E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjidhni shpejt Gjykatën e Lartë”

Bashkimi Evropian i kërkon qeverisë shqiptare që të miratojë sa më shpejt pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe garantimin e institucioneve gjyqësore të pavarura. 

BLEDAR HOTI

Ky apel i është transmetuar dje ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë takimeve që ajo ka pasur në Bruksel. Shefi i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje- Hercegovinën pranë Komisionit Evropian, Dirk Lange, deklaroi për mediat se po e ndjekin nga afër këtë proces pas rrëzimit në Kuvend të 5 dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. "Shqetësimi im fillestar është që Shqipëria të ketë një Gjykatë të Lartë funksionale dhe për këtë pesë gjyqtarët duhet të emërohen sa më shpejt të jetë e mundur. Parlamenti ka një rol për të luajtur në këtë çështje dhe duhet ta luajë, por duhet të vijë sa më shpejt në një përfundim", deklaroi Lange. Një kusht i tillë është vendosur edhe në rezolutën përfundimtare të përbashkët mes parlamenteve, evropian dhe shqiptar. Në konkluzionet përfundimtare të takimit thuhet se problemi mes Presidentit dhe Kuvendit për rrëzimin e dekreteve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë duhet të tejkalohet sa më shpejt dhe Shqipëria të ndërtojë një sistem gjyqësor të pavarur. Në rezolutë theksohet rëndësia e garantimit të pavarësisë së institucioneve, mos politizimi i administratës publike, kapërcimi i dallimeve mes presidentit dhe maxhorancës për emërimin e gjyqtarëve, etj. Përveç vlerësimeve, korrupsioni dhe krimi i organizuar cilësohen sërish shqetësime serioze. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e pranishme në dy takimet e 15-të ndërparlamentar BE-Shqipëri dhe në atë të 18-të të Grupit Konsultativ, u fokusua në plotësimin nga ana e qeverisë shqiptare të detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja.

Meta, replika me Doris Pack për zgjedhjet e 2009

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka replikuar me europarlamentaren, Doris Pack në Bruksel për sistemin zgjedhor. Shkak për këto replika është bërë sistemi zgjedhor, gjatë miratimit të një deklarate të përbashkët të deputetëve evropiane dhe atyre shqiptarë në përfundim të takimit të 15-të ndërparlamentar. Meta propozoi përfshirjen e një amendamenti, ku kërkohej ndër të tjera, përcaktimi i mënyrës së përllogaritjes së rezultatit në sistemin proporcional dhe korrigjimi kombëtar i tyre. Ky sugjerim, u kundërshtua, veçanërisht nga kryetarja e delegacionit europarlamentar, Doris Pack, duke e cilësuar këtë propozim detaj teknik. Kreu i LSI-së u shpreh se "nëse me ndryshimet e Kushtetutës është zgjedhur një sistem proporcional, atëherë edhe rezultati duhet të jetë i tillë dhe për këtë gjë duhet përcaktuar një prag, cilido qoftë ai".

Hetimi i emrave të Topit, Malaj kundër PD

Deputeti i PS-së, Arben Malaj, u shpreh dje kundër propozimeve të PD-së për nisjen e hetimit të kandidaturave parlamentare që do të paraqiten për anëtarë të Gjykatës së Lartë. PD-ja ka propozuar që dekretet të përfshihen në proces hetimi, por Malaj në fjalën e tij e cilësoi shumë të dëmshme propozimin e realizuar. "Nëse ju mendoni se seancat e dëgjimit i japin kredibilitet kandidatit, ju do t'i shndërroni në seanca hetimi apo gjyqësore, kjo do të thotë se parimet e ndarjes dhe balancës së pushtetit janë të cenuar rëndë dhe në këtë rast veprimet tuaja partiake dalin mbi ato kushtetuese", deklaroi Malaj. Ai kërkoi një saktësim të procedurave nga Kuvendi, duke e cilësuar si një reformë të këtij institucioni. Socialisti Malaj ka qenë edhe një prej iniciuesve të amendamenteve të opozitës për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ai së bashku me socialistin tjetër Dervishi, propozojnë realizimin e seancave dëgjimore dhe nisjen e procesit të hetimit për emrat që paraqiten.

Rama: Qeveria të plotësojë kërkesat e minatorëve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i bëri apel dje qeverisë të plotësojë kërkesat e minatorëve. "Është koha që Kryeministri të tërhiqet nga qëndrimi refuzues për projekt-ligjin tonë, duke korrigjuar në sallën e Kuvendit mëkatin e përfaqësuesve të tij në Komisionin e Ekonomisë dhe duke e miratuar rritjen e pensionit të minatorëve, si hapin e parë drejt ndryshimit të një situate, ku korrupsioni po bën kërdinë e ku qeveria e Sali Berishës nuk mund të bëj asgjë duke qenë e lidhur drejtpërdrejtë me interesat e atyre që sot quhen nga minatorët, mafia e minierave të Shqipërisë", tha Rama. Kreu socialist mbështeti grevën e tyre dhe akuzoi deputetët e maxhorancës për rrëzimin e propozimit të grupit parlamentar socialist në komisionin e Ekonomisë, i cili kërkonte që pensioni i minatorëve të bëhej 100 mijë lekë të vjetra.

Topalli falënderon Poloninë për Kosovën

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, falënderoi kreun e Senatit polak për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si një kontribut të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit. Këtë deklaratë e mbajti Topalli pas takimit me kryetarin e Senatit polak, Bogdan Boruseëicz, i cili njihet edhe si një nga profilet më të larta të lëvizjes së Solidarnostit. "Është shumë inkurajuese për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin mbështetja që Polonia i jep avancimit të mëtejshëm të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian", deklaroi Topalli. Ndërsa kreu i Senatit polak theksoi se, "me Topallin diskutuam për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve. Në përbërje të delegacionit polak janë katër senatorë, prej të cilëve tre janë anëtarë të Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›