I nderuar zoti Kryetar, Të nderuar deputetë, E trajtova me seriozitet kërkesën e deputetit socialist Gjoni për t'ju përgjegjur shqetësimit të tij mbi shkallën e interesit të qeveri
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
E trajtova me seriozitet kërkesën e deputetit socialist Gjoni për t'ju përgjegjur shqetësimit të tij mbi shkallën e interesit të qeverisë për zhvillimin e zonave verilindore dhe zonën e Dibrës në veçanti, duke e konsideruar në të njëjtën kohë si një rast për të ritheksuar atë që kam deklaruar dhe më parë në Kuvend, se interesi ynë ndaj këtyre zonave nuk është vetëm politik, ekonomik, social e gjeostrategjik, por dhe një kthim vëmendjeje mbas politikave të gabuara të ndjekura përgjithësisht ndaj tij në një të shkuar jo aq të largët.
Ky është një interes i shprehur dhe në buxhetin e shtetit për vitin 2002, të miratuar dhe prej deputetit që ngre këtë shqetësim. Ky interes ka mbetur i pacënuar edhe mbas ndryshimeve që iu bënë buxhetit në maj të këtij viti, gjithashtu të miratuar në Kuvend, si një përpjekje për të ruajtur treguesit kryesorë makroekonomikë e fiskalë, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe qëndrueshmërinë financiare të arritur në vitet e fundit. Konkretisht do t'u përgjigjem këtyre pyetjeve:
1- A ka qeveria në programin e saj një strategji të studiuar për zhvillimin e zonave verilindore? Nëse po, cilat janë ato drejtime konkrete dhe veprime konkrete të kësaj strategjie?
Dëshiroj të përsëris për deputetin Gjoni se strategjia e zhvillimit të zonave verilindore është e integruar në programin ekonomik të zhvillimit të vendit, synim i të cilit është rritja ekonomike me ritme të larta, të qëndrueshme, përfshirëse dhe të balancuara.
Qeveria shqiptare është e angazhuar që të bëjë evidentimin e nivelit të zhvillimit dhe problematikave të veçanta për çdo rajon të vendit, duke nxitur dhe rekomanduar mbështetje të posaçme dhe politika të diferencuara për zona të ndryshme, në të cilat natyrisht përfshihet dhe zona e Dibrës dhe shqetësimi i deputetit Gjoni.
Krijimi i marrëdhënieve të reja mes pushtetit qëndror dhe atij lokal, procesi i decentralizimit të tij në vendimmarrje, bën që në të njëjtën kohë të rritet dhe përgjegjësia e të zgjedhurve lokalë për menaxhimin e fondeve dhe kompetencat e drejtpërdrejta për përdorimin e tyre, në bashkëpunim edhe me komunitetin.
Shkurtimisht do të përmendja se investimet e parashikuara në infrastrukturë, në ujësjellësa, në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit nuk preken edhe mbas ndryshimeve të miratuara të buxhetit. Sidomos ndërhyrjet në infrastrukturë që janë parashikuar të kryhen në zonën verilindore do të japin një impakt të shpejtë dhe pozitiv për të gjithë zonën.
Në programin e qeverisë është përcaktuar se nxitja zhvillimit të sektorit privat, garantimi i mbështetjes së tij me politika komplekse, transparente, institucionalizimi i partneritetit me të dhe respektimi i ndërsjelltë i të drejtave e detyrimeve reciproke, do të bëjë të mundur promovimin e një sektori dinamik të biznesit privat në të gjithë vendin duke krijuar kështu një mjedis tërheqës edhe për investimet private në zonën verilindore.
Janë në proces përmirësime në fushën e telekomukikacioneve, çka do të sjellë rritjen e shkallës së përdorimit të telefonisë fikse dhe celulare.
Po kështu, privatizimi i sektorëve strategjikë, si minierat e kromit, bakrit dhe sektorit energjitik, pritet të japë gjithashtu një impakt të fortë zhvillimi për zonën verilindore ku dhe ndodhen këto investime.
2- A e njeh dhe a e pranon qeveria shkallën e varfërisë dhe të papunësisë në këto zona? Cilat janë ato dhe si paraqiten në krahasim me zonat e tjera të Shqipërisë? Përse janë lënë jashtë vëmendjes suaj problemet themelore që preokupojnë banorët e Dibrës?
Qeveria shqiptare ndjek me ndjeshmëri të thellë të gjitha zhvillimet sociale të zonave verilindore, si shprehje e drejtpërdrejtë e zbatimit të programit të saj. Ajo është e ndërgjegjshme që niveli i varfërisë, por dhe i papunësisë është më i lartë në zonat verilindore, si Kukësi, Dibra, Puka, por i të njëjtëve nivele është dhe në Elbasan, Gramsh e Librazhd.
