I moshuari kishte shkruar disa letra për policinë
Fillimisht është menduar se vrasja mund të ishte kryer për motivin e grabitjes, por njohja me emrin e viktimës dhe rrethanave të tjera ka bërë që pista ku është përqendruar policia të jetë ajo e konfliktit për pronën. Burimet zyrtare të policisë së Fierit tregojnë se viktima kishte dërguar shpeshherë letra në drejtim të komisariatit dhe drejtorisë së qarkut. Madje, në disa raste në konfliktin për pronën që është regjistruar mes Ferit Hoxhës dhe të afërmve të tij është dashur ndërhyrja e policisë. Konkretisht, policia detajon për "Shqip" se Ferit Hoxhaj ka qenë në konflikt me të vëllain e tij për çështjen e një sipërfaqeje me ullishta. I vëllai dhe djemtë e tij pretendonin për pronësinë e ullishtave. Debati për menaxhimin dhe administrimin e tyre ka sjellë konflikt mes vëllezërve, konflikt që më parë është zbutur falë edhe ndërhyrjes së policisë. Pikërisht te kjo pistë është përqendruar policia, burime të së cilës thonë se në pyetje janë marrë edhe mjaft të afërt të tij, përfshi këtu edhe i vëllai dhe nipërit. Policia është vendosur që nga mëngjesi i së premtes në fshatin Kuqar dhe drejtues të saj shprehen se shumë shpejt do të ketë autor për këtë ngjarje.