E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sefa do titullin e dytë

 

Mesfushori i talentuar i Tiranës, Jetmir Sefa, vazhdon të mbetet një nga lojtarët titullarë të Tiranës prej afro katër sezonesh, duke u aktivizuar ndonjëherë si titullar edhe në ndeshje shumë të rëndësishme që bardheblutë kanë zhvilluar dhe në kompeticionet ndërkombëtare. Dëshira e tij është të fitojë titullin e dytë me bardheblutë dhe të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Sefa është aktivizuar me sukses edhe në kombëtaren e Shpresave dhe një ditë beson se do të veshë dhe fanellën e ekipit përfaqësues. Megjithatë, për momentin ai mendon të japë maksimumin dhe të fitojë titullin me Tiranën. I ka mbetur peng që ka munguar në sfidën derbi ndaj Dinamos, ku bardheblutë shënuan një nga fitoret më spektakolare të këtij sezoni, ku fituan 4:2 ndaj një rivali të fuqishëm për titull, madje një fitore mjafte  bujshme që nxori “nëndetësen” jashtë luftës për titull. “Do të dëshiroja shumë të isha në fushë atë ndeshje, por isha i skualifikuar dhe humba kështu një ndeshje të madhe, që i dha vlerën e duhur skuadrës tonë. Në një farë mënyre ishte një rikthim fantastik i ekipit, që pati mbyllur pjesën e parë të sezonit në një pozicion jo komod. Sidoqoftë, fitorja në derbi dhe kjo tjetra ndaj Shkumbinit na kanë kthyer besimin ne vetvete dhe mendojmë se këtë sezon do të rikthejmë kupën e kampionatit në gjirin tonë. Mundësitë janë të mëdha dhe grupi po bën përpjekjet e duhura në këtë drejtim”, është shprehur Sefa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›