Gjendja është e evidentuar dhe janë të përcaktuara tashmë drejtimet themelore për përmirësimin e saj. Politikat për reduktimin e varfërisë janë orientuar drejt faktorëve me efekte të drejtpërdrejta në standartin e jetesës duke planifikuar zhvillimin e sektorëve me ndikim të shpejtë në këtë standart.
Në buxhetin e këtij viti dhe në programet afatmesme në fushën e punësimit dhe çështjeve sociale janë përcaktuar si prioritete rritja e masës së ndihmës ekonomike për familje, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e pagesës së papunësisë, rritja e pagesës për të paaftët dhe përmirësimi i kujdesit social.
Duke njohur nivelin e varfërisë për Qarkun e Dibrës dhe për shkak të këtij niveli, qeveria trajton me ndihmë ekonomike 34 për qind të familjeve në këtë qark, kur në shkallë vendi trajtohen mesatarisht vetëm 15 për qind e familjeve. Në krahasim me një vit më parë, ky fond është rritur gjithashtu me 41 për qind më shumë. Qarku i Dibrës përfiton 13 për qind të gjithë fondit të ndihmës ekonomike në shkallë vendi.
Po kështu, është në zbatim projekti i "Asistencës nga Programi Botëror i Ushqimit", ku në qarkun e Dibrës përfitojnë dy mijë familje nga tetë mijë që janë gjithsej në shkallë vendi.
Duke ju referuar shifrave dua të theksoj se përfitojnë 27 776 pensionistë, ndërkohë që kontribuojnë vetëm 18 900 persona, trajtohen me pagesë papunësie 1 133 të papunë dhe trajtohen me ndihmë financiare 3 277 të paaftë.
Shpjegimi që mund t'u jepet këtyre shifrave përgënjeshtron çdo shqetësim për lënie jashtë vëmendjes së qeverisë të këtyre problemeve që ndeshen në Qarkun e Dibrës. Ato janë të njohura dhe po punohet për zbutjen dhe eliminimin gradual të tyre.
3-Çfarë i ka ndodhur qeverisë Majko që ka ulur në mënyrë drastike nivelin e investimeve për zonën Verilindore e në mënyrë të veçantë për Dibrën?
Niveli i investimeve për zonën e Dibrës, jo vetëm që nuk është ulur, por pavarësisht ndryshimeve që iu bënë buxhetit, ka mbetur në të njëjtin nivel të parashikuar. Fondi i investimeve mbetet 62.9 milion lekë, po aq sa dhe ka qenë i planifikuar.
Konkretisht, në tërësi për zonat verilindore për industrinë minerare janë nënshkruar dy marrëveshje; për industrinë e bakrit ka një investim total prej 25 milion dollarësh për një periudhë 7 vjeçare dhe për industrinë e kromit një investim total prej 20 milion dolarrësh për një periudhë 8 vjeçare.
Në fushën e energjitikës parashikohet reabilitimi i hidrocentralit të Fierzës, Ulëzës dhe Shkopetit dhe fuqizimi i nënstacionit të Peshkopisë. Ndërhyrje janë planifikuar në rrjetin e shpërndarjes, për ndërtim e reabilitim linjash, ndërtim kabinash dhe kompletim me matje për Kukësin, me një total prej 260 milion lekësh.
Janë në fazën e studimit dhe gjetjes së burimeve të financimit projektet për dyfishimin e kapacitetit të transmetimit të linjës së tensionit të lartë Fierzë – Prizren, nënstacioni i ri në Kukës dhe linja e tensionit të lartë Fierzë – Kukës.
Në fushën e telekomunikacioneve është shënuar gjithashtu progres; në Dibër është instaluar centrali me 4 mijë numra dhe është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2002 ndërtimi i rrjetit të ri kabllor me kapacitet 3100 kopje dhe me kosto 80 milion lekë.
4- A mendoni se zona veriore dhe popullsia e tyre është jashtë vëmendjes së qeverisë, madje nënvleftësohet për të mos thënë përçmohet qëllimisht.
Preferoj të jap një përgjigje tepër të shkurtër mohuese, pikërisht në shenjë respekti e detyrimi moral dhe politik për banorët e zonës së veriut.
5- Si mendoni se do të ndërtoni rrugën e Kosovës ndërkohë që nuk keni menduar asgjë për të lidhur zonat e veriut me kryeqytetin?
Unë nuk di të kem filluar të mendoj për ndërtimin e rrugës së Kosovës, por nëse ju i referoheni inisiativës për ndërtimin e segmentit Durrës – Kukës – Morinë, i cili përfundon në Prishtinë, dua t'ju them se kjo rrugë shërben për të lidhur veriun e Shqipërisë me Durrësin dhe Tiranën.
Ndërtimi i saj nuk cënon lidhjet e veriut me pjesën tjetër të vendit, por përkundrazi i vitalizon ato, jep premisa për zgjerimin dhe afrimin e tregut dhe është në harmoni me programet e projektet strategjike për zhvillimin e vendit.
Ju faleminderit!