Muça, në fakt, ka qenë ndër të preferuarit e presidencës dinamovite, paçka se prej tyre deri ditën e zyrtarizimit të emërimit të tij në krye të pankinës blu ata kanë pohuar se kanë dhe 3-4 kandidatura të tjera. Veçse Muça ka qenë më e fortë dhe gjithçka ka përfunduar, por zyrtare do të bëhet vetëm sot. Tashmë ajo që duhet parë është se si do ta presin dhe tifozët dinamovit, sepse shumë prej tyre nuk e shohin me sy të mirë afrimin e Muçës në krye të Dinamos. Por përvoja e ish-trajnerit të Tiranës, aq më tepër që presidenca kërkon dhe titullin kampion, do ta ndihmojë këtë skuadër të eci përpara. Ndaj dhe Shkëlqim Muça është trajneri i bluve. Blutë kanë qenë pushim dje dhe do të bashkohen në stërvitje vetëm sot pasdite. Madje do të jenë nën udhëheqjen e Shkëlqim Muçës, i cili do të drejtojë dhe seancën e parë stërvitore, kur do të ketë përkrah ndihmëstrajnerin Artan Mërgjyshi. Mungon vetëm përgatitësi i portierëve, Ilir Bozhiqi, sepse për tre ditë do të jetë te U-21 në zborin që do të bëjë trajneri i kësaj skuadre, Artan Bushati. Mbetet për t’u parë gjendja e Pishës dhe e Sefës, kurse nis sot java anti-Apoloni.