I nderuar zoti kryetar Të nderuar deputetë, I nderuar zoti Arbnori, Ju faleminderit që më dhatë mundësinë që të paraqitem sot në Kuvend me kërkesën tuaj, për t'ju përgjigjur s
I nderuar zoti kryetar
Të nderuar deputetë,
I nderuar zoti Arbnori,
Ju faleminderit që më dhatë mundësinë që të paraqitem sot në Kuvend me kërkesën tuaj, për t'ju përgjigjur shqetësimit që keni shprehur mbi një deklaratë televizive që kam dhënë dhe njëkohësisht për të afruar konsideratën time politike për respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Më lejoni, gjithashtu, i nderuar zoti Arbnori, të shfrytëzoj rastin për të shprehur sërish respektin tim të thellë për vuajtjet e pashembullta dhe kalvarin e rëndë të persekucionit që ju mundet te përballonit si pakkush, për shkak të diktaturës komuniste, për shkak të represionit politik dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut që ishin ngritur në sistem.
Edhe për këtë arsye, por jo vetëm për të, e konsideroj shqetësimin tuaj të ligjshëm, moral dhe qytetar, si dhe mirëkuptoj ndjeshmërinë tuaj të thellë mbi këtë çështje. Mbi të njëjtën bazë, dëshiroj të sqaroj Kuvendin dhe të theksoj vullnetin e thellë politik të qeverisë shqiptare, në respektimin pa kushte të të drejtave të njeriut.
Që në krye të herës, më lejoni, i nderuar zoti Arbnori, që të nënvizoj se qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj të drejtave të njeriut, nuk mund të modifikohet, anashkalohet apo të keqadministrohet në bazë të deklarimeve politike. Kushtetuta e Re Shqiptare ka një qëndrim të përcaktuar qartë dhe të standarteve më të përparuara evropiane në këtë drejtim dhe çdo qëndrim i përkundërt që do të cënonte të drejtat e njeriut, do të ishte cënim i thelbit të vetë Kushtetutës.
Deklarimi im në Vlorë është bërë në një kontekst të caktuar dhe i shkëputur nga ky kontekst, besoj se mund të lerë shteg për keqkuptime dhe keqinterpretime.
Në Vlorë kam folur mbi çështjen e trafikut të qënieve njerëzore, këtë veprimtari të mirëfilltë të krimit të organizuar dhe mbi luftën që të gjithe institucionet shtetërore dhe opinioni publik shqiptar duhet të ndërmarrin ndaj kësaj plage të rëndë të shoqërisë sonë, që në këto dhjetë vitet e fundit, ka prodhuar viktima dhe probleme të shumta sociale.
Pak kohë më parë, në një mbledhje të qeverisë, kam kërkuar ngritjen e një blloku të parë të luftës institucionale ndaj trafikut të qënieve njerëzore, në të cilin kam përfshirë Ministrinë e Rendit, të Financave, Mbrojtjes, Drejtësisë, si dhe kam ftuar Prokurorinë e Përgjithshme që të ashpërsojnë masat në këtë luftë.
Ideja që kam shprehur në Vlorë i referohej një ligji të miratuar që në vitin 1994, ndryshuar në vitin 1999 dhe të rindryshuar një vit më pas, që disiplinon lëvizjen e mjeteve detare, skafeve. Kam bindjen se pavarësisht që ligji është i parametrave normalë, nuk ka dhënë rezultatet që priteshin. Nga brigjet tona ende skllavopronarët e qënieve njerëzore, vazhdojnë të nisin klandestinë në drejtim të Italisë duke e shndërruar trafikun në një minierë të vërtetë fitimesh për krimin, duke pasuruar serialin e vrasjes së viktimave të pafajshme, por dhe duke prodhuar një problem permanent politik mes Shqipërisë, Italisë dhe më gjerë vendet e BE-së.
Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë në pafundësi të cënohemi në dinjitetin tonë kombëtar, si bashkëfajtorë në këtë krim të përmasave ndërkombëtare.
Duke shfrytëzuar pozicionin tim si kryeministër, deklaroj se do të nxis përpunimin e idesë për rishikimin e këtij ligji, me synimin për të thelluar edhe më tej masat restriktive në mënyrën e përdorimit të këtyre mjeteve lundruese, ndoshta deri në një ndalim të plotë, por të përkohshëm të lëvizjes me to.
Skafet e trafikut kanë prodhuar boll vdekje deri më tani dhe unë i konsideroj ato si një armë vrasëse. Dhe një armë e tillë meriton të bllokohet. Natyrisht jo kushdo që posedon mjete të tilla i përdor ato për të realizuar trafikim të qënieve njerëzore; janë këta qytetarë që do të dëmtohen nga një inisiativë e tillë, janë ata të cilët, për shkak të ligjit, do të privohen nga e drejta e tyre për të pasur pronësi mbi një mjet të tillë lundrues. Kjo inisiativë restrictive bashkëshoqërohet nga përpjekjet tona të vazhdushme për t'I krijuar mundësi më të shumta qytetarit shqiptar për lëvizje të lirë, një tjetër e drejtë e pamohueshme e tij. Unë jam i ndërgjegjshëm se suksesi i plotë në këtë sipërmarrje jo vetëm politike, kërkon një aksion të gjerë, kompleks dhe shumëplanësh, që natyrisht ka të nevojshme dhe ndihmesën e opozitës së përgjegjshme.
Nga ana tjetër, në Shqipëri ka kaluar koha kur politika dhe humoret e politikës së ditës të mund të ndikojnë në respektimin apo jo të të drejtave të njeriut. Rastet sporadike të shkeljeve janë nën vëmendjen kritike të qeverisë shqiptare, të institucioneve të shtetit shqiptar dhe do të luftohen me vendosmërinë që njeh dhe afron ligji.
Në përfundim, duke konsideruar se kam respektuar shqetësimin tuaj, do të dëshiroja, zoti Arbnori, që në këtë inisiativë, të jem i shoqëruar dhe nga shqetësimi juaj dhe pres që të bashkoj moralin e personalitetin tuaj politik në këtë luftë të përbashkët.
Ju faleminderit!