Zotërinj anëtarë të kabinetit qeveritar, Të gjithë jeni në dijeni se vetëm pak ditë më parë ndodhi në Otranto tragjedia e radhës. Shtatë qytetarë shqiptarë humbën jetën, në pÃ
Zotërinj anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të gjithë jeni në dijeni se vetëm pak ditë më parë ndodhi në Otranto tragjedia e radhës. Shtatë qytetarë shqiptarë humbën jetën, në përjekje për të emigruar. Shtatë qytetarë të tjerë shqiptarë u bënë viktima të krimit, duke e blerë vdekjen e tyre, duke shitur jetën te trafikantët.
Me këtë rast, në emrin tim, por edhe të qeverisë shqiptare, dua t'ju dërgoj ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe t'í siguroj ata se shteti shqipar po bën përjekje maksimale për të zbutur sa mund këtë tragjedi dhe se në këtë moment është pranë tyre.
Unë gjykoj se në humbjen e jetës së viktimave të Otrantos ka pjesë dhe bashkëfajësi e gjithë shoqëria shqiptare dhe qeveria shqiptare. Është bashkëfajtore mungesa e punës, mungesa e mundësive të plota për të siguruar një të ardhme më të mirë në vend, janë problemet e rendit, krimit, të krizave politike që kalojmë në mënyrë ciklike, mungesa e autoritetit të mjaftueshëm të pasaportës sonë që kufizon lëvizjen e lirë, kriza e dritave, gjendja e rrugëve e të tjera, e të tjera.
Pra, arsyet që gjenerojnë janë politike, sociale dhe morale.
Trafiku normalisht zgjeron hartën e krimit të organizuar dhe atij ordiner, rrit në mënyrë të ndjeshme problemet e tensionet sociale, bjerr besimin e publikut ndaj qeverisjes dhe politikës shqiptare në përgjithësi dhe gjeneron mundësi për korrupsion të strukturave shtetërore. Përkundër këtij rreziku duhet të angazhohemi të gjithë.
Kjo plagë dhjetëvjecare e shoqërisë sonë, kjo plagë që është bërë therëse, nuk mund të gjejë shërim vetëm me forcimin e masave represive të policisë dhe drejtësisë. Ajo mund të gjejë shërim duke minimizuar pikërisht ato shkaqe që përmenda më sipër, pra thënë me fjalë të tjera, duke garantuar zbatimin në mënyrë të plotë të programit të qeverisë sonë.
Për këtë, dëshiroj t'ju riftoj të gjithëve, e nëpërmjet jush t'í tërheq vëmendjen gjithë vartësve tuaj, gjithë administratës shtetërore për një ritëm tjetër pune, për një ritëm tjetër në përballimin e përgjegjësive dhe funksioneve, për rritjen e vendosmërisë në zbatimin e Kushtetutës që garanton mbrojtjen me ligj të së drejtës së individit për të jetuar.
Zotërinj,
Terrorizmi dhe trafiqet janë tashmë dy sfidat globale me të cilat po përballet sot e gjithë bota e civilizuar. Shqipëria ka pohuar vullnetin e saj të plotë politik në luftën kundër terrorizmit, ka afruar kontributin dhe partneritetin e saj maksimal në këtë luftë. Terrorizmi nuk ka ngjyrë tjetër përvec të zezës. Trafiqet e të gjitha llojeve, dhe kryesisht ai i qenieve njerëzore, nuk kanë kombësi. Nuk ka trafik shqiptar dhe të derivuar plotësisht nga Shqipëria. Ne jemi pjesë e së tërës, por, ne duhet të dëshmohemi si pjesë e luftës në bllok kundër fenomenit dhe mbartësve të tij kriminalë. Dhe kjo bëhet me angazhim të përditshëm.
Dua të kumtoj sot, se qeveria shqiptare shpall publikisht një aksion tërësor, shumëdimensional e konstant kundër trafiqeve të të gjitha llojeve dhe se qeveria angazhohet për ashpërsimin maksimal të luftës kundër trafiqeve.
