Serbia, lobing kundër Shqipërisë e Bosnjës për vizat
"Beogradi ka aktivizuar diplomacinë e saj në një ofensivë kundër Shqipërisë dhe Bosnjës për të penguar liberalizimin e vizave nga BE-ja për këto dy vende". Akuzat ndaj Beogradit kanë qenë të ashpra dhe as më pak e as më shumë kanë ardhur nga një eurodeputet, gjatë një seance në Parlamentin Europian, ku ishte prezent edhe shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç. Eurodeputetja Sarah Ludford tregoi këtë lëvizje të diplomatëve serbë dhe i kërkoi llogari ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç, në Komitetin e Jashtëm Parlamentar. "Ambasada juaj këtu në Bruksel ka lobuar pranë eurodeputetëve kundër qëndrimit që Parlamenti Europian po ndërmerrte e që ishte konfirmimi i menjëhershëm i perspektivës së liberalizimit të vizave për tri vende të Ballkanit, përfshi Serbinë, por me synimin për të përfshirë edhe Shqipërinë e Bosnjën në të, duke nënvizuar përmbushjen e kritereve, çfarë nuk u arrit. Mirëpo u zhgënjeva që ambasada juaj këtu po lobonte ndaj eurodeputetëve kundër këtij qëndrimi", akuzoi Ludford kryediplomatin e Beogradit. Nga ana e tij, Jeremiç ka reaguar menjëherë, duke e hedhur poshtë këtë akuzë. "Me gjithë respektin e duhur, automatikisht refuzoj të gjitha akuzat ndaj zyrtarëve serbë. Me fjalë të tjera, që zyrtarët e ambasadës serbe në një mënyrë apo në një tjetër kanë punuar kundër liberalizimit të vizave ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Nëse doni qëndrimin zyrtar të qeverisë serbe, ne mendojmë se duhet të ketë regjim të lirë vizash që nesër", tha ai. Sipas eurodeputetes Ludford, diplomati serb kishte dërguar një e-mail ndaj një eurodeputeti holandez, të cilit i kërkonte në konfidencë që Komiteti për Çështjet e Sigurisë, Lirisë dhe Drejtësisë të mos mbështeste raportin e Tanja Fajon për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në të njëjtin propozim të Komisionit për liberalizimin e vizave, pasi një gjë e tillë cenonte interesin e Serbisë për lëvizje të lirë të qytetarëve të saj brenda afatit të premtuar, janar 2010.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, duke folur në Parlamentin Europian në Bruksel ka thënë se autoritetet serbe nuk mund t‘u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhjet lokale, sepse kjo do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244 dhe të Kushtetutës së Serbisë.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, duke folur në Parlamentin Europian në Bruksel ka thënë se autoritetet serbe nuk mund t‘u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhjet lokale, sepse kjo do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244 dhe të Kushtetutës së Serbisë.