Ne njohim problematikat tona që na e bëjnë të vështirë përballjen me këtë fytyrë të errët të krimit. Kontrolli i kufirit shtetëror është ende larg standarteve të kërkuara. Duhet të ndëshkohen rëndë dhe pa asnjë hezitim ata zyrtarë e punonjës policie, të cilët edhe pse paguhen nga shteti shqiptar, nuk ngurojnë të paguhen edhe nga trafikantët, të hyjnë në rrjetet e tyre, tú sigurojnë atyre mbështetje e tí ndihmojnë që tú shpëtojnë ndëshkimit ligjor; duhet të ndëshkohen rëndë dhe pa asnjë hezitim ata prokurorë e gjykatës, që kanë bërë pakt me paratë e zeza të krimit dhe i nxjerrin ata nga qelitë.
Unë dua të theksoj se nga pozicioni im si kryeministër do të nxis dhe do të ndjek në mënyrë të vazhdueshme të gjitha etapat e kësaj lufte të filluar, por ende të pafituar.
Nuk pres të fitojmë beteja të pjesëshme, pres të fitojmë luftën. Dhe kjo nuk është luftë personale, nuk është luftë e ngjyrave në qeverisje, por është luftë e një rëndësie strategjike kombëtare, madje më gjerë se kaq.
E përsëris, kërkoj nxitje të veprimtarisë të të gjithë dikastereve të përfshirë drejtpërdrejt në bllokun e parë të kësaj lufte. Kërkoj gjithashtu të nxis e të kërkoj një impuls të ri të punës të gjithë qeverisë dhe të administratës shqiptare në përgjithësi, të ndikoj në ndërgjegjësimin e opinionit publik e të strukturave aleate të shoqërisë civile.
Do të orientoj si një nga synimet e Ministrisë së Jashtme punën e saj me partnerët ndërkombëtarë për të përshpejtuar liberalizimin e regjimit të vizave, për të zbutur presionin e publikut që kërkon garantimin e lëvizjes së lirë, ashtu sikundër u takon me të drejtë qytetarëve të botës moderne.
Do të nxis punën e Ministrisë së Rendit për krijimin e klimës mbytëse e represive ndaj trafiqeve në përgjithësi dhe atij të qenieve njerëzore në vecanti. Kjo tregti e zezë dhe tregtarët e skllevërve duhet dhe do të marrin përgjigjen e merituar, nga më të ashprat e mundura.
Ftoj Ministrinë e Financave, që nëpërmjet hapësirave që njeh dhe lejon ligji, të kontrollojë, identifikojë dhe ngrijë të gjitha llogaritë bankare të rrjedhura nga veprimtaritë kriminale, trafiqet e paligjshme apo të lidhura me terrorizmin.
Ekzekutivi, nëpërmjet mekanizmave ligjorë, do të ushtrojë presion konstant pozitiv ndaj strukturave të drejtësisë për ndëshkimin e trafikantëve. Do të nxis Ministrinë e Drejtësisë që të studiojë një paketë të re masash ligjore, me sanksione tejet të rënda për ndëshkimin ligjor të kësaj kategorie të krimit. E po kështu, do të përkrahim mundësinë e krijimit të grupeve mikse me prokurorë shqiptarë, italianë e më gjerë, për të realizuar bashkëpunimin e nevojshëm në hetimet mbi këtë kategori krimi.
Ministrisë së Mbrojtjes do tí kërkohet që të përfshihet intensivisht në këtë luftë, nëpërmjet krijimit të forcave " Delta", që të bashkëpunojnë me strukturat e tjera shtetërore kundër trafiqeve ilegale të të gjitha llojeve.
Do të kërkoj bashkëpunim, koordinim dhe sidomos vendosmëri në krijimin e bllokut unik ndaj kësaj të keqeje me Kuvendin Shqiptar në tërësi dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Nuk kemi më kohë për të humbur. Nuk kemi më jetë të tepërta të qytetarëve tanë që të shkëmbehen me paratë e zeza të trafikantëve.
Ju faleminderit!